20151216Kozmopolitpj1 |
Sanksionet ekonomike të Rusisë kundër Turqisë kanë dhënë efekte negative për të dy palët, sipas një raporti të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Banka thotë se sanksionet do të reduktojnë rritjen e PBB-së së Turqisë me 0.7 për qind, ndërkohë thuhet se efektet mbi Rusinë do të jenë të kufizuara.
Rusia vendosi sanksione ekonomike ndaj Turqisë menjëherë pasi avioni i saj luftarak u rrëzua në kufirin turko-sirian.
Nga ana e Rusisë, importuesja e veshjeve, Liza Krol, po ndjen peshën e sanksioneve.
"Ky me siguri do të jetë udhëtimi im i fundit dhe kushedi se di do të vijnë kohët, mbase biznesi nuk do të ekzistojë vitin e ardhshëm. Puna mund të vazhdojë, por unë nuk mund të transportoj mallra në Rusi, ashtu si në të kaluarën. Më duhet të përdor shërbimet kargo dhe nuk e di se kur mund të mbërrijnë mallrat."
Turqia ishte partneri i pestë më i madh tregtar i Rusisë këtë vit, përpara vendosjes së sanksioneve. Importet e Rusisë nga Turqia arritën në 3.1 miliardë dollarë nga janari deri në shtator, ndërsa Turqia qarkullonte mallra ruse me vlerë 18.1 miliardë dollarë.
Vitin e kaluar tregtia e Turqisë me Rusinë, kryesisht ushqime dhe tekstile, kishte një vlerë prej 6 miliardë dollarësh. Por këtë vit çdo gjë ndryshoi.
Inna Bolgar, këshilltare shitjesh në një dyqan shumice në Stamboll, thotë se tregtia ra ndjeshëm menjëherë pas incidentit.
"Menjëherë pas rrëzimit të avionit, numri i klientëve ka rënë ndjeshëm. Nëse më parë rënia e numrit të klientëve ishte 20 për qind, tani është 50 për qind. Të gjithë klientët tanë rusë kanë vetëm një pyetje: kur do të rifillojë normalisht shërbimi i kargos? Kur do të fillojmë të punojmë normalisht?"
Giyasettin Eyyupkoca, kreu i Shoqatës Laleli të Industrialistëve dhe Biznesmenëve, thotë se problemi më i madh është ndryshimi i procedurave doganore për mallrat që importohen nga Turqia.
"E dimë sa ka kamionë të mbushur me mallra turke që po presin 10 deri në 15 ditë në doganat ruse. Ky është problemi më i madh me të cilin po përballemi tani, ndërsa është shtuar anulimi i porosive për veshjet. Sepse nuk ka interes për të blerë diçka që nuk mund ta shesësh."
Pavarësisht efektit mbi ekonominë turke, presidenti Recep Tayyip Erdogan i ka nënvlerësuar me arrogancë sanksionet ruse.
"Ata thonë se nuk do t'i blejnë tekstilet turke, se nuk do të blejnë prodhimet turke. Këto janë gjera emocionale. Importet e tyre mbase vlejnë 1 miliard dollarë. Turqia nuk do të thyhet nga kjo. Kujt i bëhet vonë nëse ata blejnë produktet turke apo jo? Fondet do të vijnë nga burime të tjera."
Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se presioni më i madh do të vijë nga energjia, por nënvizon se pengimi i furnizimit me gaz ka shumë pak gjasa që të ndodhë.