20160131IRAN |
Të hënën, presidenti iranian Hasan Rouhani arriti në Romë duke nisur turin e parë të një lideriiranian në Evropë pas heqjes nga Perëndimi të sanksioneve ndaj këtij vendi. Italia ishte stacioni i parë i vizitave të Rouhanit në Evropë, i pasuar nga Franca. Analistët janë shprehur gjerësisht për rëndësinë e këtij turi.
Në një konferencë shtypi pas takimit me Hasan Rouhanin, kryeministri italian Mateo Renzi u shpreh:
"Jam shumë i gëzuar që presidenti Hasan Rouhani zgjodhi Italinë si stacioni i parë i turneut të tij në Evropë pas ndërprerjes së kontakteve mes nesh për shumë vjet. Padyshim që arritja e marrëveshjes së Vjenës është hapi i parë i fillimit të një etape të re, paqësore e të begatë për Iranin e tërë rajonin."
Pas shmangies nga sanksionet ndërkombëtare, Irani shpreson të dalë sa më shpejt nga gjendja e izolimit, të hapë faqen e re të bashkëpunimit diplomatik, ekonomiko-tregtar etj. me vendet evropiane dhe të bëhet një fuqi kryesore në situatën e ndërlikuar në Lindjen e Mesme. Në konferencën e përbashkët për shtyp Hasan Rouhani tha:
"Më parë Irani e Italia kanë patur marrëdhënie të mira bashkëpunimi në shumë fusha, si dhe kemi zhvilluar dialogun konstruktiv për paqen në Afganistan. Tani duhet të vijojmë bashkëpunimin dypalësh për të realizuar paqen e vërtetë në Lindjen e Mesme. Shpresojmë të shohim një gjendje të qëndrueshme e të sigurtë në Afganistan, Irak, Siri e Libi dhe jemi gati të bëjmë përpjekje të përbashkëta në këtë drejtim."
Italia ka qenë partneri i parë i madh tregtar i Iranit në Evropë. Në vitin 2000, eksportet iraniane në Itali zinin 30% të eksporteve të përgjithëshme të këtij vendi. Për shkak të sanksioneve, vëllimi tregtar midis dy vendeve u pakësua me 1/5. Këtë herë, presidenti iranian Hasan Rouhani drejtoi një delegacion të madh me 6 ministra dhe mbi 120 personalitete të qarqeve politike e tregtare dhe nënshkroi një sërë marrëveshjesh tregtare me palën italiane. Pala iraniane nënshkroi me kompaninë italiane të prodhimit të pajisjeve metalurgjike Danieli kontratën e blerjes së pajisjeve me një vlerë prej 3.7 miliardë eurosh, kontratën e ndërtimit të hekurudhave me grupin italian Gavio me një vlerë prej 4 miliardë eurosh. Delegacioni iranian nënshkroi edhe memorandumin me kompaninë italiane të naftës e të gazit natyror Saipem për ndërtimin e naftësjellësit, me një gjatësi prej 2000 kilometrash. Lidhur me këto, Mateo Renzi u shpreh:
"Nënshkrimi sot i këtyre marrëveshjeve përbën vetëm një pikënisje, por kemi një hapësirë më të gjerë bashkëpunimi në fusha të tjera. Krahas energjisë, do të zhvillojmë bashkëpunimin në fushën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, të investimeve, të infrastrukturës etj."
Stacioni i dytë i turneut të Hasan Rouhanit në Evropë ishte Franca, një partner tjetër tradicional bashkëpunimi i Iranit. Gjatë vizitës, pala iraniane bleu nga kompania Airbus 114 aeroplanë pasagjerësh për të përtëritur aeroplanët e vjetër aktualë . Aeroplanët e blerë përfshijnë A320s, A321s, A330s etj. dhe vlera e kontratës kalon 10 miliardë euro.
Ministri i transportit i Iranit Abas Akhoundi u shpreh se aeroplani i parë Airbus do të dorëzohet në mars. Në të ardhmen, Irani do të blejë 500 aeroplanë pasagjerësh, duke përfshirë 100 aeroplanë të distancës së shkurtër dhe 400 aeroplanë të distancës së mesme e të gjatë, që përdoren në fluturimet ndërkombëtare. "Brenda 5 deri 7 vjetëve, kompania 'Iran Airlines' do të mbulojë të gjitha linjat kryesore të fluturimeve botërore," tha Abas Akhoundi.
Krahas aeroplanëve, delegacioni iranian arriti edhe marrëveshjen e bashkëpunimit me kompanitë automobilistike franceze Peugeot e Renault. Irani ishte tregu i dytë i madh jashtë vendit i kompanisë Peugeot, vëllimi i shitjes së automjeteve Peugeot zinte 1/4 të vëllimit të përgjithshëm të shitjes së automjeteve në tregun iranian. Në vitin 2013, për shkak të acarimit të sanksioneve të Perëndimit ndaj Iranit, kompania Peugeot u tërhoq nga tregu iranian. Bëhet e ditur se këtë herë, kompania Peugeot do të bashkëpunojë me grupin e industrisë automobilistike të Iranit për të ndërtuar një linjë montimi të automobilave dhe investimet në këtë projekt do të arrijnë në 500 milionë euro. (Fani)