20160110KORE |
Me dekretin e nënshkruar të mërkurën nga udhëheqësi suprem Kim Jong-un u publikua lajmi se Koreja e Veriut zhvilloi me sukses provën e bombës me hidrogjen. Lajmi u shoqërua me reagime të ashpra nga opinioni ndërkombëtar. Çfarë ndikimesh do të sjellë ky veprim mbi zgjidhjen e problemit bërthamor në Gadishullin Korean dhe si parashikohet situata në këtë gadishull?
Në deklaratën e qeverisë koreanoveriore thuhet se Koreja e Veriut përfundoi provën e shpërthimit të bombës me hidrogjen me forcat e veta teknike, duke vërtetuar fuqinë e bombës me hidrogjen me kapacitet të vogël. Në deklaratë thuhet gjithashtu se prova e bombës me hidrogjen shënon fazën më të lartë të zhvillimit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut, duke e renditur këtë vend krahas vendeve që disponojnë bombë me hidrogjen. Sipas deklaratës, prova bërthamore është një masë vetëmbrojtëse, në përballim të forcave armiqësore, me në krye SHBA-në.
Krahas kësaj, pala koreanoveriore deklaron se nuk do të përdorë armë bërthamore si dhe nuk do të zhvillojë transferimin teknik të saj jashtë vendit.
Pas shpalljes nga Koreja e Veriut të suksesit të provës bërthamore, presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye drejtoi mbledhjen e mbrojtjes së sigurisë kombëtare ku u shpreh se Koreja e Jugut do të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të nxitur Korenë e Veriut të mndalë kryerjen e provave bërthamore. Lidhur me këtë ajo u shpreh :
"Pa marrë parasysh paralajmërimet e herëpashershme të komunitetit ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sot Koreja e Veriut zhvilloi provën e 4-të bërthamore. Ky është një provokim i rëndë ndaj sigurisë shtetërore të vendit tonë, që kërcënon jo vetëm të ardhmen e kombit tonë, por edhe paqen e stabilitetin e Azisë Veri-lindore e të botës. Në këtë situatë, komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë sanksione ndaj Koresë së Veriut."
Kina është një vend i rëndësishëm fqinj i Koresë së Veriut. Pas provës bërthamore, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying shprehu qëndrimin e Kinës për këtë ngjarje:
"Kina kundërshton me vendosmëri provën bërthamore të kryer sërish nga Koreja e Veriut. Krijimi i një Gadishulli Korean pa armë bërthamore, parandalimi i përhapjes bërthamore dhe ruajtja e paqes e stabilitetit në Azinë Verilindore janë qëndrimi i vendosur i palës kineze. Ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në Gadishullin Korean dhe në Azinë Verilindore përputhet me interesat e përbashkëta të palëve të ndryshme. Kina i përmbahet objektivit pa armë bërthamore në Gadishullin Korean dhe zgjidhjes së problemit bërthamor në këtë gadishull, nëpërmjet bisedimeve 6-palëshe."
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përmes një deklarate dënoi të mërkurën provën bërthamore të Koresë së Veriut. Në deklaratë thuhet se kjo provë bërthamore shkel dukshëm rezolutat 1718, 1874, 2087 dhe 2094 të Këshillit të Sigurimit, sfidon sistemin e mospërhapjes së armëve bërthamore dhe kërcënon paqen e sigurinë ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit do të hartojë menjëherë një rezolutë të re, lidhur me problemin bërthamor të Gadishullit Korean.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest u shpreh se çdo provë bërthamore e Koresë së Veriut është provokim që shkel rëndë rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nëse Koreja e Veriut vijon veprimet provokuese, ky vend do të izolohet më tej në arenën ndërkombëtare. Ai shprehu shpresën që Koreja e Veriut të ndalojë lëshimin e raketave dhe provat bërthamore, për të kërkuar paqen e stabilitetin në Gadishullin Korean.
Specialisti i çështjes koreane i Shkollës Qendrore të Partisë të Kinës, Zhang Liangui u shpreh se prova bërthamore e kësajhershme e Koresë së Veriut tregon se ky vend po nxit hap pas hapa planin e vet bërthamor dhe do të ushtrojë ndikimin e madh mbi paqen e stabilitetin rajonal.
Prej shumë vjetësh, komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekje të palodhshme për realizimin e një Gadishulli Korean pa armë bërthamore, megjithatë Koreja e Veriut nuk ka ndaluar zhvillimin e provave bërthamore. Duke folur për mënyrën e zgjidhjes së problemit bërthamor në Gadishullin Korean, Zhang Liangui shprehu mendimin se bisedimet 6-palëshe janë mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit, duke shtuar se njëkohësisht komuniteti ndërkombëtar duhet të forcojë më tej sanksionet ndaj Koresë së Veriut. (Fani)