PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Autoritetet afgane po përpiqen të mbyllin 'Zërin e Kalifatit'
2015-12-23 15:46:23 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet afgane thonë se janë duke u përpjekur për të mbyllur një radiostacion, që dyshohet se është themeluar nga grupi militant, Shteti Islamik në lindje të provincës Nangarhar dhe përhap propagandë kundër qeverisë.

Transmetuesi i njohur si Zëri i Kalifatit, inkurajon afganët e rinj që t'i bashkohen grupit militant dhe të kapin armët kundër qeverisë në Kabul.

Thirrjet e tilla nëpërmjet transmetuesve, kanë shtuar shqetësimin në lidhje të vendit. Gjendja në Nangarhar është përkeqësuar, një gjeneral amerikan tha më herët këtë javë, se aleatët e Shtetit Islamik janë duke u përpjekur për krijimin e bazës rajonale.

Raportet e publikuara javën e kaluar tregojnë se luftëtarët që i janë betuar IS-it, kanë pushtuar territore të reja në Nangarhar.

Zyrtarët thonë se sinjali i radios është i fortë dhe arrin në kryeqytetin e provincës Jalalabad, vend strategjik në afërsi të Vendkalimit Khyber, ku gjendet edhe rruga tregtare më e madhe e transportit madh që lidh Afganistanin me Pakistanin.

Nuk është e qartë se kur kanë nisur transmetimet e kësaj radioje, por Ministria e Telekomunikacionit dhe e Teknologjisë së Informacionit e Afganistanit, tha se provat e para janë gjetur "rreth dy javë më parë"

.

Zëdhënësi Yasin Samim tha se autoritetet "janë duke punuar për të zbuluar vendndodhjen e radiostacionit"

"Kjo nuk është një detyrë e lehtë, duke pasur parasysh mungesën e sigurisë në zonën e paqëndrueshme, që kufizohet me rajonet fisnore të Pakistanit. Ky radiostacion nuk është duke transmetuar nga frekuencat afgane," tha Samim për mediat vendore.

Zëdhënësi nuk i konfirmoi të dhënat e qeverisë së krahinës Nangarhar se Zëri i Kalifatit transmetohet nga Pakistani fqinj.

"Ne duhet të presim derisa kjo të konfirmohet nga ekspertët. Është e mundur që teknika e radiostacionit të jetë siguruar nga një vend fqinj apo mënyrave tjera alternative," shtoi ai.

Megjithatë, zyra e guvernatorit të Nangarharit njoftoi se kanë kërkuar nga konsullata pakistaneze në Jalalabad, që të marrin masa për t'ia ndërprerë transmetimin Zërit të Kalifatit.

"Sipas njoftimeve, kjo radio është duke transmetuar nga ana tjetër e kufirit. Militantët përdorin rrjetet sociale, të tilla si Facebook, me qëllim që të përhapin mesazhin e tyre," tha Asadullah Khugyani.

Autoritetet afgane kanë shfaqur shqetësime në lidhje me shtimin e pranisë së militantëve. Një shpërthim vetëvrasës në muajin prill, në afërsi të një banke në Jalalabad, la të vdekur të paktën 35 veta dhe plagosi mbi 100 të tjerë. Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Shteti Islamik, grupi militant që ka pushtuar territore të mëdha në Siri dhe Irak.

Sulmi vetëvrasës, i pari i pretenduar se është kryer nga grupi militant në Afganistan, shtyu presidentin Ashraf Ghani të paralajmërojë për atë që ai e cilësoi si "kërcënim të tmerrshëm" që vjen nga ekstremistët nga Azia Perëndimore dhe Qendrore.

Komandanti i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, John Campbell, tha javën e kaluar se "luftëtarët e huaj" nga Siria dhe Iraku u janë bashkuar militantëve afganë, të cilët ia kanë dhënë besën grupit IS në Nangarhar.

Campbell tha gjithashtu se ka "të dhëna" se mbështetësit e IS-it në Nangarhar po tentojnë të krijojnë lidhje me udhëheqësit e grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak.

Sipas Campbell-it, aktualisht në Afganistan janë një mijë deri në tre mijë anëtarë aktivë të IS-it. Autoritetet e Nangarharit gjatë muajit nëntor kanë arrestuar 27 studentë në Jalalabad, pas raporteve në media se gjatë një proteste për kushtet e vështira të jetesës në konviktet universitare, ata kanë mbajtur në duar edhe flamuj të Shtetit Islamik.

Grupi militant publikon në internet revistën Debeq në gjuhën angleze, ndërsa në Irak ka edhe një rrjet të radiove që transmetojnë programe në gjuhën arabe, angleze dhe ruse.

Grupi, gjithashtu, shumë shpesh publikon regjistrime të krimeve që kryejnë xhihadistët, duke përfshirë prerjen e kokave të pengjeve, djegien e tyre brenda në kafaze dhe hedhjen e tyre nga ndërtesat.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China