Qysh nga fillimi i këtij viti telefilmi me 39 seri "Histori dashurie në Pekin" ka pasur jehonë të madhe dhe është mirëpritur mjaft nga teleshikuesit kinezë. Në këtë film shtjellohen historitë e dashurisë të tre djemve dhe katër vajzave, si edhe jeta dhe përpjekjet e tyre në metropolin e zhvilluar. Tre djemtë janë shokë universiteti dhe kanë ngritur një grup muzikor. Ëndrra e tyre e përbashkët për muzikën i ka lidhur shumë ata dhe i ka bërë shokë të ngushtë. Pas diplomimit, përpara tyre dalin një sërë problemesh, si në punë, ashtu edhe në dashuri. Këtyre djemve, që kanë sfonde të ndryshme shoqërore, u duhet të gjejnë rrugën e përshtatshme të jetës për ta. Për t'u integruar në shoqërinë ku jetojnë, ata kanë vuajtur shumë dhe kanë bërë përpjekje të mëdha, por njëkohësisht gjatë kapërcimit të vështirësive janë rritur dhe janë pjekur. Kurse katër vajzat, që gjithashtu janë personazhe kryesore të këtij filmi e që kanë karaktere të ndryshme, mpleksen me këta djem në dashuri të hidhura dhe të ëmbla. Gjatë rrugës së mundimshme të këtyre të rinjve, përshkruhen në film edhe konceptet e tyre për dashurinë dhe botëkuptimi i tyre, duke i bërë një pasqyrë të gjallë të të rinjve të sotëm kinezë.
Edhe muzika e këngët e interpretuara në këtë film televiziv janë mirëpritur dhe janë pëlqyer shumë nga të rinjtë kinezë.
Në programin e sotëm muzikor ju ftojmë të dëgjoni pikërisht disa këngë nga ky telefilm.
Kjo që po ndiqni, është kënga kryesore e filmit televiziv "Histori dashurie në Pekin" dhe titullohet "Pekin, Pekin!".
Në këngë thuhet: "Duke ecur në çdo rrugicë të Pekinit / Zemra ime nuk qetësohet asnjëherë / Në këtë vend unë kam qarë dhe qeshur / Këtu jetoj, edhe do të vdes këtu / Këtu lutem, kërkoj dhe gjej rrugëdalje."
"Tiktaku " është një këngë që përshkruan dashurinë e parealizuar të një vajze për një djalë. Prandaj kjo këngë ka edhe një titull tjetër, "Në natën e qetë, me kë të flas?"
Disa nga vargjet e kësaj kënge janë: "Tiktaku, tiktaku, koha shkon pa u ndalur / Në këtë natë të qetë, me kë të flas / Kush do m'i fshijë lotët e hidhërimit / Do të nisem t'i ndreq ndjenjat / Do jetë dikush që shqetësohet për mua.
"Mirupafshim, rini!"
"Mirupafshim, rini!" është një këngë që përshkruan ndjenjat e thella në zemrat e të rinjve gjatë kalimit të rrugëve plot zigzage. Në këngë thuhet: "Do të nisem në agimin e vjeshtës / Në mes të lëkundjeve të trenit / Shoqëruar nga aroma e këndshme e luleve të egra / Mirupafshim, rini / Mirupafshim, dhimbje të bukura / Mirupafshim, vendlindje e përjetshme / Mirupafshim, trishtim i ndritur / Mirupafshim, pështjellim i përhershëm.
Ju flet Radio e Jashtme e Kinës. Të dashur dëgjues, ndoqët disa këngë nga filmi televiziv "Histori dashurie në Pekin".


















