20151129xijinping |
Në prag të fundit të vitit 2015, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping do të nisë përsëri turnetë jashtë vendit. Më 29 e 30 nëntor, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Ndryshimit të Klimës në Paris, të Francës. Më 1 e 2 dhjetor, Xi Jinping do të kryejë një vizitë shtetërore në Zimbabve, ndërsa nga 2 deri më 5 dhjetor ai do të vizitojë Afrikën e Jugut, ku do të marrë pjesë në Forumin e bashkëpunimit kino-afrikan ,në Johannesburg.
Konferenca e Ndryshimit të Klimës i OKB-së në Paris zhvillohet në një moment kyç, ndërsa turneu në Afrikë i kreut të shtetit të Kinës , Xi Jinping konsiderohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës si vizita e nivelit më të lartë dhe më e rëndësishme e një udhëheqësi kinez në Afrikë, vitet e fundit. Ky turne përbën dhe vizitat e fundit për këtë vit jashtë vendit të presidentit Xi.
Nga 30 nëntori deri më 11 dhjetor, do të zhvillohet në Paris konferenca e 21-të e nënshkruesve të Konventës së Ndryshimit të Klimës të OKB-së. Parashikohet që në këtë konferencë të arrihet marrëveshja e re për sistemin ndërkombëtar të përballimit të ndryshimit të klimës pas vitit 2020, prandaj ky takim ka ngjallur interes të madh dhe deri tani kanë konfirmuar pjesmarrjen 138 kryetarë shtetesh dhe qeverish. Siç mësohet nga zv-ministri i Jashtëm kinez Liu Zhenming, më 30 nëntor, kryetari Xi Jinping do paraqesë në Konferencë qëndrimin e Kinës për sistemimin e klimës globale. Pala kineze pret që me përpjekje të përbashkëta të palëve, Konferenca e Parisit të arrijë rezultate të gjithanshme e të barabarta. Për këtë Liu Zhenming thotë:
"Pala kineze pret të arrihen 4 rezultate në këtë Konferencë. Së pari, të respektohen parimet. Marrëveshja e Parisit duhet të respektojë parimet e Konventës së Ndryshimit të Klimës të OKB-së, veçanërisht parimin e përgjegjësisë së përbashkët, por me dallimet përkatëse. Së dyti, barazia e gjithanshme. Projekti i përballimit të ndryshimit të klimës pas vitit 2020 nuk duhet të fokusohet vetëm në uljen e nivelit të ndotjes, poredhe në problemin e fondeve, të teknologjisë etj. që tërheqin vëmendjen e vendeve në zhvillim. Së treti, Konferenca e Parisit duhet t'i japë botës sinjalin e qartë për zhvillimin drejt karbonit të ulët. Së katërti, dhënia e garancisë. Përkrahja me fonde të mjaftueshme ka shumë rëndësi për përballimin e ndryshimit të klimës."
Gjatë Konferencës, Xi Jinping do të takohet përkatësisht me presidentin amerikan Barak Obama dhe presidentin francez Francois Hollande për të shkëmbyer mendime për marrëdhëniet dypalëshe dhe nxitjen e arritjes së marrëveshjes së Parisit.
Pak kohë më parë, në Paris ndodhën sulmet terroriste, por qeveria franceze ka vendosur të zhvillohet sipas planifikimit Konferencën e nivelit të lartë. Vendet e ndryshme përkrahën qeverinë franceze, duke shfaqur solidaritet në luftën kundër terrorizmit. Liu Zhenming shprehet optimist për Konferencën e Parisit .
Pas Francës, presidenti Xi Jinping do të bëjë vizitë në Zimbabven dhe në Afrikën e Jugut, ku do të marrë pjesë në Forumin e bashkëpunimit kino-afrikan në Johannesburg. Zv-ministri i Jashtëm kinez Zhang Ming , duke komentuar këto vizita shprehet:
"Këtp vizita, veçanërisht Forumi i bashkëpunimit kino-afrikan në Johannesburg do të ketë rëndësi monumentale për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit kino-afrikan dhe thellimin e miqësisë tradicionale dypalëshe."
Forumi i bashkëpunimit kino-afrikan i krijuar në vitin 2000 është një mekanizëm i dialogut kolektiv midis Kinës e vendeve afrikane brenda kornizës së bashkëpunimit jug-jug. Siç bëhet e ditur, në Forumin e Johannesburgut pala kineze do të shpallë një sërë masash në përkrahje të zhvillimit afrikan dhe të thellimit të bashkëpunimit kino-afrikan, për të shpejtuar modernizimin industrial e bujqësor në Afrikë, në dobi të të dy popujve.
Zv-ministri i Tregtisë i Kinës Qian Keming u shpreh se ky Forum do të hedhë bazë të fortë për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare kino-afrikane:
"Kemi hartuar masat e reja në bazë të leverdisë reciproke. Përmbajtja e këtyre masave do të jetë më e pasur se në forumet e kaluara."
Sulmi terrorist i para disa ditëvenë në Mali shkaktoi rreth 30 viktima duke përfshirë 3 shtetas kinezë. Lidhur me këtë, Zhang Ming tha se paqja dhe stabiliteti janë një pjesë e rëndësishme në bashkëpunimin kino-afrikan, ndaj në Forumin e Johanesburgut do të vijojë të diskutohet kjo temë. Ai shtoi se ndër anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina është vendi që dërgon më shumë trupa paqeruajtëse dhe shumica e tyre ndodhen në Afrikë, ku japin një kontribut të madh për ruajtjen e paqes botërore. (Fani)