Ditët e fundit në një video-konferencë të mbajtur nga Ministria e Sigurisë Publike të Kinës u përcaktuan një sërë operacionesh anti-terroriste dhe kundër dhunës që do të zhvillohen në një periudhë një vjeçare. Në provincat e ndryshme të vendit janë formuar ekipet e posaçme anti-terroriste. Lidhur me këtë vendim, ekspertët e fushës u shprehën se mekanizmi anti-terroriste me karakteristikat kineze po përmirësohet gradualisht.
Kohët e fundit, në rajonin autonom të Xingjiang-Ujgurit, në qytetin Kunming të provincës Yunnan të Kinës, kanë ndodhur akte të dhunshme terroriste, një prej të cilëve ishte më 1 mars sulmi terrorist në stacionin e trenit në Kunming që shkaktoi një numër të madh viktimash. Më 22 maj, në distriktin Saybagh të qytetit Urumqi të Xingjiang-ut, si pasojë e një sulmi terrorist humbën jetën 39 vetë dhe 94 të tjerë mbetën të plagosur. Li Wei, drejtor i Departamentit të Sigurisë dhe të Kontrollit të Armatimit pranë Insitutit kinez për Marrëdhëniet Bashkëkohore Ndërkombëtare vuri në dukje nevojën e ngritjes së nivelit të luftës anti-terroriste në situatën aktuale të sigurisë në Kinë.
"Kërcënimet terroriste përballë Kinës janë përshkallëzuar, ndaj veprimtaria jonë anti-terroriste duhet ngritur në një nivel më të lartë. Kështu, duhet rritur aftësia kundërvepruese ndaj akteve terroriste, për të pakësuar pasojat e rënda në popull."
Në gushtin e kaluar në Pekin u mbajt konferenca e parë e Ekipit Kombëtar Anti-terrorist të Kinës, dhe për herë të parë "ekipi i veprimtarisë anti-terroriste" tërhoqi vëmendjen e qytetarëve. Pasi u formua ekipi kombëtar, gradualisht u krijuan ekipet rajonale në mbarë Kinën dhe nisi funksionimi i tyre. Sipas statistikave jo të plota, në provincat Jiangxi, Shanxi, Guangdong, Yunnan, Anhui, Guizhou dhe Shaanxi të Kinës, janë ngritur ekipet e tilla.
Përgjegjësi i Qendrës Kërkimore Anti-terroriste pranë Insitutit kinez për Marrëdhëniet Bashkëkohore Ndërkombëtare, Fu Xiaoqiang është i mendimit se formimi i ekipeve rajonale është në favor të zbatimit të masave të hartuara nga qendra si dhe të forcimit të sigurisë në mbarë shoqërinë.
"Nën drejtimin e pushtetit qendror, të gjitha rajonet i kushtojnë shumë rëndësi veprimtarisë anti-terroriste. Krijimi i ekipeve në nivel province dhe bashkie do të jetë në favor të koordinimit të punës dhe të konkretizimit të politikave të hartuara nga qendra, duke realizuar njëherësh kontrollin dhe parandalimin e terrorizmit ."
Nëpërmjet përmirësimit të mekanizmit anti-terrorist është bërë gjithnjë e më të dukshme rëndësia e rolit të ekipeve rajonale anti-terroriste. Më maj të këtij viti u zhvillua në qytetin Chengdu të provincës Sichuan të Kinës Juglindore stërvitja anti-terroriste, ku u shfaq për herë të parë një ekip i posaçëm anti-terrorist prej 390 personash, i përbërë nga policia ushtarake, forcat speciale, forcat zjarrfikëse dhe punonjës nga ekipi mjekësor dhe mjedisor, që reagojnë në raste emergjencash të ndryshme si shpërthime, rrëmbime, zjarrvënie dhe përdorim i armëve bio-kimike.
Fu Xiaoqiang tha që krijimi i ekipeve rajonale ka rëndësi të madhe për përmirësimin e veprimtarisë anti-terroriste të Kinës.
"Formimi i ekipeve anti-terroriste në nivel rajonal do të nxitë përmirësimin e veprimtarisë anti-terrosite me karakteristikat kineze. Hallkat e ndryshme të veprimtarisë anti-terroriste, nga parandalimi dhe reagimi në rast emergjence, deri në fazën pas incidentit, do të forcohet më tej. Aftësia e përgjithshme anti-terroriste do të jetë më e mirë. "
(Wang Xianya)