Më 10 shtator, duke shpërfillur kundërshtimet serioze të Kinës, qeveria japoneze shpalli "blerjen" e ishujve Diaoyu, me qëllim "shtetëzimin" e tyre. Ky veprim ishte shkelje e sovranitetit territorial të Kinës dhe qeveria e populli kinez shprehën protestën e kundërshtimin e tyre të ashpër. Po në të njëjtën ditë, qeveria kineze publikoi një deklaratë, ku shpjegonte kufijtë e ujërave territoriale kineze. Njëkohësisht, anijet e peshkimit dhe ato të patrullimit lundruan në ujërat e ishujve Diaoyu, për të siguruar të drejtat dhe juridiksionin e Kinës mbi këta ishuj. Masat e Kinës ishin një goditje e fortë ndaj pretendimeve të Japonisë për ishujt Diaoyu. Tokio nuk pranoi të tërhiqte vendimin e gabuar të saj, por përkundrazi, vazhdoi të përhapë "teorinë" e vet se ishujt Diaoyu janë pjesë territoriale e Japonisë.
Vitet e fundit, mosmarrëveshjet ndërmjet Japonisë dhe vendeve të saj fqinje, si Koreja e Jugut dhe Rusia, po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Kjo lidhet me forcimin e së djathtës në Japoni. Në fund të shtatorit, politikani i djathtë Shinzo Abe u zgjodh kryetari i Partisë Liberaldemokrate (PLD), partia më e madhe opozitare në atë kohë. Më 16 dhjetor, PLD-ja fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu, duket se pushteti në Japoni po shfaq një prirjeje të rrezikshme rrëshqitjeje drejt së djathtës. (Wang Xianya/Artani)