20151227wumai |
Në konferencën e ndryshimit të klimës të OKB-së të zhvilluar pak kohë më parë në Paris, u arritën një sërë rezultatesh duke përfshirë marrëveshjen e Parisit me një rëndësi të madhe historike për procesin e përballimit ndërkombëtar të ndryshimit të klimës. Të mërkurën, përfaqësuesi i posaçëm i Kinës për çështjen e ndryshimit të klimës Xie Zhenghua u shpreh në Pekin se marrëveshja e Parisit i përmbahet parimit të përgjegjësisë së përbashkët dhe me dallime dhe përbën një kthesë historike në procesin e përballimit të ndryshimit të klimës. Nëse realizohet objektivi i Kinës i përballimit të ndryshimit të klimës, niveli i ndotjes do të ulet me 42%.
Në konferencën e shtypit të organizuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës, Xie Zhenghua shprehu mendimin se marrëveshja e Parisit është e barabartë, e arsyeshme dhe gjithëpërfshirëse:
"Problemi i fondeve që tërheq shumë vëmendjen e vendeve në zhvillim pasqyrohet në rezultatet e konferencës. Marrëveshja e Parisit u kërkon vendeve të zhvilluara të përkrahin me fonde vendet në zhvillim, duke nxitur kapitalet private të hyjnë në tregun e ndryshimit të klimës. Sipas marrëveshjes, para vitit 2020, vendet e zhvilluara duhet të japin në vit 100 milionë dollarë fonde, në përkrahje të vendeve në zhvillim dhe pas vitit 2020, kjo shumë pritet të shtohet më tej. Duhet të themi se kjo marrëveshje jo vetëm autorizon të gjitha vendet të ndërmarrin masat e duhura, por edhe shfaq dallimet dhe do të luajë një rol të rëndësishëm për përbalimin global të ndryshimit të klimës."
Pika kyçe në marrëveshjen e Parisit është që palët e ndryshme nënshkruese duhet të kontrollojnë ngritjen e temperaturës mesatare globale brenda 2 gradëve celsius deri në vitin 2100, duke bërë përpjekje për të kontrolluar temperaturën brenda 1.5 gradëve celsius. Tërë globi do të realizojë sa më parë kulmin e lëshimit të gazit të serrës, duke realizuar barazinë midis lëshimit e thithjes natyrore nga viti 2050 deri në vitin 2100.
Marrëveshja e Parisit ka 12 faqe e 29 nene kryesore ku përfshihen objektivat, pakësimi, përshtatja, humbjet, dëmet, fondet, teknologjitë, aftësitë etj. Sipas marrëveshjes, palët e ndryshme do të marrin pjesë në veprimet globale të përballimit të ndryshimit të klimës në formën e vetëkontributit. Në qershor të këtij viti, Kina i paraqiti sekretariatit të Konventës së Ndryshimit të Klimës të OKB-së dokumentin shtetëror të vetëkontributit për përballimin e ndryshimit të klimës. Në dokument paraqiten objektivat e Kinës që deri në vitin 2030, lëshimi i oksidit të karbonit të arrijë kulmin, lëshimi i oksidit të karbonit në GDP të ulet nga 60% deri në 65% në krahasim me vitin 2005, përqindja e energjisë jofosile në konsumin energjetik të arrijë në rreth 20%, vëllimi i rezervës pyjore të shtohet me rreth 4.5 miliardë metra kub, në krahasim me vitin 2005. Xie Zhenghua u shpreh se për të realizuar objektivat e sipërpërmendura, Kina do të marrë shumë masa si rregullimi i strukturës ekonomike e energjetike, ngritja e efektit të përdorimit energjetik, hapja në vitin 2017 e tregut karbonik etj. Krahas këtyre, Kina do të zhvillojë fuqimisht energjinë jofosile, duke përfshirë energjinë bërthamore. Xie Zhenghua thotë:
"Së pari duhet të garantohet siguria e zhvillimit të energjisë bërthamore dhe qeveria kineze ka bërë shumë punë në këtë fushë. Kemi filluar ndërtimin e centraleve bërthamore në krahina bregdetare me kushte dhe teknologjia e energjisë bërthamore po përtëritet nga brezi i dytë në brezin e tretë. Energjia bërthamore duhet të zhvillohet bazuar në gjendjen shtetërore."
Xie Zhenghua shtoi se nëse realizohen objektivat e përballimit të ndryshimit të klimës, ndotja në Kinë do të ulet me 42%. Lidhur me këtë ai u shpreh:
"Jam i bindur se me zbatimin real të masave të tanishme të rregullimit të strukturës, të ndryshimit të mënyrës së zhvillimit e të jetesës, mund të zgjidhen problemet e rënda të mjedisit. Edhe vendet e zhvilluara janë përballur dikur me këto probleme që tani janë zgjidhur. Gabimet e bëra nga ne në të kaluarën po na ndëshkojnë, por në të ardhmen duhet të veprojmë siç duhet për të zgjidhur problemet." (Fani)