Kryeministri britanik David Cameron shpalli 23 qershorin si datën e zhvillimit të referendumit për shkëputjen apo jo të vendit nga Bashkimi Europian. Të hënën pasdite, David Cameron mbajti fjalim në Dhomën e Përfaqësuesve për t'i njohur parlamentarët me marrëveshjen e reformës së Bashkimit Europian, duke kërkuar përkrahjen e tyre për qëndrimin e Britanisë. Ai theksoi se Bashkimi Europian ka rënë dakord për t'i dhënë Britanisë një status të posaçëm ndaj dhe vendi duhet të qëndrojë në BE-në e reformuar. Sipas Cameronit, qëndrimi në Bashkimin Europian do të sigurojë fuqizimin e Britanisë.
Lidhur me këtë, dy kampet pro "qëndrimit në Bashkimin Europian" apo "daljes nga Bashkimi Europian" zhvilluan një debat të ashpër në parlament rreth temave të sigurisë kufitare, të pavarësisë dhe sovranitetit, të emigrantëve, të zhvillimit ekonomik, të shpërndarjes së mirëqenies sociale etj. David Cameron tha i emocionuar në debat se ai nuk do të kandidojë më për postin e kryeministrit, por i vetmi qëllim i tij janë interesat e Britanisë. "Pavarësisht zgjedhjes që do të vendosim, jemi Britania e Madhe. Por jam i bindur se qëndrimi në Bashkimin Europian do ta fuqizojë më tej Britaninë, përndryshe gjithçka do të bjerë në paqartësi," tha Cameron.
Duke folur për sigurinë kufitare, shumë parlamentarë që përkrahin shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian theksuan se tani mijëra ekstremistë islamikë ndodhen në Europë dhe nëse Britania vazhdon të qëndrojë në Bashkimin Europian, do të përballet me sulme terroriste. Por ministrja e Punëve Civile Teresa May që përkrah qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Europian u shpreh se Britania nuk do të marrë pjesë në marrëveshjen e Shengenit, prandaj e drejta e kontrollit të kufijve është gjithmonë në dorën e saj.
Në lidhje me problemin e sovranitetit, kryeministri David Cameron u shpreh se marrëveshja e reformuar me Bashkimin Europian bën lëshime për pakësimin e mirëqenies sociale ndaj emigrantëve të huaj dhe të kontrollit të numrit të emigrantëve në Britani, njëkohësisht Britania nuk do të marrë pjesë në procesin e mëtejshëm të integrimit politik të Bashkimit Europian.
Për problemin e emigrantëve, udhëheqësi i Partisë Laburiste Jeremy Korbyn që përkrah qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Europian tha se emigrantët e huaj kanë dhënë kontribut të madh për zhvillimin ekonomik të vendit dhe nuk duhet të zmadhohet në mënyrë të njëanshme ndikimi negativ i tyre mbi shoqërinë britanike.
Krahas këtyre, një tjetër parlamentar paraqiti mendimin se nëse Britania vendos të shkëputet nga Bashkimi Europian pas referendumit të qershorit të këtij viti, mund të zhvillohet një referendum i dytë për këtë çështje. Por kryeministri Cameron e përjashtoi këtë mundësi.
Ylli në arenën politike britanike, kryetari i Bashkisë së Qytetit Londër Boris Johnson shprehu qartë qëndrimin e tij për daljen nga Bashkimi Europian duke sjellë përçarje brenda Partisë Konservatore për këtë çështje, ndonëse prej kohësh kjo parti përballej me përçarje. Para zgjedhjeve të përgjithshme vitin e kaluar.Cameron premtoi se nëse rizgjidhej, do të organizonte referendumin për shkëputje apo jo të Britanisë nga Bashkimi Europian. Premtimi është taktikë e zgjedhjeve, sepse atë kohë përkrahësit e djathtë në Partinë Konservatore kishin mosmarrëveshje me të për çeshtjen e Bashkimit Evropian. Për të siguruar mosshkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian në referendum, javën e kaluar në Bruksel, David Cameron bëri të gjitha përpjekjet për promovimin e projektit të tij të reformës së Bashkimit Europian duke fituar përkrahjen e BE-së. Megjithëkëtë, konservatorët pro shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Europian dhe partitë e djathta britanike nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre. Sipas BBC-së, rreth 1/3 e parlamentarëve nga Partia Konservatore përkrahin shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Ndaj paqartësisë së perspektivës së Britanisë së Madhe në BE reaguan të hënën dhe tregjet e aksioneve. Kursi i këmbimit i paundit me dollarin u ul me 2.1% duke shënuar rënien më të madhe që nga marsi i vitit 2009. Analistët vunë në dukje se mosmarrëveshjet midis politikanëve britanikë për çështjen e shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Europian kanë tejkaluar parashikimin e tregut. (Fani)