20160328udheheqes |
Presidenti i Kinës Xi Jinping u nis sot për një vizitë zyrtare treditore në Republikën Çeke. Kjo është vizita e parë e liderit më të lartë të Kinës në këtë vend të Europës Lindore që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe 67 vjet më parë.
Në prag të vizitës së presidentit Xi, shumë media dhe qytetarë i kanë kushtuar vëmendje si dhe kanë shprehur pritshmërinë e tyre, duke nënvizuar përparimin e marrëdhënieve kino-çeke në fusha të ndryshme.
Radioja e Jashtme e Çekisë, Radio Praga, i nisi njoftimet në internet dy javë përpara vizitës së Xi Jinping-ut. Raportime pati dhe nga agjencitë e lajmeve dhe mediat e shtypura.
Në një artikull të botuar në gazetën Plavo, presidenti Xi Jinping thekson se marrëdhëniet kino-çeke ndodhen përpara shanseve të rëndësishme historike të zhvillimit. Ai dëshiron që nëpërmjet kësaj vizite, të ngrihet jo vetëm niveli i marrëdhënieve dypalëshe, por edhe të nxitet përparimi i kornizës së bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, e njohur si nisma 16+1 si dhe marrëdhëniet kino-europiane.
Vitet e fundit, krahas shtimit të vizitave reciproke të nivelit të lartë, edhe marrëdhëniet ekonomiko-tregtare kino-çeke kanë shënuar zhvillim të dukshëm. Kina ka qenë për disa vjet partneri më i madh i Republikës Çeke, jashtë Bashkimit Europian.
Ndërsa, Republika Çeke është partnerja e dytë më e madhe tregtare e Kinës në Europën Qendrore e Lindore. Në vitin 2015, vëllimi tregtar midis dy vendeve arriti në 11 miliardë dollarë amerikanë.
Në një intervistë për mediat kineze, sekretare e përgjithshme e Konfederatës të Industrisë të Çekisë, Dagmar Kuchtova tha se gjatë vizitës së presidentit Xi Jinping, të dyja palët do të nënshkruajnë kontrata dhe marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik tregtar dhe të investimeve financiare.
"Ne i kushtojmë rëndësi të madhe vizitës së parë të udhëheqësit më të lartë kinez në vendin tonë. Po presim gjithashtu që më shumë ndërmarrje kineze të investojnë në Republikën Çeke, duke e trajtuar vendin tonë si një dritare për t'u futur në Europë. Shpresojmë gjithashtu se më shumë kompani çeke mund të gjejnë partnerë në Kinë," theksoi Kuchtova.
Sipas Dagmarit, qytetarët çekë kanë interes të madh për historinë dhe kulturën kineze dhe tani gjithnjë e më shumë shtetas çekë zgjedhin Kinën për turizëm. Në fakt, Republika Çeke po tërheq edhe vëmendjen e turistëve kinezë.
Vitin e kaluar, numri i vizitorëve kinezë ishte mbi 300 mijë, duke shënuar një rekord të ri. Sidomos pas shtatorit të kaluar, kur kompania e aviacionit Hainan Airlines nisi fluturimin direkt midis Pekinit dhe Pragës, turizmi midis dy vendeve ka shënuar përparim të dukshëm.