20160403xicek.m4a |
Në fund të marsit kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi një vizitë zyrtare 3 ditore në Çeki. Më 28 mars pasdite, pasi hyri në hapësirën ajrore të Çekisë, çarteri i Xi-ut u shoqërua nga dy aeroplanë luftarakë të forcave ajrore çeke. Xi Jinping u prit në rezidencën e presidentit çek Milos Zeman, në Kështjellën Lany, në periferinë e Pragës. Ai është i pari kryetar shteti i huaj, i ftuar në këtë rezidencë private të homologut Zeman.
Vizita e Xi-ut në Çeki shënoi edhe tre rekorde të tjera, si e para vizitë jashtë vendit e Xi-ut në vitin 2016, e para vizitë e tij në vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe e para vizitë e një presidenti kinez në Pragë, 67 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe. Shifra 67 është interesante, sepse pasqyron ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë 67 vjetëve
Më 6 tetor 1949, fill pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, Çekosllovakia e njohu menjëherë këtë vend të ri socialist dhe e konsideroi si aleat i ngushtë. Kryeministri i ndjerë kinez Çu En Lai, si kreu i diplomacisë kineze të kohës vizitoi Pragën në vitin 1953 për të bërë homazhe për presidentin e Çekosllovakisë Klement Gottwald. Ndërsa kryetari Mao Ce Dun, të cilit nuk i pëlqenin vizitat jashtë vendit, kreu vetëm një vizitë të tillë, atë në Bashkimin Sovjetik dhe natyrisht nuk e vizitoi Çekinë.
Gjatë ekzistencës së Bashkimit Sovjetik, Praga konsiderohej "vëllai i vogël" i Moskës. Në fillim të vitit 1968, autoritetet çekosllovake filluan lëvizjen e demokratizimit politik, që mërziti "vëllain e madh" dhe bashkë me anëtarë të tjerë të "Traktatit të Varshavës" ndërmorën veprime ushtarake kundër Çekosllovakisë, të njohur si "Pranvera e Pragës".
Pas keqësimit të marrëdhënieve midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik në fund të viteve '50-të të shekullit të kaluar edhe marrëdhëniet midis Kinës dhe Çekosllovakisë u ftohën dhe as nuk mund të bëhej fjalë për vizita të nivelit të lartë.
Pas ndryshimit të pushteteve në vendet e Evropës Qendrore e Lindore në fillim të viteve '90-të, ashtu si me vende të tjera të kësaj hapësire europiane, marrëdhëniet midis Kinës dhe Çekisë kanë shënuar zigzage dhe madje ishin përballur me kundërshtime të shumta. Gjatë pushtetit mbi 10 vjeçar të Havelit, Çekia kritikoi Kinën për të drejtat e njeriut, çeshtjen e Tibetit etj. Prandaj është e kuptueshme përse një president i Kinës nuk e kishte vizituar Çekinë gjatë një periudhe 67 vjeçare pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
"Çekia u çlirua nga presioni i ShBA-së dhe Evropës"
Koha është ilaçi për të gjitha plagët. Me ngritjen e ekonomisë kineze dhe ndryshimin e strukturës ndërkombëtare edhe vendet e Evropës Qendrore e Lindore kanë ndryshuar qëndrimin e ftohtë ndaj Kinës, duke filluar marrëdhëniet me të kryesisht ato ekonomike. Në vitin 2013, Milos Zeman u zgjodh president në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta dhe qysh nga ajo kohë për marrëdhëniet kino-çeke është hapur një faqe e re. Zeman i përket krahut të majtë, nga këndvështrimi i vendeve perëndimore, sepse ai ka bërë përpjekje për forcimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, në kundërshtim me vendet perëndimore. Ndër këto përmendim që vitin e kaluar, me rastin e 70-vjetorit të fitores së Luftës së Dytë Botërore, kur vendet perëndimore kundërshtuan paradën ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës për shkak të krizës së Ukrainës, Zemani shkoi në Moskë. Ambasadori i ShBA-së në Çeki me ironi tha se Zemani do të ndjehej keq pasi pjesa dërrmuese e vendeve do të abstenonin paradën e Moskës. Presidenti Zeman reagoi ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan, duke i ndaluar atij hyrjen në rezidencën presidenciale! Zemani ka treguar interes të veçantë edhe për marrëdhëniet me Kinën. Në tetor të vitit 2014, ai vizitoi Kinën në krye të një delegacioni të madh. Kjo ishte vizita e parë në Kinë e një presidenti çek gjatë 10 vjetëve. Gjatë takimit me homologun kinez Xi, presidenti Zeman u shpreh se Tajvani dhe Tibeti i përkasin Kinës dhe Çekia nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës. Uebsaiti rus "sputniknews" komentoi më 28 mars se Zemani u çlirua nga presioni i ShBA-së dhe i BE-së dhe është i gatshëm të "rifillojë" marrëdhëniet me Kinën.
Bashkëpunimi kino-çek po pret "çastin e artë"
Ndër liderët e vendeve perëndimore, Zemani është një mik i vjetër i Kinës, gjë që mishërohet në paradën ushtarake të 3 shtatorit vitin e kaluar në Pekin. Kur liderët e vendeve perëndimore abstenuan kolektivisht pjesmarrjen, Zemani ishte i vetmi lider i një vendi të BE-së dhe të NATO-s, që ndonëse me këmbë të sëmurë u ngjit me bastun në tribunën Tiananmen të Pekinit. Në pritjen rezervuar mysafirëve të nderuar nga vendet e ndryshme, kryetari i shtetit Xi e pyeti Zemanin në veçanti, "A u çlodhët ?" Zemani iu përgjigj, "Pushova mirë, por ti do të jesh i lodhur."
Këtë miqësi, Kina e vlerëson dhe vizita e kreut të shtetit Xi në Pragë është mëse e natyrshme. Kësaj here në Evropë, Xi vizitoi vetëm Çekinë, gjë që mishëron pozitën e veçantë të këtij vendi për Kinën. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe vitin e kaluar, kur Xi vizitoi posaçërisht Britaninë, si përgjigje e anëtarësimit të Britanisë në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, e para ndër vendet perëndimore.
Pavarësisht miqësisë së liderëve, afrimi midis vendeve vjen kryesisht nga tërheqja bazuar në interesa reciproke. Për Çekinë, bashkëpunimi tregtar me Kinën sjell shumë përfitime. Vitin e kaluar vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 11 miliardë dollarë amerikanë dhe Kina është partneri kryesor tregtari Çekisë. Sektori çek i turizmit parashikon se gjatë vitit 2016, turistët kinezë në Çeki do të kalojnë 350 mijë, 65 mijë më shumë se në vitin 2014. Për Kinën, Çekia është partneri tregtar i dytë në Evropën Qendrore e Lindore, një treg që Kina synon ta zgjerojë. Çekia ndodhet në qendër të Evropës dhe quhet "zemra e Evropës" , ndërsa Praga është një pikë e rëndësishme e nismës "Një Brez e një Rrugë". Në nëntorin e vjetshëm, Çekia ishte i pari vend në Evropën Qendrore e Lindore, që nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit të "Një Brez e një Rrugë". Agjencia Reuter në artikullin e saj të 28 marsit theksonte se gjatë vizitës në Kinë më 2014, presidenti çek Zeman tha se e vizitoi Kinën për të parë se si ky vend realizoi rritjen ekonomike dhe stabilitetin shoqëror, por jo "për t'u mësuar kinezëve të ashtuquajturat strategji ekonomike dhe të drejtat e njeriut." "Ky qëndrim është krejt ndryshe nga Haveli," komentoi Reuter.
"Gjatë një periudhe të gjatë, Çekia nuk kishte kuptuar plotësisht zhvillimin e Kinës dhe kishte humbur shumë shanse," tha Ladislav Saral, kryetari i Shoqatës së Bashkëpunimit Ekonomik Çeki-Kinë, gjatë një interviste për median kineze. Sipas tij, me shtimin e shkëmbimeve të nivelit të lartë midis dy vendeve dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike, nga qeveria deri te qytetarët e thjeshtë çekë janë të ndërgjegjshëm që nuk mund të humbin më "trenin e shpejtë" të zhvillimit të Kinës dhe duhet të përqafojnë investimet kineze dhe nismën strategjike "Një Brez e një Rrugë". (Wang Lei)