PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhu Shengpeng: Studimet jashtë dhe përvoja në Shqipëri më bënë ta dua më shumë atdheun
2016-02-05 15:52:28 CRI Komenti juaj Printoni

Zhu Shengpeng është profesor i gjuhës greke pranë Fakultetit të Gjuhëve Perëndimore. Ai u diplomua për greqisht nga Universiteti i Tiranës në vitet 1960 të shekullit të kaluar.

Zhu është i veçantë, sepse pjesa dërrmuese e studentëve kinezë që studiuan në Universitetin e Tiranës mësonin shqip, ndërsa vetëm pesë studentë mësuan gjuhën greke, duke përfshirë Zhu Shengpeng-un. Pas diplomimit, ai u kthye në Kinë dhe filloi punë në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Shangait, ku u hap për herë të parë dega e gjuhës greke. Profesor Zhu është pjesë e grupit të parë të pedagogëve të gjuhës greke, prandaj shumë greqishtfolës janë nxënësit e tij.

Zhu tregon se studimet dhe përvoja e tij në Shqipëri e bënë të ndiejë më shumë dashuri për atdheun.

Gazetarja: Kur i filluat studimet në Shqipëri dhe pse zgjodhët gjuhën greke?

Zhu Shengpeng: Shkova në Shqipëri në vitin 1965. Pse studiova gjuhën greke në Shqipëri? Sepse Kina dhe Greqia vendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 1972 dhe deri në atë vit vendi ynë nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Greqinë. Në Shqipëri ishin kushtet e përshtatshme pasi minoriteti grek zë afro 9 për qind të popullsisë, prandaj Ministria e Arsimit e Kinës na dërgoi të mësonim gjuhën greke në Shqipëri. Atëherë mësova se kryeministri Zhou Enlai parashikonte, nisur nga gjendja ndërkombëtare, se Kina do të hynte në OKB brenda 5 vjetësh, ndaj dhe duheshin përkthyes të nivelit të lartë. Në vitet '60 vite të shekullit të kaluar u zgjedhën shumë nxënës nga shkollat e mesme për të mësuar gjuhë të huaja. Kujtoj se kjo ishte pjesë e strategjisë diplomatike të vendit.

Gazetarja: Ç'menduat kur morët lajmin se do të shkonit në në Shqipëri për studime?

Zhu Shengpeng: U ndjeva krenar. Kur isha 15 vjeç, kishte vetëm tre studentë që u dërguan në ish-Bashkimin Sovjetik për inxhinieri. Në shkollën time u dha rasti për të dërguar nxënës jashtë vendit. Isha shumë i gëzuar dhe krenar. Kjo nuk ishte krenari vetëm për mua, por edhe për shkollën e familjen.

Gazetarja: A bëtë përgatitje në Pekin para nisjes?

Zhu Shengpeng: Kujtoj se në Institutin e Pakicave Kombëtare të Pekinit u formuan shumë grupe. Për shembull në një grup ishin studentët që do të shkonin në Shqipëri dhe në një grup tjetër ata që do të shkonin në Çeki. Çdo grup kishte një drejtues që zakonisht ishte student pasuniversitar në Universitetin e Moskës. Drejtuesi i grupit tonë kujdesej për ne gjatë udhëtimit. Procesi i përgatitjes përfshinte zakonisht rritjen e ndjenjës patriotike e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë lidhej me ideologjinë, ndërsa e dyta nga vizita në disa qytete për të parë zhvillimin e industrisë dhe të bujqësisë pas themelimit të Kinës së Re. Në vitin 1965 gjendja e zhvillimit ishte e mirë, kështu që në zemrat tona u rrit ndjenja patriotike.

Gazetarja: Si shkuat nga Pekini deri në Tiranë?

Zhu Shengpeng: Në atë kohë udhëtuam me tren nga Manzhouli-a në Moskë. Gjatë 7 ditëve e 6 netëve, nuk zbritëm asnjëherë nga treni. Mbaj mend se në vitin 1965, kishte 5 studentë që shkuan në Shqipëri për të mësuar gjuhën greke. U nisëm nga Pekini, nëpërmjet Manzhouli-së, Irkutsk-ut dhe arritëm në Moskë. Qëndruam një javë në Moskë për pushim, pastaj vazhduam për tre ditë e dy netë me tren deri në Budapest. Në fund udhëtuam me avion nga Budapesti deri në Tiranë të Shqipërisë.

Gazetarja: Çfarë kujtimesh veçoni nga periudha e studimeve në Tiranë?

Zhu Shengpeng: Studimi i greqishtes aty shfaqte marrëdhëniet miqësore midis Kinës e Shqipërisë. Nga viti 1965 deri në vitin 1970, pati shumë çështje brenda e jashtë Kinës. Gjatë pesë viteve, e jetova nga afër miqësinë midis Kinës e Shqipërisë. Dëshiroj të falënderoj qeverinë e Shqipërisë dhe Universitetin e Tiranës që krijuan kushte të mira për ata që mësonim gjuhën greke në Shqipëri.

Dihej se Fakulteti i Histori Filologjisë dhe i Gjuhëve të Huaja nuk kishte degë të gjuhës greke. Ndaj pala shqiptare ftoi disa pedagogë që ta hapin atë. Përveç këtyre, ata krijuan mjedisin e përshtatshëm për të mësuar gjuhën. Ndryshe nga studentët kinezë që studionin gjuhën shqipe mund të ushtronin dëgjimin, të folurin, leximin dhe shkrimin në përfundim të studimeve. Por ne nuk e kishim këtë mundësi. Ndaj drejtuesit sollën një student shqiptar të minoritetit grek të banonte me dy studentë kinezë dhe t'ju mësonte gjuhën greke. Gjatë pushimeve verore, organizoheshin vizita në pjesë jugore të Shqipërisë ku banojnë shumë minoritarë. Ndaj ne banonim, hanim dhe punonim së bashku me shqiptarët e minoritetit grek dhe kështu e njoha më mirë kulturën e zakonet e pjesës jugore të Shqipërisë. Kjo gjë na ndihmoi shumë. E gjithë ndihma ishte parashikuar nga drejtuesit e universitetit dhe sektori i kulturës i Ambasadës së Kinës në Shqipëri.

Gazetarja: Si i kujtoni shkëmbimet me pedagogët e studentët e tjerë?

Zhu Shengpeng: Ka disa gjëra që më bënë shumë përshtypje. Së pari, për shkak të studimit në Shqipëri, u takova dy herë me kryeministrin Zhou Enlai, një herë ishte në vitin 1965 në Shqipëri. Herën e tjetër ishte në vitin 1967, kur kryeministri Zhou u takua në Pekin me studentët kinezë që studionin jashtë vendit. Këto janë përvoja të paharruara. Përveç këtyre, dy pedagogë kanë shumë miqësorë ndaj nesh. Një pedagog ishte njëherësh dhe redaktor i Radio Tiranës, ndërsa një tjetër ishte shkrimtar. Në atë kohë, ishim shumë të rinj 18 - 19 vjeç dhe pedagogët kujdeseshin si një prind për ne, jo vetëm në fushën e mësimit, por edhe atë të jetës. Shokët shqiptarë ishin gjithashtu shumë miqësorë. Ata shfrytëzonin çdo rast të flisnin me ne. Me njërin nga shokët shqiptarë u takova para dy vjetësh në Greqi. Bota është e vogël.

Gazetarja: Si u takuat më këtë shok në Greqi?

Zhu Shengpeng: Ai dhe unë kemi disa miq të përbashkët. Një grek e di se e mësova gjuhën në Shqipëri. Ai ka një vajzë shqiptare. Babi i kësaj vajzës është shoku im shqiptar që mësonte së bashku me mua në Tiranë. Jemi takuar një herë në Athinë, ishte gëzim shumë i madh. S'mund ta mendoja se pas aq shumë vitesh, mund ta takoja në Greqi. Më vonë mora vesh se dy pedagogët tanë jetojnë në Greqi, prandaj kam kërkuar nëpërmjet shumë njerëzve, por deri tani nuk kam mundur të lidhem.

Gazetarja: Pas diplomimit në Shqipëri ju dhatë mësim gjuhën greke dhe përgatitët shumë studentë në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Shangait. Çfarë ndikimi ka pasur përvoja juaj në Shqipëri?

Zhu Shengpeng: Kanë kaluar shumë kohë dhe nuk kam menduar për përvojën e studimit në Shqipëri. Të flasim drejt, përvoja e studimeve dhe e të jetuarit jashtë më ka bërë ta dua më shumë vendin tim. Nëse nuk do të ishte themeluar Kina e Re, nuk do të kishte Zhu Shengpeng. Me këtë frymë e kam edukuar edhe vajzën time. (Çang Çuo)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China