20151122G20sumit |
Të hënën, u mbyll në Antalya të Turqisë samiti i 10-të i Grupit të 20 Vendeve (G20). Në "Komunikatën e samitit të G20-s" dhe "Deklaratën e samitit të G20-së për luftën kundër terrorizmit " të publikuar pas samitit, G20 vendosi marrjen e masave për të nxitur rritjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme ekonomike dhe u bëri thirrje vendeve të ndryshme të forcojnë bashkëpunimin në goditjen kundër terrorizmit.
Tema kryesore e këtij samiti ishte "Veprime të përbashkëta për rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme". Rreth kësaj teme, udhëheqësit pjesëmarrës diskutuan për dy ditë rradhazi për situatën ekonomike botërore, rritjen gjithëpërfshirëse, reformën e sistemit financiar e monetar ndërkombëtar, tregtinë, energjinë, zhvillimin, luftën anti korrupsion etj.
Në "Komunikatën e samitit të G20-së " vihet në dukje se megjithëse është përmirësuar perspektiva e rritjes në disa ekonomi kryesore, rritja ekonomike botërore është ende e pabarabartë dhe vijon të ulet nga parashikimi, prandaj duhet të zbatohet politika e qëndrueshme makroekonomike për një rritje të fuqishme, të vazhdueshme e të barabartë. Samiti premtoi se do të marrë sa më parë masat për të shpejtuar realizimin e objektivit të rritjes me 2% të GDP-së së vendeve të G20-s në vitin 2018. Pas samitit, presidenti turk Recep Tayip Erdogan tha në konferencë shtypi:
"Do të krijojmë sistemin e gjithanshëm e të fuqishëm mbikëqyrës për të vëzhguar me efikasitet realizimin e objektivit të rritjes me 2% të GDP-së në vitin 2018. Deri tani kemi mbajtur gjysmën e këtij premtimi."
Përsa i përket nxitjes së investimeve, në komunikatë thuhet se do të shtohen pjesëmarrja e kompanive private dhe përkrahja ndaj ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Lidhur me këtë, Recep Tayip Erdogan u shpreh:
"Me zbatimin e strategjisë së investimeve, deri në vitin 2018, do të shtohen në mbarë botën 4.4 trilionë dollarë investime. Investimet në infrastrukturë nuk janë vetëm për plotësimin e burimeve publike, në këtë fushë, bashkëpunimi midis organeve qeveritare e ndërmarrjeve private ka rëndësi shumë të madhe."
Krahas këtyre, udhëheqësit e vendeve të ndryshme në samit premtuan forcimin e dialogut me vendet në zhvillim, me të ardhura të ulta dhe për t'i ndihmuar vendet në zhvillim që të forcojnë aftësinë mbrojtëse ndaj rreziqeve, duke nxitur në mbarë botën sistemin ndërkombëtar të barabartë e modern të taksave.
Samiti i G20-s i këtij viti u zhvillua në një atmosferë kërcënimesh të rënda terroriste. Sulmet e koordinuara të 13 nëntorit në Paris ndikuan që lufta kundër terrorizmit të vihej në fokus të punimeve të samitit. Në "Deklaratën e samitit të G20-së për luftën kundër terrorizmit " të publikuar pas samitit, vendet e ndryshme pjesëmarrëse theksuan forcimin e bashkëpunimit në goditjen kundër terrorizmit, duke premtuar ndërprerjen e burimeve të financimeve për organizatat terroriste dhe forcimin e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacioneve. Deklarata premtoi forcimin e kontrollit të kufijve dhe shpërndarjen e informacioneve, për të parandaluar aktet terroriste. Lidhur me këtë, Recep Tayip Erdogan theksoi:
"Si vende të mëdha ekonomike në botë, vendet e G20-së duhet të mbajnë një qëndrim të fortë në goditjen kundër terrorizmit. Krijimi i lidhjes midis terrorizmit e refugjatëve është veprim që shmang përgjegjësinë. Duhet të bëjmë së bashku përpjekje për të trajtuar siç duhet problemin e emigrantëve dhe terrorizmin dhe nuk duhet të ngatërrojmë këto dy çeshtje. Nevojitet bashkimi për të përballuar së bashku krizën humanitare."
Samiti i ardhshëm i G20-së do të zhvillohet në shtator të vitit 2016 në qytetin Hangzhou të Kinës, kurse samiti i vitit 2017 do të zhvillohet në Gjermani. (Fani)