PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Qendra e arteve Kenedi kremton Vitin e Ri kinez
2016-02-16 10:47:49 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas kalendarit bujqësor të Kinës kemi hyrë në vitin e Majmunit. Me rastin e Vitit të Ri kinez, Qendra e Arteve Kenedi në Uashington organizoi një veprimtari festive katërditore. Qendra e Arteve Kenedi, e njohur ndryshe si "Qendra kulturore e SHBA-së", organizon për herë të parë një veprimtari festive me rastin e Vitit të Ri kinez.

Në veprimtarinë me titull "Ditë familjare me rastin e Vitit të Ri kinez", mijëra prindër amerikanë sollën fëmijët e tyre në Qendrën Kenedi për të mësuar rreth kulturës tradicionale të Kinës dhe për të shijuar atmosferën e Festës së Pranverës . Vizituesit amerikanë në këtë aktivitet provuan artin e kaligrafisë dhe të vizatimit sipas traditës kineze, bënë fotografi me personazhin e famshëm të Operas Kineze, mbretin Majmun, mësuan artin e prerjes së letrës dhe krijimin e dhuratave artizanale si nyjë kineze, madje disa prej tyre u veshën dhe me kostumin e Operës së Pekinit.

Kristine Rosen e ardhur nga shteti Virxhinia solli djalin e vajzën në Qendrën Kenedi për të mësuar rreth kulturës kineze dhe shprehu kënaqësi për këtë veprimtari interesante:

"Kultura kineze është shumë e bukur, fëmijëve u pëlqen shumë."

"Dita familiare" është një nga veprimtaritë festive me rastin e Vitit të Ri kinez, e organizuar në Qendrën Kenedi, por krahas kësaj u zhvilluan edhe disa shfaqje artistike të operës kineze, koncerte etj. Presidentja e Qendrës së Arteve Kenedi Deborah Ruter u shpreh se organizimi i veprimtarisë kremtuese me rastin e Vitit të Ri kinez në këtë qendër ishte një ëndërr e saj prej shumë kohësh:

"Jam vërtet shumë e emocionuar. Kur erdha në Qendrën Kenedi para shumë vjetëve më lindi dëshira për të organizuar këtu kremtimin e Vitit të Ri kinez. Tani ëndrra ime u realizua dhe jam shumë e gëzuar për këtë. Qendra e Arteve Kenedi është qendra kulturore e SHBA-së dhe mbledh të gjitha kulturat globale, duke i bërë ato të njohura për vizitorët. Festa e Pranverës e Kinës është një festë e rëndësishme vjetore në botë, pasi çdo vit shumë njerëz e kremtojnë këtë festë, ndaj edhe ne duhet të bëhemi pjesë e saj ."

Sipas Deborah Ruter, Qendra e Arteve Kenedi prej 18 muajsh është marrë me përgatitjet e kësaj veprimtarie festive me rastin e Vitit të Ri kinez, me qëllim që të shfaqet sa më mirë kultura tradicionale e Festës së Pranverës. Si rezultat, veprimtaria tërhoqi shumë vizitues amerikanë dhe u përshëndet prej tyre. Me rastin e "Ditës familiare", herët në mëngjes shumë amerikanë erdhën në Qendrën Kenedi për të marrë pjesë në aktivitet. Në teatrin ku u zhvillua koncerti i grupit muzikor "Jimuyu" kapaciteti është për 200 shikues, por atë ditë u mblodhën këtu 800 spektatorë . Deborah Ruter u shpreh se vitin e ardhshëm, Qendra Kenedi do të vijojë të organizojë veprimtarinë kremtuese me rastin e Vitit të Ri kinez duke zgjeruar përmasat e saj.

Këshilltarja kulturore e Ambasadës së Kinës në SHBA Li Hong u shpreh se organizimi i veprimtarisë kremtuese me rastin e Festës së Pranverës në Qendrën e Arteve Kenedi ka rëndësi të madhe:

"Qendra e Arteve Kenedi është një pallat elegant artistik me famë, ndaj zhvillimi këtu i veprimtarisë kremtuese me rastin e Festës së Pranverës ka ndikim të madh dhe tërheq një publik më të madh."

Li Hong shtoi se pjesëmarrja në këtë veprimtari është një rast i mirë për artistët kinezë, të cilët promovojnë kulturën, artet si dhe shkëmbejnë përvojë apo njihen nga publiku i huaj . (Fani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China