Kryeministri kinez Li Keqiang u takua të enjten në Pekin me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili mori pjesë në samitin e 4-t mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore.
Li Keqiang vlerësoi miqësinë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë dhe u angazhua për lidhjen e strategjisë së saj të zhvillimit me atë të Shqipërisë. Ai u shpeh për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dypalëshe, në dobi të të dy popujve. Li theksoi se qeveria kineze mbështet investimet kineze në ndërtimin infrastrukturor dhe të parqeve industriale në Shqipëri.
"Shpresojmë që të nisë sa më parë ndërtimi i rrugës së Arbrit, të shtohen bashkëpunimet në fushën e financës, minierave dhe bujqësisë. Dëshirojmë që Shqipëria të krijojë më shumë lehtësi për investimet kineze si dhe për vizitat e turistëve nga Kina" tha kreu kinez i ekzekutivit.
Edi Rama u shpreh se miqësia Shqipëri-Kinë është e çmuar., duke shtuar se Shqipëria i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. "Shqipëria fton sipërmarrjen kineze në ndërtimin e infrastrukturës në Shqipëri dhe dëshiron zgjerimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe turizëm. Shqipëria është e gatshme të thjeshtojë procedurën e vizave për qytetarët kinezë, duke krijuar më shumë lehtësi në këtë drejtim," tha kryeministri Edi Rama. (Jiang Lei/Eda Merepeza)