20151115xima |
Pasditen e 7 nëntorit në hotelin Shangri-La në Singapor u zhvillua takimi i udhëheqësve të të dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit, Xi Jinping e Ma Ying-jeou. Ky është takimi i parë i udhëheqësve të lartë të dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit pas vitit 1949, i konsideruar si takimi i shekullit. Media të vendeve të ndrysme i kanë kushtuar vëmendje të madhe këtij takimi historik. Analistë dhe media tajvaneze theksuan shprehjen e afërsisë dhe qëndrimin e njëjtë të të dy udhëheqësve mbi "Konsensusin e vitit 1992", "Ringjallja e kombit kinez" etj.
Gazeta e Hong-Kongut "Takungpao" botoi kryeartikullin me titull "Takimi Xi-Ma një mesazh i fuqishëm për të ardhmen e dy brigjeve" ku thuhet se rezultati më i madh i takimit Xi-Ma është përcaktimi i drejtimit të zhvillimit të marrëdhënieve midis dy brigjeve, domethënë zhvillimi paqësor. Në takimin e 7 nëntorit, të dy liderët iu referuan historisë së marrëdhënieve midis dy brigjeve dhe shprehën keqardhjen e tyre për dëmet e shkaktuara nga ballafaqimi ndaj bashkatdhetarëve në të dy brigje. Njëkohësisht ata shprehën kënaqësinë për situatën e qetë dhe rezultatet e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit në 7 vjetët e kaluar.
Gjatë takimit, të dy udhëheqësit ritheksuan "Konsensusin e vitit 1992". Lidhur me këtë, nënkryetari i shoqatës studimore të Tajvanit të Kinës Xu Shiquan u shpreh se kjo tregon se të dyja palët respektojnë parimin "Një Kinë" dhe në të ardhmen, marrëdhëniet midis dy brigjeve do të vazhdojnë të zhvillohen në këtë drejtim. Sipas tij, takimi Xi-Ma ka hedhur sërish bazat e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy brigjeve, duke shtuar se nëse Partia Demokratike e Progresive ngul këmbë në "Pavarësinë e Tajvanit", ajo do të mbajë përgjegjësi për pasojat përkatëse.
Xi Jinping tha gjatë takimit se "Zhvillimi 66-vjeçar i marrëdhënieve midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit tregon se pavarësisht se sa prova të rënda kanë kaluar të dy palët dhe se për sa kohë e kanë izoluar njëra-tjetrën, nuk ka asnjë forcë që na ndan. Jemi vëllezër të lidhur prej mishi, pavarësisht kockave të thyera."
Ky fjalim ka prekur thellë zemrën e bashkatdhetarëve në Tajvan. Drejtori i qendrës studimore politike e ekonomike pranë Universitetit të Taipeit, Zheng Youping thotë:
"U emocionova shumë kur pashë takimin midis udhëheqësve të të dy brigjeve, një takim me rëndësi shumë të madhe. Të dy brigjet i përkasin një familjeje, ne jemi vëllezër."
Drejtori i qendrës studimore për pjesën kontinentale pranë Universitetit të Kulturës Kineze të Tajvanit Shao Zonghai i kushton më shumë vëmendje kuptimit të pashprehur me fjalë në fjalimet e dy udhëheqësve. Lidhur me këtë ai thekson :
"Kam gjetur dy pika të njëjta në fjalimet e tyre. Së pari është pikëpamja e tyre politike, domethënë politika e Tajvanit dhe ajo e pjesës kontinentale të nxitura nga dy palët. Të dy udhëheqësit shpresojnë që të ruhet paqja ndërmjet dy brigjeve, duke kërkuar ëndrrën e përbashkët të ringjalljes së kombit kinez. E dyta është 'Konsensusi i vitit 1992'. Xi Jinping-u ritheksoi se 'Konsensusi i vitit 1992' është baza e besimit të ndërsjellë ndërmjet dy brigjeve, por edhe Ma Ying-jeou iu referua konsensusit."
Ndërsa drejtori i qendrës së lajmeve të pjesës kontinentale të gazetës tajvaneze "China Times" Wang Mingyi u shpreh se takimi midis udhëheqësve të dy brigjeve shfaq vendosmërinë e tyre për të ardhmen e kombit kinez.
Ai shtoi se udhëheqësi i Tajvanit, Ma Ying-jeou e kreu shërbimin ushtarak në forcat detare, ndërsa Xi Jinping-u punoi për rreth 20 vjet në provincën Fujian në bregun tjetër të ngushticës së Tajvanit.
"Ata janë shumë të qartë për situatën ndërmjet dy brigjeve dhe është e natyrshme që ata të kenë qëndrim të njëjtë për të ardhmen," tha Wang, ndërsa shtoi se për shkak të qëndrimit e përgjegjësisë së përbashkët, të dy udhëheqësit hapën me guxim një faqe të re të marrëdhënieve midis dy brigjeve. Në fjalimin e Ma Ying-jeou-t të mbajtur në takimin e Singaporit pasqyrohet dëshira e përbashkët të popujve të të dy brigjeve:
"Le të përpiqemi së bashku për paqen dhe të ardhmen e ndritur të popujve në të dy brigjet e kombit kinez," tha Ma. (Fani)