20151116xiaofei |
91.2 miliardë juanë ishte xhiroja ditore më 11 nëntor e "Tmall"-it, plaza online pranë Alibaba-së, magnati kinez i internetit.
Qysh nga viti 2009, kur lindi Festa e 11 Nëntorit për Blerjen Online, gradualisht ajo është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të jetës së konsumatorëve kinezë, por dhe kryefesta e blerjeve online në botë. Gjatë 7 vjetëve, lulëzimi i festës së 11 nëntorit pasqyron dhe rritjen e ekonomisë kineze si dhe vizionin e ri të kohës së internetit në Kinë.
Përvoja 7 vjeçare
Në fillim, 11 nëntori u konsiderua si "dita e beqarëve", një festë popullore për argëtimin e beqarëve dhe beqareve. Në vitin 2009, kur sapo u hap "Tmall", punonjësi i Grupit Alibaba Zhang Yong, që sot është CEO (drejtor ekzekutiv i këtij grupi) ideoi "fabrikimin" e 11 nëntorit, si një festë blerjesh online. "Me humor menduam se në këtë ditë beqarët kanë kohë të lirë, ndaj le ti thërrasim të blejnë online. Nuk e kisha menduar kurrë se kjo traditë do të vazhdonte deri më sot", tha Zhang Yong.
Më 11 nëntor 2009, xhiroja ditore në "Tmall" ishte 52 milionë juanë, shifër kjo e papritur për të gjithët. Më 11 nëntor të këtij viti xhiroja në "Tmall" kaloi 1 miliardë juanë brenda vetëm 72 sekondash. Gjatë këtyre 7 vjetëve, xhiroja e Festës së 11 nëntorit ka shënuar vetëm rritje, mbështetur te zhvillimi i vrullshëm i biznesit online në Kinë si dhe ndryshimi i zakoneve të klientëve.
Sipas të dhënave të fundit nga Raporti i Hetimit të Përdoruesve Kinez të Internetit 2015, tashmë afro 80% të konsumit tradicional të përdoruesve të internetit është zëvendësuar nga konsumi online. Posta Kombëtare e Kinës parashikon se me rastin e Festës së 11 Nëntorit këtë vit, numri i pakove me postën e shpejtë do të kalonte 760 milionë, më shumë se numri i vitit të kaluar prej 540 milionë. Për Festën e sivjetme, Grupi Alibaba shtoi 1.7 milionë postierë, 400 mijë automjete, 5 mijë depo si dhe 200 avionë.
11 nëntori është bërë një ditë e veçantë tregtare dhe pjesëmarrësit nuk kufizohen vetëm në "Tmall" të Alibaba-së, por përfshijnë të gjitha firmat kineze të biznesit online, si JD, Suning, etj. të cilat e shndërrojnë 11 nëntorin në një festë të vërtetë tregtare.
Zigzaget gjatë 7 vjetëve
Duke vlerësuar procesin 7 vjeçar të Festës së të 11 Nëntorit, autori i artikujve financiarë Wu Xiaobo tha se para 7 vjetëve, numri i përdoruesve të internetit në Kinë sapo kaloi 100 milionë dhe blerja online nuk zuri as 2% të vëllimit të përgjithshëm të shitjes me pakicë në mbarë vendin. Atëkohë, krijimi i Festës së 11 Nëntorit erdhi padyshim nga frymëzimi i një talenti i Alibaba-së. "Por gjatë këtyre 7 vjetëve,ka ndryshuar rrënjësisht situata e internetit në Kinë", shtoi Wu Xiaobo.
Me lulëzimin e blerjes online, u dukën dhe probleme të ndryshme.
Në vitin 2010 u shënua rritja e parë e vrullshme në blerjen online në Kinë. Më 11 nëntor të atij viti, dega e postës së shpejtë kineze pësoi për herë të parë bllokimin e depove me mallra dhe logjistika u paralizua. Një pako e thjeshtë, e dërguar në shtëpi me postën e shpejtë zakonisht mbërrin në e 2 a 3 ditë, por në atë rast ajo u vonua një apo disa muaj.
Deri më sot, kompanitë kineze të postës së shpejtë punojnë me përkushtim për "11 nëntorin". Shumë prej tyre filluan përgatitjet qysh nga korriku. Si P.Sh., kompania Zhongtong shtoi mbi 16 mijë postierë të përkohshëm, 4 mijë automjete, ndërsa një tjetër kompani kineze e postës së shpejtë Yuantong shtoi edhe dy avionë mallrash të tipit Boeing 737-300.
Pavarësisht nga trazirat e mëparshme, biznesi kinez online është rritur gjatë 7 vjetëve, duke nxitur përshkallëzimin e logjistikës dhe të teknologjive.
Sivjet, numri i përdoruesve të internetit në Kinë kaloi 2/3 e numrit të të rriturve kinezë. Autori Wu Xiaobo është i mendimit se gjatë 7 vjetëve të kaluar, biznesi kinez online mori fitime nga shtimi i vrullshëm i numrit të përdoruesve të internetit, por në të ardhmen një rritje e tillë nuk do të përsëritet më.
Rruga 7 vjeçare drejt botës
"Për shkak të punës zyrtare, kryeministri nuk mund të marrë pjesë në aktivitetet përkatëse. Kryeministri Li uron dhe inkurajon sukseset e '11 nëntorit' dhe përshëndet të gjitha kompanitë e biznesit online si dhe konsumatorët online. Ai do t'ju vizitojë në një kohë të përshtatshme."
Më 10 nëntor, në uebsajtin e kompanisë Alibaba, Taobao u publikua një fragment i telefonatës midis punonjësit të Zyrës së Kryeministrit Li Keqiang dhe presidentit të kompanisë Alibaba, Jack Ma.
Prapa vëmendjes së madhe të kryeministrit për "11 nëntorin" qëndron shndërrimi i kësaj feste blerjesh online në pjesën përbërëse kryesore të ekonomisë kineze, që është në përshkallëzim dhe hapje e sipër.
"'11 nëntori' është bërë një nga mënyrat e jetesës së konsumatorëve kinezë", tha Jack Ma. Në fakt, "11 nëntori" ndikon jo vetëm në jetën e kinezëve online, por edhe "offline" dhe madje, jashtë Kinës.
Sipas të dhënave statistikore, në aktivitetet e sivjetshme të "11 nëntorit" morën pjesë edhe 180 mijë dyqane reale, që kanë lidhje me "Tmall" si dhe mbi 8 mijë fshatra. Ndërkohë, mbi 70% të porosive vijnë nga telefonia e lëvizshme, si celular, ipad etj.
Globalizimi përcaktohet nga Alibaba si temë kryesore e "11 nëntorit" të këtij viti. Kompania amerikane "Macy's" dhe ajo japoneze e mallrave të konsumit të përditshëm "Kao" arritën marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik me Alibaba dhe hynë në "Tmall" para "11 nëntorit", për të marrë pjesë në këtë festë globale. Këtë vit në "Tmall", mallrat e ardhur nga mbi 5 mijë marka të njohura të 25 vendeve të botës, favorizuan konsumatorët në mbi 200 vende e rajone të botës.
Edhe mediat e huaja pasqyrojnë "11 nëntorin". Në gazetën britanike "The Daily Telegraph" komentohet , "Harrojeni 'Black Friday' e vogël, '11 nëntori' është kryefesta e blerjeve online në botë." Edhe revista amerikane "Bloomberg Businessweek" pranoi se përmasa e "11 nëntorit" është më e madhe se "E Hëna e Internetit" pas Ditës së Falenderimeve në ShBA.
Objektivi për "shit-blerjen globale" e ka nxitur "11 nëntorin" në rrugën drejt ndërkombëtarizimit. Alibaba tha se kompania pranë saj "Cainiao Network" ka krijuar një platformë smart të logjistikës, që përfshin 224 vende e rajone të botës, Islandën, Kilin, vendet ishullore të Paqësorit, Vatikanin etj. dhe mund të trajtojë 4 milionë porosi në ditë.
Vitin e kaluar, Alibaba hyri në tregun aksionar të ShBA-së dhe pati rritje të madhe të vlersë së aksioneve, gjë që tronditi tregun ndërkombëtar. Sot, me konkurrencën gjithnjë e më të ashpër brenda Kinës, kompanitë kineze të biznesit online synojnë tregjet jashtë vendit dhe shpresojnë përsëritjen e suksesit në tregun kinez edhe në tregun botëror. (Wang Lei)