Kongresi Botëror i Telefonisë së Lëvizshme, që zhvillohet një herë në vit, mblodhi nga e hëna deri të enjten në Barcelonë mbi 2 mijë ndërmarrje të teknologjisë së lartë nga mbi 200 vende e rajone të botës.
Cilat ishin çeshtjet më tërheqëse të diskutuara në këtë platformë botërore të telefonisë së lëvizshme? Cila do të jetë prirja e zhvillimit të teknologjisë së telefonisë së lëvizshme? Në programin e sotëm, do t'ju flas për këtë.
"Lëvizja është gjithçka", kjo është tema e edicionit të vitit 2016 të Kongresit Botëror të Telefonisë së Lëvizshme, në Barcelonë. Në këtë edicion, kanë tërhequr vëmendjen produktet terminale të lëvizshme dhe smart. Samsung publikoi smartfonin Galaxy S7, i cili karakterizohet nga memorie shtesë, karikim pa linjë dhe funksion i realitetit virtual. Edhe kompani të tjera të fuqishme të telefonisë së lëvizshme, si LG, HTC, SONY, Huawei dhe ZTE prezantuan në këtë takim smartfonë të rinj dhe terminale të lëvizshme. Krahas këtyre, teknologjitë për zgjerimin e funksionimit të smartfonit kanë tërhequr vëmendjen e pjesmarrësve, si P. Sh. instalimi në celular i programit të paraqitjes së figurave me rreze infratëkuqe do të përdoret për veprime shpëtimtare, me celularin do të realizohet kontrolli i aparateve elektronike shtëpiake si dhe sigurimi i shtëpisë.
Krahas teknologjive për smartfonët, në Kongresin e Telefonisë së Lëvizshme, u paraqitën edhe teknologji të fushave të tjera. Në këtë edicion, nismëtari i Facebook-ut, Mark Elliot Zuckerberg mori pjesë posaçërisht në konferencën e shtypit për celularin e ri të Samsung-ut për të përhapur teknologjinë e realitetit virtual, të cilën ai e vlerësoi shumë.
"Mbaj mend edhe sot që në mësimin e matematikës në shkollën e mesme, hartova kode programi në një fletore shënimesh. Atëkohë, mendoja se në të ardhmen do të mund të ndërtojmë uebsajte jo vetëm në dy dimensione, por edhe në tre, që do të thotë ta çojmë vizituesin në një hapësirë, që duket shumë më e vërtetë. Që nga ajo kohë, kam pasur interes të madh për teknologjinë e realitetit virtual dhe kam pritur ardhjen e kësaj dite. Sot, ëndrra ime u realizua."
Zuckerberg-u njoftoi se do të krijojë një grup pune bashkë me kompaninë Samsung, për aplikimin e teknologjisë së realitetit virtual në rrjetin social. Facebooku do të kërkojë edhe teknologji përkatëse në përputhje me terminalet Samsung me teknologji të realitetit virtual. Në këtë bazë, Facebook do të bëhet edhe platforma nr. 1 në botë për video me tre dimensione.
Interneti i lëvizshëm është bashkimi i telefonisë së lëvizshme me internetin dhe tani ai po pret ardhjen e fazës 5G. Në këtë edicion të Kongresit Botëror të Telefonisë së Lëvizshme, pothua se të gjitha kompanitë pjesmarrëse të telekomunikacionit, si Qualcomm, Intel, Huawei, ZTE, Samsung, Nokia etj. demonstruan produkte e teknologji të lidhura me 5G. Edhe kompanitë e automjeteve, si Ford dhe Volvo paraqitën të ardhmen e telematikës, bazuar në teknologjinë 5G.
Sipas raportit të fundit të Shoqatës Globale të Telefonisë së Lëvizshme, deri në vitin 2020, 3/4 e popullsisë së botës do të përfshihet në rrjetin e lëvizshëm, por gjatë kësaj periudhe, shumë tregje do të jenë në gjendje ngopjeje dhe do të ngadalësohet rritja e numrit të përdoruesve të rrjetit të lëvizshëm. Në këtë rrethanë, operatorët e telekomunikacionit kanë nevojë për modelin e ri tregtar, teknologjinë e re të internetit si dhe mjedisin e ri ekologjik digjital, në balancim të ngadalësimit të rritjes. Lidhur me zhvillimin e teknologjisë 5G, kryeekzekutivi i kompanisë kineze Huawei, Guo Ping u shpreh:
"5G do të jetë një sfidë e madhe për shkak të pasigurisë që shkakton vënia në funksionim paralel të teknologjisë së re dhe modelit të ri tregtar. Gjatë periudhës kalimtare të dixhitalizimit, Huawei nuk mund të humbë shansin e tregut dhe do të bëjmë përgatitje të plota."
Vitet e fundit, në Kongresin Botëror të Telefonisë së Lëvizshme kanë marrë pjesë gjithnjë e më shumë kompani kineze dhe produktet e tyre të reja kanë ngjallur shumë interes. Ndërmarrjet kineze e konsiderojnë këtë kongres si platformë të rëndësishme për demonstrimin e potencialit kompleks dhe për zgjerimin e shërbimeve në botë.
Në edicionin e sivjetshëm, Huawei prezantoi tabletin "Matebook", duke shpallur hyrjen në qarqet e prodhimit të kompjuterit. Edhe gjigandi tjetër kinez ZTE prezantoi celularin e ri 5G si dhe projeksionin portativ. Krahas këtyre, edhe kompani të tjera kineze, si TCL, MI, LeTV publikuan përkatësisht produkete terminali të lëvizshme. Analistët janë të mendimit se kompanitë kineze kanë teknologji gjithnjë e më të pjekur të telefonisë së lëvizshme si dhe epërsi të madhe në raportin cilësi-çmim, prandaj smartfonët kinezë dhe produktet e telefonisë së lëvizshme do të zënë vend të rëndësishëm në tregun aziatik dhe atë euro-amerikan. Analisti britanik i tregut të produkeve të terminaleve të lëvizshme, David Moston komentoi:
"Iphone dhe Samsung mbeten pionierë të tregut botëror, por Huawei, ZTE, TCL dhe marka të tjera kineze po fuqizohen dita ditës dhe do të sjellin konkurrencë më të ashpër në tregun ndërkombëtar."
Kongresi Botëror i Telefonisë së Lëvizshme, i organizuar nga Shoqata Globale të Sistemit të Telefonisë së Lëvizshme, është një nga platformat më kryesore të telefonisë së lëvizshme në botë. Ai nisi në vitin 1995 në Madrid dhe më vonë u shpërngul në Kanë të Francës dhe qysh nga viti 2006 zhvillohet çdo vit në Barcelonë. Në edicionin e sivjetshëm, numri i pjesëmarrësve dhe të vizituesve arriti në 100 mijë. (Wang Lei)