PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Rruga e zhvillimit të NVM-ve kineze
2011-09-22 21:04:23 cri komenti juaj Printoni

Reforma dhe hapja ndaj botës kanë nxitur mjaft gjallërimin e ekonomisë private, që ka pasur një zhvillim të vrullshëm gjatë mbi 30 vjetëve të fundit. Sot në Kinë ndërmarrjet private zënë 80 % të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve dhe gjithashtu ofrojnë afro 80 % të vendeve të punës. Mirëpo ekonomia private ndodhet përpara presionit të shndërrimit dhe të shkallëzimit.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit, Federata Pankineze Industrialo-Tregtare zhvilloi hetime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në 17 krahina të vendit. Sipas rezultatit të hetimeve, si pjesë kryesore e ekonomisë private kineze, NVM-të, dhe veçanërisht minindërmarrjet, kanë një hapësirë fitimi gjithnjë e më të vogël. Përgjegjësi i Federatës Quan Zhezhu mendon se, megjithëse kjo situatë ka lidhje me mjedisin e ekonomisë ndërkombëtare dhe me ngritjen e kostos së lëndëve të para, shkaku rrënjësor është mungesa e zotërimit të teknologjisë thelbësore me të drejtën e pronësisë intelektuale. Në të kaluarën NVM-të mbështeteshin thjesht te shtimi i investimeve në njerëz dhe në materiale, kurse sot ato kanë nevojë të ngutshme për ndryshimin e mënyrës së zhvillimit, që të përshtaten me kërkesat e situatës së ndërlikuar ekonomike brenda e jashtë vendit.

"Faktet tregojnë se për Kinën ka kaluar koha e kostos së ulët në burime energjetike e krahë pune dhe në mbrojtjen e mjedisit dhe ka ardhur koha e kostos së lartë të prodhimit. Për ruajtjen e zhvillimit normal, ndërmarrjet private e kanë të domosdoshëm përparimin tekniko-shkencor, ngritjen e nivelit të punonjësve dhe ndryshimin e mënyrës së administrimit."

Në këtë drejtim disa ndërmarrje private kanë bërë prova që kanë dalë të suksesshme. Kompania "Tiansheng" është një ndërmarrje e vogël private që merret me produktet hermetike. Ajo ka siguruar një hapësirë zhvillimi me novacionin në teknologjinë e mbylljes hermetike të centraleve bërthamore.

Presidenti i kompanisë Li Xinggen bëri të ditur se mbyllja hermetike është një nga teknologjitë kyçe të centraleve bërthamore, por në të kaluarën ndërmarrjet kineze nuk kanë pasur epërsi në këtë drejtim. Produktet e huaja të mbylljes hermetike janë shumë të shtrenjta dhe kanë mundësi të bllokohen gjatë importit. Në këto rrethana, kompania e tij vendosi të përpiqej për kërkimin dhe prodhimin e pavarur të produkteve të mbylljes hermetike për centralet bërthamore.

"Kemi bërë përpjekje lidhur me studimin dhe prodhimin e produkteve të mbylljes hermetike për centralet bërthamore dhe kemi shkuar shpesh në universitete dhe centrale bërthamore. Për të zotëruar sistematikisht teknologji, kompania krijoi laboratorin e vet, ku morëm njohuri për produktet të huaja dhe studiuam strukturën e tyre të hermetizimit, që të njohim kuptimin e vërtetë të parametrave të ndryshëm dhe të përmirësojë produktet tona. Sot kemi shpikur një strukturë krejt të re të mbylljes hermetike, duke zotëruar pesë patenta. Tani produktet tona përdoren me sukses në të gjitha centralet bërthamore kineze në funksionim, duke shënuar nivelin më të lartë të sigurisë në botë."

Suksesi i kompanisë "Tiansheng" ka tërhequr vëmendjen e kompanive të huaja. Presidenti i kompanisë më të njohur në botë për prodhimet e mbylljes hermetike e ka vizituar disa herë kompaninë "Tiansheng" dhe shpreson të blejë aksionet e saj. Këmbëngulja në risitë teknologjike i ka sjellë kompanisë "Tiansheng" aftësi konkurruese në shkallë botërore në fushën e centraleve bërthamore.

Profesori e ekonomisë Li Yiping mendon se ndryshimi i mënyrës së zhvillimit dhe mbështetja te novacioni teknologjik nuk kufizohen vetëm në industritë me teknologji të reja dhe të larta, por kanë të bëjnë edhe me industrinë tradicionale dhe veçanërisht transformimin teknik. Ai tha se në industrinë tradicionale epërsinë e kanë ndërmarrjet kineze.

"Nëpërmjet forcimit të aftësisë novatore, ndërmarrjet ngrihen nga niveli i ulët në nivelin e lartë të zinxhirit prodhues, duke forcuar aftësinë konkurruese thelbësore dhe pozicionin. Në kohën që i kushtojmë rëndësi industrisë së teknologjive të reja dhe të larta, nuk mund të harrojmë në asnjë mënyrë transformimin teknik të industrisë tradicionale. Nuk duhet ta mohojmë industrinë tradicionale, por duhet ta pajisim dhe ta transformojmë me teknologji moderne."

Duke folur për transformimin teknik, nuk mund të mos përmenden shkollat e larta dhe institucionet akademike, ku është i përqendruar numri më i madh i kuadrove tekniko-shkencorë. Bashkimi i prodhimit me studimin është pa dyshim një zgjedhje e mençur e ndërmarrjeve private sa I përket novacionit.

Kompania "MESNAC sh. p. k", me seli në qytetin bregdetar Qingdao, është ndërmarrja kryesore kineze e teknologjive të reja dhe të larta dhe gjithashtu baza kombëtare e testimit për novacione. Presidenti i kompanisë Yuan Zhongxue vazhdon të jetë pedagog në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Qingdaos. Ai e themeloi këtë kompani bashkë me disa kolegë të tij. Mbështetur te forcat tekniko-shkencore, kompania e tij e ka ngritur nivelin e industrisë tradicionale të gomës, duke shërbyer si shembull i bashkimit të teorisë me praktikën. Yuan Zhongxue mendon se studiuesit janë forca më e gjallë për zhvillimin e kompanisë.

"Kemi krijuar mbi 20 institucione kërkimore, në përputhje përkatësisht me mbi 20 specialitetet që kemi në shkollë. Kështu, pasi mbarojnë mësimdhënien dhe provimet në shkollë, pedagogët vijnë te ndërmarrja jonë për t'i shndërruar rezultatet kërkimore në produkte. Tani 9 prej këtyre 20 institucioneve janë regjistruar si persona juridikë. Në këto institucione kemi 2 700 studiues, dhe mbi 200 prej tyre janë profesorë universiteti, ndërsa ftojmë edhe të tjerë nga brenda e jashtë vendit. "

Kompania "MESNAC sh. p. k." u nis nga disa pedagogë me 500 mijë juanë. Tani ajo është bërë një kompani e madhe me një vlerë prodhimi prej 20 miliardë juanësh. Edhe numri i punonjësve është shtuar nga 47 në 7 200. Në fillim ata prodhonin vetëm sistemin smart të furnizimit të përbërësve për prodhimin e gomës, ndërsa sot kompania mund të prodhojë të gjitha pajisjet për prodhimin e gomave.

Në vitin 2002 kompania "MESNAC" krijoi bazën eksperimentale të gomave, që pasqyron forcat për novacion dhe potencialin konkurrues të ndërmarrjeve kineze.

"Në këtë bazë përdorim pajisje të reja, materiale të reja, teknologji të reja, teknika të reja dhe zbatojmë mekanizmin e ri. Gjatë nëntë vjetëve të fundit nga kjo bazë kanë dalë 17 ndërmarrje të gomave, të cilat do të bashkohen për të formuar një grup. Tjetër rezultat i kompanisë është që nga viti 2009 jemi klasifikuar të parët në Kinë dhe të katërtit në botë për prodhimin e pajisjeve të prodhimit të gomës. Në pesë vjetët e ardhshëm do të përpiqemi të bëhemi vendi i parë në botë për vlerësimin e prodhimit në këtë degë."

Yuan Zhongxue tha se "kultivimi" i aq shumë ndërmarrjeve të gomave ka si qëllim daljen nga niveli i ulët i manifakturës dhe ngritjen e nivelit të përgjithshëm të sektorit të gomave të Kinës.

Tani shumë ndërmarrje private kineze ndodhen përpara presionit të madh për ndryshimin e mënyrës së zhvillimit, për zhvendosjen e shkallëzimin dhe për realizimin e zhvillimit të vazhdueshëm. Pavarësisht nëse janë të teknologjive të reja dhe të larta apo të industrisë tradicionale, mbështetja te shkenca, teknologjia dhe novacioni do t'u sjellë ndërmarrjeve një dinamikë të madhe.

Profesori Liu Yingqiu nga Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës shpreh mendimin se, krahasuar me elementet në sistem dhe në treg, në plan të parë për ndërmarrjet duhet të vihen risitë teknologjike.

"Nuk mohoj rolin e sistemit, tregut dhe të organizimit, por tani për tani novacioni teknologjik është më i rëndësishmi për ndërmarrjet. Ndodhemi përpara shumë fakteve të padëshiruara. Në Kinë gati po zhduket dividenti demografik dhe, si pasojë, kostoja e krahut të punës është në rritje e sipër. Rritja e vazhdueshme e kostos së krahut të punës kërkon nga ndërmarrjet të gjejnë rrugëdalje për shtimin e fitimeve. Rruga e parë është kapitali, por fatkeqësisht Kina nuk është shumë e begatshme dhe ai mungon. Në këto kushte, tjetër zgjedhje, e domosdoshme, është teknologjia. Me teknologji përmirësohen niveli i efektivitetit të kapitaleve dhe i punonjësve." (Wang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China