PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Misidis dy festivaleve të muzikës
2015-12-11 09:05:16 CRI Komenti juaj Printoni

Nga Klajdi Heta

Festivalet në Shqipëri, mbeten aktivitete kulturore që kritikohen më shumë nga publiku, por dhe nga vetë pjesëmarrësit. Momentalisht Shqipëria ka vetëm dy festivale që u japin mundësi artistëve të pasqyrojnë krijimet e tyre. Aktiviteti më i fundit që sapo u mbyll ishte festivali "Kënga Magjike" që sivjet u rikthye me risinë e të interpretuarit "dal vivo" pra jo me "playback" si në 14 vitet e fundit. Konkurrenca ishte goxha e fortë, por ndryshime pati dhe në krijimtari. Pra sivjet pika më e fortë e pjesëmarrësve ishte vokali dhe jo projekti i regjistruar dhe paraqitja në skenë. Padyshim kjo ka rritur dhe konkurrencën dhe u ka dhënë më shumë emocione këngëtarëve.

Kënga Magjike është një festival që gjithmonë ka shfaqur standarde të lartë në prurjen e këngëve por dhe në organizim. Këngëve u bëhet një promovim goxha i madh në stacione radiofonike, TV dhe në rrjetet sociale. Skenografia e këtij festivali, që menaxhohet nga mjeshtrit e televizioneve italiane është gjithmonë mbresëlënëse, por dhe mënyra e prezantimit është goxha e mirë.

Krahasuar me versionin e regjistruar të këngës që këngëtarët kanë paraqitur në fazën e parë, jo të gjithë tingëllonin aq mirë në fazën e dytë, për të vetmen arsye se ishte Live. Shqipëria ka këngëtarë shumë të mirë, por pjesa e madhe nuk arrijnë të interpretojnë Live për të vetmen arsye se ata nuk e praktikojnë të kënduarin Live. Janë mësuar duke qëndruar pas mikrofonit të studios duke ua besuar zërin qindra teknikave të ndryshme teknologjike për "zbukurimin" e tij.

Në votimet e hapura që u bënë në fundin e festivalit për të përcaktuar fituesin, çdo këngëtar ishte bazuar më tepër në performancën vokale të këngëtarit, të cilët kishin dëgjuar njëri-tjetrin gjatë provave përfundimtare të festivalit. Votimi deri diku ka qenë profesional, pasi tre vendet e para (Aurela Gaçe - Endri Prifti - Juliana Pasha) dhuruan interpretime të shkëlqyera shoqëruar nga këngë të fuqishme, por padyshim vëreheshin dhe shkëmbimet e votave "me mik" mes këngëtarëve, fakt i cili nuk u prit mirë nga publiku (unë isha prezent në sallë dhe reagimet ishin shumë negative).

Për mua personalisht festivalin duhet ta fitonte Juliana Pasha. Dhuroi një performancë spektakolare dhe kishte një krijim fantastik. Nuk isha dakord me pjesëmarrjen e Aurela Gaçes pasi sipas traditës ajo duhet të interpretonte këngën fituese të vitit të shkuar në hapjen e natës finale. Nuk ka një rregullore të shkruar që këngëtarja fituese e festivalit nuk mund të marrë pjesë vitin tjetër, por dhe vetë këngëtarja e tha që nuk do rikthehej më në festival për 10 vite me radhë pasi dhe ajo u ndje shumë në siklet nga kjo fitore.

Paralelisht me këtë festival kemi dhe Festivalin e Fundvitit që organizohet nga RTVSH, i cili bën një gjysmëshekull që organizohet. Me ardhjen e festivaleve si Kënga Magjike ose Top Fest, ky aktivitet e ka humbur shkëlqimin e tij për vite me radhë, por besoj se sivjet do të ketë një ndryshim me ardhjen e zoti Elton Deda si drejtor artistik.

Festivali i Këngës zgjat tre net. Artistët i paraqesin këngët e tyre dhe direkt gjykohen nga paneli i jurisë. Nuk mendoj se "15 minuta publicitet" vlejnë për të gjykuar interpretimet e tyre. Sivjet kjo gjë ka ndryshuar, pasi Z. Deda e ka parë të arsyeshme që krijimet të publikohen që një muaj më përpara në rrjete sociale dhe në radio. Kjo është një gjë shumë pozitive, sepse i jep mundësinë publikut të njihet me këngët e këtij aktiviteti, dhe të ketë një motiv që ai ta ndjekë festivalin në të tria netët, për të dëgjuar dhe se si do të interpretohen këngët Live.

Në këtë edicion ka prurje goxha të mira, dhe krahasuar me vitet e shkuara, dominojnë artistët e rinj që kanë dalë nga talent show të ndryshme. Festivali i Këngës ka një përgjegjësi më shumë, që shoqërohet nga një orkestër profesioniste, dhe kjo nxjerr në pah aftësitë e vërteta të këngëtarëve për të interpretuar.

Publiku gjithmonë ka komentuar vetëm këngën fituese, e cila bashkë me këngëtarin, kanë një rol kyç, pasi do përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision, por mendoj se sivjet do ketë një interes më të lartë nga publiku, pikërisht për ato dy arsye që përmenda më përpara. Një promovim i mirë sjell gjithmonë rezultate të kënaqshme.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China