20160207vitineri |
8 shkurti është Festa e Pranverës, Viti i Ri Kinez. Sot, darka e vigjiljes është momenti më i rëndësishëm për kinezët për bashkimin e familjes. Cila është menuja e darkës së Vitit të Ri Kinez ? A ka të reja nga kjo darkë ? Si e kalojnë Festën e Pranverës kinezët përtej detit?
Në programin e sotëm, do t'ju flas për blerjet e kinezëve për Vitin e Ri.
Ushqime të freskëta, blerjet më kryesore
Në Hokaido të Japonisë, i njohur si zona më e madhe e peshkimit në botë, troftat e sapozëna transportohen pandërprerë drejt Kinës, nëpërmjet logjistikës së uebsajitit Womai. Trofta, dikur e pamunguar në tryezat e japonezëve për Vitin e Ri, tashmë në sajë të shërbimeve të "blerjes së drejtpërdrejtë jashtë vendit" është bërë pjesë e tryezës festive të Vitit të Ri edhe për kinezët.
Ushqimet e freskëta janë pjesa më kryesore ndër blerjet e kinezëve për Festën e Pranverës. Sot, në sajë të "blerjes së drejtpërdrejtë jashtë vendit" nëpërmjet internetit, kinezët mund të furnizohen me më shumë ushqime të freskëta përtej detit. Gjatë të dhënave të uebsajitit Womai zbulohet se kinezët në Veri parapëlqejnë mishin e derrit dhe nënproduktet e qumështit, ata në Lindje preferojnë peshqit, gaforret dhe gatimet me oriz, kinezët e Jugut perimet dhe frutat, ndërsa ata të Veriperëndimit janë të dhënë pas mishit të qengjit dhe viçit si dhe prodhimeve të grurit. Kundrejt karakteristikave të krahinave të ndryshme, Womai ofron dhe artikuj të ndryshëm të huaj për Vitin e Ri Kinez. Në krahasim me vitet e kaluara, konsumi i sivjetshëm i kinezëve për artikujt e huaj të Vitit të Ri karakterizohet nga cilësia e lartë dhe shumëllojshmëria. Konsumatorët kinezë u kushtojnë më shumë vëmendje cilësisë së ushqimeve. Qershitë nga Kili, qumështi nga Gjermania, trofta e vjeshtës e Hokaidos, peshku Gadus i Alaskës, mish i viçit i Australisë, këto janë ushqimet e freskëta të huaja, më të preferuara nga konsumatorët kinezë.
Me shtimin e numrit të familjeve të klasës së mesme, kinezët po ndryshojnë gradualisht strukturën tradicionale të konsumit. Nga njëra anë, shpenzimet për ushqime zënë përqindje gjithnjë e më të ulët kundrejt shpenzimeve të përgjithshme të familjes dhe nga ana tjetër, njerëzit preferojnë produkte me cilësi të lartë dhe veçanërisht ato të huaja, si ushqime të freskëta, qumësht pluhuri të formulës për foshnjat etj.
Krahas ushqimeve, edhe produktet e huaja elektronike realizojnë shitje të mbara me rastin e Vitit të Ri Kinez. Sipas të dhënave të grupit Alibaba, në Karnavalin e Artikujve të Vitit të Ri, xhiroja e shitjes së Iphonëve u shtua 600% në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë, edhe produktet dixhitale si roboti i mençur i pastrimit, pajisja e mençur akustike etj. janë të preferuara nga konsumatorët.
Blerja e drejtpërdrejtë nga afro 100 vende
Me afrimin e Festës së Pranverës, magnatët kinezë të shitjeve nëpërmjet internetit, si Womai, JD, Taobao etj. organizojnë aktivitete të blerjes së artikujve të Vitit të Ri nga mbarë globi, me tema të ndryshme.
Në Karnavalin e artikujve të Vitit të Ri, grupi Alibaba kishte si moto kryesore "dërgimin në fshat të artikujve të Vitit të Ri", duke bashkërenduar degët e 8 vendeve në uebsajitin Taobao, 8 supermarketet më të mëdha të botës, 8 "shopping mall" më të mëdha në botë dhe 8 plaza pa taksa doganore të globit. Zv.presidenti i grupit Alibaba, Sun Lijun tha se nëpërmjet këtij aktiviteti edhe banorët në fshatra do të blejnë artikuj për Vitin e Ri me çmime të arsyeshme dhe me cilësi të lartë, duke u ulur më tej disniveli midis qytetit dhe fshatit.
Edhe në shitjet reale, "blerja e artikujve të Vitit të Ri nga i gjithë globi" është bërë një moto e shitësve. Në Tregun e 6-të Kombëtar të Artikujve të Vitit të Ri, që u zhvillua në Zhengzhou të Kinës qendrore, u mblodhën artikuj pa taksa doganore nga mbi dhjetë vende. Këtu, biskotat e markës "Oreo" ishin ambalazhuar me figurën e majmunit, që është horoskopi kinez i vitit 2016. Në këtë Treg u shitën dhe mjaft çokollata të importuara, si ato të markave të njohura blege Cote D'or, apo zvicrane etj.
Atmosfera e Vitit të Ri Kinez përhapet në mbarë globin
Në kohën kur konsumatorët kinezë blejnë prodhime të huaja ushqimore, kino-amerikani Zhang, banor i Nju Jorkut shijon çajin dhe salcën e specit nga vendlindja e tij, nëpërmjet shërbimeve ndërkufitare të internetit.
"Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, ka qenë gjithmonë e më e lehtë blerja e artikujve ushqimorë kinezë, me rastin e Vitit të Ri. Mbaj mend që në vitet e 80-të të shekullit të kaluar, kur sapo erdha në ShBA për studime, ishte e vështirë të blije uthull apo vaj speci kinez. Por tani, mund të blej këtu pothuajse të gjitha ushqimet dhe erëzat kineze." tha zoti Liu që banon në Çikago.
Artikujt e huaj ushqimorë për Vitin e Ri hyjnë në Kinë, ndërsa ata kinezë shkojnë në vende të tjera, nëpërmjet kanaleve tradicionale të tregtisë së jashtme, apo shërbimeve ndërkufitare të internetit. Si P.Sh. Në rrjetin e shitjeve online Amazon, që u pëlqen më shumë amerikanëve, shiten artikuj të larmishëm për Vitin e Ri Kinez, si fenerë të kuq, zarfa të kuq, zbukurime pranverore etj. Vlen të përmendet se shumë shitës kinezë kanë hapur dyqane interneti në Amazon dhe shesin artikuj të ndryshëm në ShBA e Evropë.
Si një nga lagjet e kinezëve më të mëdha në Evropë, "Chinatwon" në Milano është përfshirë nga atmosfera e Festës së Pranverës dhe këtu mund të gjesh një gamë të gjerë ushqimesh karakteristike për Festën e Pranverës, si doufu (djathë soje), salsiçe kineze, miell etj.
Festa e Pranverës, si trashëgimi e historisë dhe kulturës së kombit kinez po njihet gjithnjë e më shumë nga vendet e ndryshme të botës. Me këtë rast, edhe artikujt tipikë të kësaj feste shiten në mbarë botën dhe preferohen nga popuj të ndryshëm. (Wang Lei)