20160110FANFU |
Gjatë vitit 2015, Kina forcoi bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit. Në fillim të vitit, grupi qendror i koordinimit të luftës kundër korrupsionit nisi operacionin e koduar "skynet", duke lëshuar urdhrin e kuq të arrestimit të 100 të dyshuarve, të arratisur në mbarë botën dhe duke formuar mekanizmin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh me vende të tjera në luftën kundër korrupsionit.
Më 8 qershor 2015, u ul në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit një aeroplan nga Kamboxhia, me të cilin mbërriti Sun Xin, i arratisur prej 7 vjetësh nga Kina. Suni ishte arkëtari i Drejtorisë së Shtypit të Bashkisë së Pekinit. Duke shpërdoruar detyrën, ai përvetësoi një sasi të madhe parash nga asetet shtetërore dhe pasi u zbulua, u arratis jashtë vendit. Në urdhrin e kuq të arrestimit të 10 të dyshuarve për korrupsion, të publikuar në prill të vitit 2015, Sun Xin ishte i 16-ti.
9 muaj pas lëshimit të urdhër-arrestit, 19 të dyshuar për korrupsion u kapën dhe u riatdhesuan. Në krahasim me të dyshuarit e tjerë, Sun Xini ishte një ndër ata që kishte patur "rol të vogël" në korrupsion. Një muaj pas kthimit të Sunit, u riatdhesua Li Huabo, që dyshohet për përvetësimin e 94 milionë juanëve nga paratë shtetërore, i cili ishte larguar familjarisht në Singapor. Më 18 shtator, me bashkëpunimin e ngushtë të sektorëve juridikë e diplomatikë të Kinës dhe të ShBA-së, u riatdhesua me forcë në Kinë Yang Jinjun, i dyshuar për përvetësimin e parave dhe për mitmarrje, pas një qëndrimi 14 vjeçar në ShBA. Kjo ishte hera e parë që ShBA-ja riatdhesoi në Kinë personin e përfshirë në "urdhrin e kuq". Ca ditë më vonë, u riatdhesua nga ShBA-ja një tjetër i dyshuar për korrupsion, Kuang Meifang.
Prapa "urdhrit të kuq të arrestimit" është një "veprimtari e gjerë".Gjatë vitit 2015, 31 krahina kineze krijuan zyrën e posaçme për kërkimin e të dyshuarve për korrupsion, të arratisur jashtë vendit. Nga qeveria qendrore e deri në administratën lokale, sektorët juridikë, të rendit publik, ato diplomatikë dhe financiarë kanë bashkërenduar veprimtarinë për formimin e një rrjeti të gjerë. Lidhur me këtë, zv/drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar pranë Komitetit Qendror Disiplinor të PK të Kinës Li Yang tha:
"Në operacionin e koduar 'skynet', u zbulua për herë të parë gjendja e përgjithshme e anëtarëve të PK të Kinës dhe e nëpunësve shtetërorë, të arratisur jashtë vendit, u publikua për herë të parë urdhri i kuq i arrestimit të anëtarëve të PK të Kinës dhe nëpunësve shtetërorë, u riatdhesuan për herë të parë dy të dyshuar për korrupsion nga ShBA-ja dhe 4 nga Evropa. Deri tani, gjatë operacionit të koduar 'Skynet' janë arrestuar gjithësej 863 veta nga 68 vende e rajone të botës dhe ndër ta 196 janë anëtarë të PK të Kinës ose nëpunës shtetërorë."
Nga të dhënat del se ndër të korruptuarit që janë arratisur jashtë vendit, gjysma ndodhen në vendet e zhvilluara perëndimore, si ShBA, Kanada, Australi etj. Gjatë një interviste për Radion e Jashtme të Kinës, Liu Jianchao, drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar pranë Komitetit Qendror Disiplinor të PK të Kinës u shpreh se vendet e zhvilluara perëndimore janë në fokus të kërkimit të të arratisurve dhe të parave të përvetësuar nga të dyshuarit për korrupsion dhe këtu qëndron vështirësia e kësaj pune.
"Sistemi ligjor i Kinës është i ndryshëm nga ai i vendeve të zhvilluara, prandaj të dyja palët kanë nevojë për përshtatje ligjore, për integrim, për mirëkuptim dhe për koordinim. Tani edhe këto vende janë të ndërgjegjshme se të arratisurit dëmtojnë jo vetëm interesat e Kinës, por edhe interesat e tyre, ndaj tani kanë vullnet më të fortë për bashkëpunim me ne. Në fakt kemi patur shkëmbime të pandërprera me ShBA-në, Kanadanë dhe Australinë. Si P.Sh., me ShBA-në kemi përcaktuar disa çështje kryesore për bashkëpunimin e ardhshëm ligjzbatues."
Ecurinë e operacionit të koduar "Skynet" e vlerëson studiuesi kinez mbi çështjen e antikorruspsionit nga Universiteti i Pekinit Li Chengyan. Ai është i mendimit se ky operacion ka shërbyer si një përvojë e çmuar për bashkëpunimin e Kinës me vende të tjera, në luftën kundër korrupsionit.
"Në kërkimin e ardhshëm të të arratisurve, do të zhvillojmë studime më të thella në forcimin e bashkëpunimin ndërkombëtar dhe do të diskutojmë më hollësisht me vendet përkatëse për përshtatjen e ligjeve dhe për konkretizimin e Konventës së OKB-së të Antikorrupsionit. Të gjitha këto do të krijojnë një platformë të mirë për hapa të mëtejshëm në kërkimin e të arratisurve jashtë vendit."
Ashtu siç pritet, gjatë vitit 2016 Kina do të vazhdojë të nxitë operacionin e koduar "Skynet", duke forcuar bashkëpunimin me komunitetin ndëkombëtar në luftën kundër korrupsionit.
"Kërkimi i të arratisurve dhe i parave të përvetësuara prej tyre është një hallkë e rëndësishme e frenimit të përhapjes së korrupsionit. Me forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të zvogëlohet edhe hapësira e të arratisurve jashtë vendit." (Wang Lei)