20160320WURAN |
Në konferencën e shtypit të organizuar nga sesioni vjetor i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, ministri i Mbrojtjes së Mjedisit, Chen Jining u shpreh se vitin e kaluar, Kina pati shumë rezultate në fushën e mbrojtjes së mjedisit, duke shtuar se gjatë "planit të 13-të 5-vjeçar" do të forcohet kontrolli i ndotjes së ajrit, ujrave dhe tokës.
Kontrolli i ndotjes së ajrit është një punë e vështirë në mbrojtjen e mjedisit të Kinës. Nën ndikimin e kushteve të pafavorshme klimatike, organet e mbrojtjes së mjedisit në krahinat e ndryshme të vendit kanë bërë përpjekje të palodhshme, për të pakësuar ndotjen e ajrit, duke shënuar rezultate. Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit Chen Jining u shpreh se të dhënat tregojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit:
"Është shtuar sasia e ditëve me cilësitë mirë të ajrit dhe janë pakësuar ditët me ndotje të rëndë dhe dendësi PM2.5. Për shembull në 74 qytete, ku filloi të zbatohet standardi i ri i cilësisë së ajrit vitin e kaluar, dendësia mesatare vjetore PM2.5 është 55 mikrogramë për metër kub, duke u ulur 14.1% në krahasim me vitin 2014. Vitin e kaluar, dendësia PM2.5 në tërë rajonin e Deltës së Lumit Zhujiang ishte brenda normës së caktuar. Edhe sateliti i NASA-s së SHBA-së ka zbuluar uljen e grimcave në krahinat qendrore e lindore të Kinës."
Në dy vjetët e fundit, Kina publikoi me radhë "Planin e veprimeve të parandalimit e kontrollit të ndotjes së ajrit" dhe "Planin e veprimeve të parandalimit e kontrollit të ndotjes së ujit" që drejtojnë veprimtarinë në këto dy fusha. Sipas ministrit Chen Jining është hartuar edhe "Plani i veprimeve të parandalimit e kontrollit të ndotjes së Tokës" që do të vihet në zbatim këtë vit. Ai thotë:
"Ky plan do të paraqesë kërkesa të qarta të administrimit të tokës së mbjellë dhe të tokës së ndotur nga ndërtimet dhe do të ndërmerren masa konkrete për mbrojtjen e tokës nga ndotjet, për trajtimin e sipërfaqes së tokës së ndotur dhe ndaj rreziqeve të tokës së ndotur."
Në raportin vjetor të punës së qeverisë u paraqitën 3 detyra për kontrollin e ndotjes së ajrit dhe ujit, duke përfshirë zbatimin e rreptë të ligjit të rishikuar të mbrojtjes së mjedisit, goditjen e rreptë kundër lëshimit së tepërmi e fshehurazi të lëndëve ndotëse dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit. Chen Jining u shpreh se këtë vit, veprimtaria e Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit do të përqëndrohet në 5 objektiva, të përcaktuara në raportin e punës së qeverisë:
"Së pari, do të zbatojmë siç duhet 3 plane të kontrollit të ndotjeve të ajrit, ujit dhe tokës.
Së dyti, do të bëjmë përpjekje për të parandaluar ndotjen. Së treti, do të përsosim sistemin e kontrollit të ndotjeve. Së katërti, do të zbatojmë rreptësisht ligjin përkatës, për të ndaluar lëshimin e paligjshëm të ndotjeve. Së pesti, do të forcojmë përgatitjen e kuadrove profesioniste."
Që nga 1 janari i vitit të kaluar u vu në zbatim ligji i ri i mbrojtjes së mjedisit i Kinës, i cili konsiderohet si " më i rrepti në fushën e mbrojtjes së mjedisit" dhe qarqet e ndryshme presin rezultatet e tij. Ministri Chen Jining u shpreh se gjatë një viti, ligji i ri i mbrojtjes së mjedisit ka shënuar rezultate të dukshme:
"Kemi forcuar ndëshkimin e rasteve të shkeljeve të ligjit të ri të mbrojtjes së mjedisit. Vitin e kaluar, zbuluam 2079 raste të ndotjes së mjedisit, duke përfshirë 1685 vepra penale në këtë fushë."
Chen Jining shtoi se megjithëse është forcuar goditja kundër rasteve të ndotjes së mjedisit, disa krahina nuk mbajnë përgjegjësinë e duhur për mbrojtjen e mjedisit, ndodhin shpesh shkelje të ligjit nga firmat e ndryshme dhe duhet të forcohet më tej aftësia e mbikëqyrjes. Lidhur me këto, Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit do të vazhdojë këtë vit nxitjen e zbatimit të ligjit të ri të mbrojtjes së mjedisit, me qëllim që të mbahet përgjegjësia e duhur për mbrojtjen e tij. (Fani)