20151227berthamore |
Viti 2015 është i një rëndësie të veçantë për problemin bërthamor të Iranit. Më 14 korrik, gjashtë fuqitë e mëdha, ShBA-ja, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania arritën më në fund marrëveshjen historike për zgjidhjen e gjithanshme të problemit bërthamor të Iranit. Më 15 dhjetor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike miratoi rezolutën për përfundimin e hetimeve 12-vjeçare mbi veprimtarinë e Iranit lidhur me prodhimin e armëve bërthamore dhe kjo organizatë nuk do të zhvillojë më inspektime për prodhim të armëve bërthamore në Iran.
Marrëveshja mbi problemin bërthamor të Iranit do të hyjë në fuqi qysh nga mesit i janarit të vitit 2016, por bazuar në elemente historike e aktuale, për zbatimin e gjithanshëm të kësaj marrëveshjeje nevojiten përpjekjet e palëve të ndryshme.
**********
Marrëveshja do të kufizojë programin bërthamor të Iranit për përdorimin vetëm për qëllime paqësore dhe njëkohësisht, komuniteti ndërkombëtar do të heqë sanksionet ndaj Iranit. Presidenti i Iranit Hassan Rouhani është i mendimit se po hapet një faqe e re në histori.
"Ndodhemi në një moment kyç historik. Gjatë 12 vjetëve të kaluar, një pjesë vendesh të mëdha krijuan iluzione dhe i përhapën në opinionin publik. Por tani po hapet një faqe e re. Për zgjidhjen e problemit bërthamor ekziston një rrugë më e shkurtër dhe me kosto më të ulët."
Me zbatimin e marrëveshjes dhe me heqjen e sanksioneve të OKB-së dhe vendeve perëndimore ndaj Iranit për naftën bruto, janë shfaqur shumë opinione se ekonomia e Iranit do të hyjë në rrugën e zhvillimit të shpejtë. Si e vetme "ekonomi e madhe, e pa integruar në sistemin global" dhe si një treg i madh me popullsi prej 78 milionë banorësh, Irani ofron shance të mëdha për ndërmarrjet e huaja.
Por nuk mund të mohohet se si pasojë e uljes së vazhdueshme të çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, ekonomia e Iranit, që sapo la pas inflacionin e ashpër, e ka të vështirë të shkëputet nga mungesa e fondeve, brenda një kohe të shkurtër. Nga ana tjetër, me disnivelin e madh të të ardhurave në shoqërinë iraniane, qytetarët e thjeshtë nuk kanë potencial të madh konsumi, ashtu siç pritet nga ndërmarrjet perëndimore. Ekonomisti iranian Saeid Leylaz shprehet se heqja e sanksioneve nuk nxit zhvillimin e ekonomisë së Iranit, ndërsa elementet kyçe do të jenë ndryshimi i strukturës industriale, pakësimi i mbështetjes te industria e naftës, nxitja e investimeve te konsumi i brendshëm dhe ulja e nivelit të korrupsionit.
"Ekonomia e Iranit ndodhet në gjendje shumë të vështirë, jo vetëm si pasojë e sanksioneve, por edhe e administrimit jo të duhur. Shumë faktorë kanë ndikuar negativisht mbi tërheqjen e investimeve të huaja nga Irani. Për të zgjidhur këtë problem, ekonomia iraniane duhet të ngjallë, së pari interesin e investitorëve vendës."
************
Nga ana politike, nënshkrimi i marrëveshjes së gjithanshme i jep Iranit statusin e vendit të madh rajonal. Kjo nënkupton hapjen e derës së paqes në Lindjen e Mesme apo jo?
Në një farë mënyre, marrëveshja mbi problemin bërthamor të Iranit u arrit me përpjekjet dhe kompromis të palëve të ndryshme. Ajo dëshmon vullnetin e Iranit për shkëputjen nga sankionet dhe nuk mund të ndahet nga lëshimet e qeverisë amerikane në objektet e pasurimit të uraniumit, heqjen e sanksioneve e të inspektimit. Studiuesi kinez mbi çështjet e Lindjes së Mesme Li Shaoxian është i mendimit se kjo marrëveshje përputhet në përgjithësi me interesat globale të ShBA-së dhe është produkt i rregullimit të strategjisë së saj në Lindjen e Mesme.
"Pas vitit 2003, Irani ka pasur ndikim gjithnjë e më të madh. Veçanërisht qysh nga viti 2011, Lindja e Mesme është prekur nga tronditje të vazhdueshme, të cilat kanë prishur rendi politik në Irak e në Siri. Njëkohësisht, influenca e ShBA-së në këtë rajon është dobësuar. Në këto kushte, ShBA-ja rregulloi politikën e saj në Lindjen e Mesme dhe kësisoj lindi Marrëveshja e problemit bërthamor të Iranit."
Veçanërisht në goditjen e organizatave ekstremiste, si Shteti Islamik, Talibani i Afganistanit etj., ShBA-ja dhe Irani kanë interesa të përbashkëta. Në tetor të këtij viti, Irani mori pjesë në konferencën ndërkombëtare mbi problemin e Sirisë me ftesën e palës ruse , veprim që u përshëndet dhe nga ShBA-ja. Profesori i politikës ndërkombtëare i Universitetit të Teheranit, Ma Randy është i mendimit se komuniteti ndërkombëtar është i ndërgjegjshëm që zgjidhja e problemit të Sirisë nuk ndahet nga pjesëmarrja e Iranit, por nuk pritet që Irani të përmirësojë në të ardhmen e afërt marrëdhëniet me ShBA-në .
*********
Tani në Lindjen e Mesme është formuar gradualisht i ashtuquajturi "Brez i Shi-itëve në formën e Hënës së Re", me Iranin si qendër ku përfshihen Libani, Siria, Iraku dhe Jemeni. Në tribunën politike të Iranit, midis franksionit të fortë konservator dhe atij të moderuar ka divergjenca të mëdha, lidhur me politikën ndaj ShBA-së dhe kjo ndikon që marrëdhëniet amerikano-iraniane të mos përmirësohet në një kohë të shkurtër.
Në tetor dhe në nëntor Irani bëri dy eksperimente të lëshimit të raketave, si dhe është afruar gjithnjë e më shumë me Rusinë. Të gjitha këto pasqyrojnë alternativën e Iranit për interesat e veta dhe për rrugën e zhvillimit.
Në nëntor, presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Iranin pas 8 vjetëve. Krahas heqjes së ndalimit të eksportit të teknologjive bërthamore, pala ruse do t'i dorëzojë Iranit sistemin e raketës tokë-ajër të tipit s-300, me rreze të mesme e të largët, në vitin 2016. Kontratat ushtarake midis dy vendeve kanë një vlerë prej 1 miliardë dollarë amerikanë. Studiuesi kinez mbi çështjet e Rusisë dhe të Azisë Qendrore, Li Lifan thotë se Rusia dhe Irani kanë nevojë për njeri-tjetrin.
"Rusia dhe Irani kanë marrëdhënie tradicionale, duke përfshirë bashkëpunimin energjetik. Rusia shpreson ta armatosë Iranin dhe ta bëjë një pol në Lindjen e Mesme, që të barazpeshojë vendet perëndimore."
Opinioni publik është i mendimit se rezultati më i rëndësishëm i marrëveshjes së problemit bërthamor të Iranit është mbrojtja e sistemit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore. Irani ka premtuar që të mos zhvillojë armët bërthamore dhe njëkohësisht ka fituar të drejtën e përdorimit të energjisë bërthamore, për qëllime paqësore. Edhe marrëdhëniet midis Iranit dhe palëve kanë hapur një faqe të re. Zbatimi i gjithanshëm i kësaj marrëveshjeje varet jo vetëm nga vullneti i Iranit, por edhe gara midis fuqive botërore dhe rajonale. Pavarësisht nga të gjitha vëshitirësitë në të ardhshmen për zbatimin e marrëveshjes, të gjitha palët po presin ardhjen e pranverës. (Wang Lei)