20160413luoyang.m4a |
Vitet e fundit është vënë re një rritje e shkëmbimeve midis përfaqësuesve të pushtetit vendor të niveleve të ndryshme të Kinës dhe Shqipërisë. Nga 6 deri 10 prill, kryetarja e Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Greta Bardeli në krye të një delegacioni vizitoi provincën kineze Henan, si dhe mori pjesë në Panairin e Investimeve Henan 2016. Ndërsa nga 6-12 prill kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, vizitoi qytetin Luoyang të provincës Henan.
Gjatë kësaj vizite u nënshkrua dhe "Marrëveshja për Bashkëpunimin Miqësor Midis Dy Qyteteve". Këto vizita dhe takime janë shprehje e rritjes së bashkëpunimit midis rajoneve të ndryshme të Kinës dhe Shqipërisë.
Në shtatorin e vitit të kaluar, me mbështetjen e Ambasadës së Kinës në Shqipëri, zv./kryetari i Konferencës Konsultative Politike të provincës Henan, Shi Jichun, vizitoi Shqipërinë dhe nënshkroi "Marrëveshjen për Bashkëpunim Miqësor Midis Qarqeve dhe Qyteteve të të Dy Vendeve". Ai shkëmbeu mendime me homologët shqiptarë për thellimin e bashkëpunimit në infrastrukturë, turizëm, industrinë minerare etj. Rreth 6 muaj më vonë, kryetarja e Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Greta Bardeli, ktheu vizitën në Kinë me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis qarkut të Shkodrës dhe kësaj province. Lidhur me këtë vizitë zonja Bardeli flet për CRI shqip:
"Ftesa për bashkëpunim është e hapur dhe ne mund të bëjmë plane strategjike për zhvillimin e Qarkut të Shkodrës dhe kjo tregohet nga vullneti i mirë i të gjitha palëve."
Gjatë qëndrimit në Henan, delegacioni nga Shkodra mori pjesë në Panairin e Investimeve Henan 2016, i organizuar nga pushteti vendor i provincës, Komiteti i Nxitjes së Tregtisë së Jashtme të Kinës dhe Shoqata e Miqësisë së Popullit Kinez me Botën. Në këtë panair ishin të ftuar mbi 3700 biznesmenë nga 86 vende e rajone, 79 drejtues ekzekutivë të 500 kompanive të huaja si dhe 20 diplomatë. Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Gerta Bardeli, thotë se panairi shërbeu si një burim idesh të reja për të.
"Delegacioni i Shqipërisë mori pjesë në Panairin e Bashkëpunimit Tregtar dhe Ekonomik për Qytetet e Binjakëzuar. Kontaktet ishin të shumtë dhe gjithashtu ne patëm disa takime të nivelit të lartë, ku u njohëm nga afër me resurset e zonës dhe u bëmë thirrje që të vijnë dhe të vizitojnë Shkodrën dhe Shqipërinë për të ndërtuar strategji dhe më pas të nisim zbatimin e kontratave mbi projekte konkrete, të cilët do të sjellin zhvillimin e zonës."
Krijimi i marrëdhënieve miqësore midis provincës dhe qarkut nxit zhvillimin e marrëdhënieve të qyteteve mike. Për këtë qëllim, kryetari i bashkisë së Beratit Petrit Sinaj vizitoi qytetin Luoyang të provincës Henan, ku dhe nënshkroi "Marrëveshjen e Bashkëpunimit Miqësor midis Qyteteve"
Kryebashkiaku Sinaj vlerësoi qytetin e lashtë Luoyang dhe kulturën e tij tradicionale. Sipas tij Luoyang-u dhe Berati kanë shumë të përbashkëta. Zhvillimi i qytetit Luoyang ka ngjashmëri me zhvillimin e Beratit, tha Sinaj duke theksuar se kjo vizitë shërben më së miri për shkëmbimin e përvojës midis dy qyteteve.
"Gjatë këtyre ditëve kemi pasur shumë takime dhe kemi diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit midis Luoyang-ut dhe Beratit dhe kemi nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit. "
Këto vizita forcojnë miqësinë midis popullsisë së dy qyteteve dhe me nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit të qyteteve rritet dhe miqësia. Lidhur me këtë kryebashkiaku i Beratit Sinaj tha:
"Është një binjakëzim i ri, por një miqësi shumë e vjetër. Popujt tanë nuk janë njohur në këtë shekull, por në shekullin e kaluar dhe kanë një histori të gjatë, të përbashkët. Brezi mbi 40 vjeç e njeh shumë mirë historinë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes popullit shqiptar dhe atij kinez. Ne duam që edhe brezi i ri të mësojë për këtë miqësi dhe për këtë vëllazërim që kanë pasur dy kombet tona. Tani ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit, historisë, bujqësisë dhe fusha të tjera."
Luoyang-u dhe Berati dëshirojnë të nxitin zhvillimin në fusha të ndryshme, bazuar në këtë miqësi. Gjatë vizitës, delegacioni i kryesuar nga zoti Sinaj vizitoi Grupin e Kompanive të Traktorëve të Kinës (YTO). Ai shpreson që ndërmarrjet e Beratit do të bashkëpunojnë me YTO-në, si një hap i parë i bashkëpunimit konkret midis dy qyteteve.
Zv./drejtori i Zyrës së Punëve të Jashtme i bashkisë së Luoyang-ut, Liu Chouxin, e shoqëroi delegacionin shqiptar në vizitën në Kompaninë YTO. Ai tha se traktori i parë, makina ushtarake e parë e Kinës u prodhuan nga kjo kompani. YTO tashmë është një kompani e shkëlqyer që prodhon pajisje bujqësore. Si kompani e rëndësishme e Luoyang-ut, YTO dëshiron të bashkëpunojë me vende të ndryshme të botës.
"Luoyang është qytet i rëndësishëm lindor përgjatë rrugës së lashtë të mëndafshit dhe ka lidhje të ngushtë me Europën. Berati është qendra e prodhimeve bujqësore dhe ka kërkesa të mëdha në fushën e prodhimit bujqësor. Kryetari i bashkisë Sinaj u shpreh se do të studiojë mundësinë e bashkëpunimit me kompaninë kineze YTO."
Kryebashkiaku i Beratit, Sinaj tha se në të ardhmen prodhimet e kompanisë YTO mund të përdoren për zhvillimin bujqësor të Beratit. Ai shprehu dëshirën që eksportet e prodhimeve ushqimore të Beratit të arrijnë në Kinë dhe të pëlqehen nga konsumatori.
"Berati është mjaft i njohur jo vetëm për historinë, mbi 2500 vjeçare, por edhe për prodhimin e verës. Gjithashtu prodhimi i ullirit kokërr është ndër më të mirët në Shqipëri, madje dhe në Ballkan. Kështu që këto produkte, si vera, ulliri, qershia dhe fiku, që janë unikale për Shqipërinë dhe që prodhohen në Berat, ne duam t'i prezantojmë për Luogang-un, por edhe për tregun dhe konsumatorin kinez. "
Shkëmbimet e ardhshme në fushën kulturore përbëjnë interes të Lidhur me këtë kryebashkiaku Sinaj tha:
"Shkëmbimet kulturore në të ardhmen midis dy bashkive tona, së pari mund të realizohen përmes shkëmbimeve midis shkollave tona dhe vizitave të tyre në Berat dhe Luuoyan. Kështu të rinjtë mund të njohin kulturën dhe historinë e dy kombeve tona."
Zv./drejtori Liu Shouxin tha se zhvillimi i marrëdhënieve midis qyteteve mike kërkon përkrahjen e të rinjve, dhe së pari duhet të forcohen njohjet dhe rritet besimi reciprok. Lidhur me propozimet e kryebashkiakut Sinaj, zv-drejtor Liu u shpreh:
"Në të ardhmen Luoyang-u dhe Berati do të zhvillojnë më shumë shkëmbime në kulturë, arsim, etj. Pas largimit të delegacionit do të nisim përgatitjet për realizimin e objektivave që vendosëm," tha Liu.