20160221GDP |
Sipas të dhënave të publikuara të martën nga Drejtoria Shtetërore e Statistikave e Kinës, në vitin 2015, GDP-ja në vend u rrit me 6.9% duke shënuar nivelin më të ulët në 25 vjetët e fundit. Përqindja e vëllimit të prodhimit të sektorit të shërbimit në GDP kaloi 50%, çka tregon se struktura ekonomike kineze po përmirësohet pandërprerë. Drejtoria Shtetërore e Statistikave nënvizon se ekonomia kineze ka ruajtur gjendjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
Kjo është hera e parë që rritja e GDP-së e Kinës ulet nën 7% në 25 vjetët e fundit. Në vitin 2014, kjo rritje ishte 7.3%. Ndërkohë, ekpsertja e ekonomisë ndërkombëtare pranë Institutit Studimor të Marrëdhënieve Moderne Ndërkombëtare të Kinës, Chen Fengying është e mendimit se rritja 6.9% është një rezultat i mirë:
"Ekonomia kineze shënoi rritjen prej 6.9% në një gjendje të ndërlikuar ekonomike ndërkombëtare. Ngadal[simi I rritjes së ekonomisë globale, veçanërisht ndikoi rritjen e tregtisë ndërkombëtare. Nën sfondin e ndryshimit të mënyrave të rritjes ekonomike në Kinë, arritja e këtij rezultati nuk është një gjë e lehtë."
Në vitin 2015, Kina vijoi të përmirësojë strukturën ekonomike. Përqindja e vëllimit të prodhimit të sektorit të shërbimit në GDP arriti në 50.5%, kjo shifër është 10% më e lartë se sektori i bujqësisë. Përqindja e kontributit të konsumit në rritjen e GDP-së arriti në 66.4% duke u shtuar me 15.4% në krahasim me vitin 2014. Vëllimi i përgjithshëm vjetor i import-eksportit arriti në 24 trilionë e 584 miliardë e 900 milionë juanë dhe u pakësua me 7% në krahasim me vitin 2014. Lidhur me këtë, Chen Fengying thekson:
"Kina është vendi i parë i madh i eksportit në botë. Për shkak të depresionit të tregtisë globale, është pakësuar eksporti i Kinës. Një faktor tjetër me ndikim është çmimi. Vitet e fundit, çmimi i mallrave të mëdha si naftë, minerale etj. është ulur pandërprerë, megjithë shtimin e importit, pagesat janë pakësuar duke shkaktuar uljen e vëllimit të mallrave të importuara."
Pavarësisht kësaj gjendjeje, kontributi i ekonomisë kineze për rritjen e ekonomisë botërore kaloi 25%. Duke parashikuar gjendjen e qarkullimit të ekonomisë kineze në vitin 2016, drejtori i Drejtorisë Shtetërore të Statistikave Wang Baoan thotë:
"Në vitin 2016, ekonomia kineze përballet ende me situatën e ndërlikuar ndërkombëtare. Veçanërisht në sfondin e reformës së strukturës ekonomike, disa sektorë do të vazhdojnë rënien. Por nga ana tjetër, sektorë të rinj dhe modele të reja tregtare do të lulëzojnë, ndaj jam i mendimit se këtë vit, ekonomia kineze do të ruajë rritjen e qëndrueshme."
Të dhënat e rritjes së GDP-së së Kinës në vitin 2015 kanë tërhequr vëmendjen e mediave të vendeve të ndryshme. Agjencia amerikane e lajmeve Bloomberg njoftoi se megjithë ngadalësimin e rritjes së ekonomisë kineze, tregu ka ruajtur qëndrueshmëri, sektorët e konsumit, të shërbimit e të teknikë-shkencës janë zhvilluar mirë. Ka mundësi të ketë paqartësi në treg, por për një kohë të gjatë, perspektiva e ekonomisë kineze është e qëndrueshme.
Gazeta amerikane "The Wall Street Journal" shkruan se sfida e vërtetë e ekonomisë kineze është eliminimi i prodhimtarisë së prapambetur dhe në gjendjen e ruajtjes së tregut të punës, ky është një problem i vështirë që duhet të zgjidhet.
Revista javore britanike "Ekonomist" komentoi se duke patur parasysh kaosin ekonomik në tregjet e reja, vitin e kaluar, rritja ekonomike me 6.9% e Kinës është një rezultat jo i keq.
Në njoftimet e agjencisë së lajmeve Reuters thuhet se rritja 6.9% është një rezultat që mund ta kenë zili vendet perëndimore.
Agjencia e lajmeve japoneze Kyodo u shpreh se përmirësimi i strukturës ekonomike është një pikë e ndritshme në ekonominë kineze në vitin 2015.
Asistent profesori ekonomisë pranë Universitetit Federal të Lindjes së Largët të Rusisë Andrei Kosof u shpreh se në vitin 2015, ngadalësimi i rritjes së ekonomisë kineze përputhet me parashikimin, sepse Kina po zhvillon reformën e thellë ekonomike për të ndryshuar mënyrat e rritjes. Ai shprehu bindjen se modeli i ri i rritjes ekonomike do të sigurojë zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të ekonomisë kineze. (Fani)