PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Intervistë me Drejtoreshën e Drejtorisë Qendrore të Zyrës së Shërbimit turistik Znj. Majlinda Hafizi
2015-11-06 15:13:07 CRI Komenti juaj Printoni

R.H:

Përshëndetje të nderuar dëgjues të radio"Ejani" 106 FM. Unë jam Raela Hafizi dhe sot do të intervistojmë Drejtoreshën e Drejtorisë Qendrore të Zyrës së Shërbimit turistik, Znj.Majlinda Hafizi.

Sipas "Lonely Planet": Duke kaluar gati gjysmën e shekullit të 20, të izoluar nga pjesa tjetër e botës, Shqipëria mbetet disi një vend i misterit, vetëm kohët e fundit duke e bërë rrugën e saj mbi itineraret e udhëtimit evropian, si një destinacion Offbeat dhe buxhet miqësor.

http://www..com/albania/travel-tips-and-articles/albanian-road-trip-history-behind-the-bunkers#ixzz3pD2BJpid

 

R.H: 1. Nisur nga kjo,çÇ`farë mund të na thoni rreth vlerësimit që i bëhet vendit tone, lidhur me potencialet e turizmit në Shqipëri?

M.H: Shqipëria ka një trashëgimi të pasur dhe të larmishme me vlera të lashta historike dhe kulturore siç janë mikpritja dhe bujaria dhe për këtë dëshmojnë edhe sitet e trashëgimisë kulturore, të cilat janë bërë tashmë edhe pjesë e Trashëgimisë Botërore, krahas bregdetit të mahnitshëm, rivierës shqiptare, që tashmë është bërë e njohur botërisht. Nuk është rastësi që media botërore (New York Times) e rendit në 52 destinacionet turistike më të preferuara për vitin e kaluar, Shqipërinë në vendin e 4-t dhe revista franceze L'Express që e rendit Shqipërinë në 3 destinacionet krysore që duhen vizituar edhe në këtë vit 2015-ën, duke e quajtur si perla e re e Ballkanit.

Natyra me format e saj të larmishme dhe trashëgimia kulturore me mozaikun e saj, janë pikërisht gjeneratorët e turizmit shqiptar. Aktualisht turizmi i bardhë, ekoturizmi, agroturizmi, turizmi kulturor, turizmi malor dhe ai i aventurës janë format kryesore të lëvizjes turistike me mundësi dhe potenciale të mëdha zhvillimi për vendin tonë.

R.H: 2. A mund të na thoni se çfarë ka ndodhur me turizmin në vitet e fundit?

M.H: Sektori i turizmit është një sektor dhe një industri komplekse që nuk mund të zhvillohet as nga një institucion, një njësi vendore, apo ministri, po as edhe nga një qeveri apo mandat qeverisës i vetëm, por do të duhet të krijohet një traditë në vite, e cila duhet të bazohet mbi të gjitha tek mikpritja dhe tek koncepti i përmirësimit të cilësisë së standarteve të shërbimeve, që ndikojnë drejtëpërdrejtë në përmirësimin e imazhit, në rritjen e sigurisë për ata që investojnë si dhe për ata që e vizitojnë vendin, siç janë konsumatorët – turistë me qëllim garancinë e mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Turizmi shqiptar, deri tani, ka operuar në gjendje të "lirë", kaotike, pa standardizime, pa çertifikime, pa klasifikime të shërbimeve dhe operatorëve turistik, dhe kjo na ka penalizuar jo pak. Janë bërë përpjekje nga operatorët privat turistik por ka munguar vizioni dhe vullneti për të strukturuar dhe krijuar një model kombëtar zhvillimi për një turizmi të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, duke i lënë fushë të lirë informalitetit të kësaj industrie, nga e cila mund të gjenerohen mjaft të ardhura, që ndikojnë në rritjen ekonomike të vëndit.

R.H : 3. Si është kuruar imazhi i Shqipërisë dhe shërbimi i ofruar nga industria e turizmit dhe çfarë politikash dhe nismash ligjore janë ndërmarrë deri më tani?

M.H: Turizmi, edhe pse është një kontribues i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, nuk është trajtuar deri tani si një sektor i tillë. Qeveria e re shqiptare e ka shpallur zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të turizmit si një nga prioritetet e Programit të saj 4-vjecar, duke e nominuar me termin "RILINDJA" E TURIZMIT. Synimi kryesor i qeverisë aktualisht është ngritja dhe funksionimi i një sistemi kombëtar menaxhimi për zhvillimin e integruar dhe gjithëpërfshirës të turizmit në Shqipëri.

Nëse i referohemi disa shifrave të cilat janë tepër të rëndësishme për të kuptuar se si është kuruar imazhi i Shqipërisë, mund të themi se numri i vizitorëve krahasuar vitin 2013 me periudhën aktuale të vitit 2015 ose 2013-2014 më saktë, ka një rritje 13,2% për shkak të krijimit tashmë të një tradite dhe të vlerave që ka vendi ynë, klimës, peizazhit të bukur dhe përpjekjeve që po bën sektori privat për përmirësmin e cilësisë dhe shumëllojshmërisë së shërbimeve turistike dhe mbi të gjitha mikpritja dhe interesi i lartë i investitorëve të huaj për të investuar në këtë sektor. Shqipëria është një vend mjaft i mirë për turizëm i renditur në 50 destinacionet më të mira të botës nga "Lonley Planet". Pse jo dhe për shkak të reformave aktuale, ligjore dhe institucionale dhe të përmirësimit të imazhit të saj si destinacion interesant për turizmin apo për investimet e huaja.

Së dyti, të ardhurat nëse krahasohen me 2013-2014, të ardhurat e siguruara nga turizmi janë rritur afëtrsisht deri në 1,3 miliard dollarë. Nëse i referohemi numrit të netë-qëndrimeve të turistëve për këto vite, mund të themi që ka arritur në një rritje mbi 25% numri i netë-qëndrimeve të turistëve, të cilët kanë impaktin drejpërdrejtë në të ardhurat që gjeneron ky sektor. Të gjitha këto janë statistika që sigurohen nga INSTAT-i (Instituti Kombëtar i Statistikave të Shqipërisë) i cili monitorohet çdo ditë nga EUROSTAT-i. Aktualisht kontributi i turizmit në rritjen ekonomike të vendit është 4,6%. Synimi i qeverisë aktualisht është të arrijë shifrat 6,2% të GDP-së (Produkti i Brëndshëm Bruto).

R.H: 4. Cilat janë ristë e ligjit të ri për turizmin, i miratuar në Shtator 2015?

M.H: Ligji i ri i turizmit është i harmonizuar me tre ligje të tjera si ligji i investimeve strategjike, ligji i konçesioneve dhe ligji i zonave me përparësi ekonomike që promovojnë investimet e huaja dhe vendase në fushën e turizmit në Shqipëri. Në këtë drejtim mund të theksojmë faktin që ligji i ri ka futur një koncept të ri, atë të zonave me përparësi turizmi për zhvillimin e integruar të këtyre zonave ku promovohen investimet e huaja dhe punësimi nga pushteti qëndror në harmoni me pushtetin vendor. Konkretisht së pari sipas ligjit të ri është parashikuar të krijohen strukturat akomoduese të mëdha turizmi, resorte, në përputhje me planin kombëtar të planifikimit urban duke shmangur të gjithë kaosin e ndërtimeve pa leje dhe në mënyrë sporadike kryesisht në bregdetë.

Së dyti, është parashikuar një paketë incentivash me lehtësi fiskale për uljen e TVSH-ës sipas direktivës së BE-së(Bashkimit Europian) që thotë jo më shumë se 15%, kur aktualisht TVSH-ja është 20%. Do të ketë lehtësi proceduriale për industrinë e turizmit, që ka të bëjë me punësimin apo me lehtësimin për të mos paguar sigurime shoqërore për periudhën jashtë sezonit turistik, për të promovuar turizmin gjithëvjetorë për 12 muaj dhe jo vetëm për periudhën e verës. Së treti, ka shumë pak toka shtetërore të cilat do t'u jepen investitorëve strategjikë me "1 euro" dhe investitorët strategjik janë ato investitorë të cilët do ta gëzojnë këtë status vetëm nëse ato do të investojnë mbi 50 milione e sipër në një resort turistik, të cilët kanë të drejtë të nënshkruajnë një marrëveshje investimi stratgjik dhe ta miratojnë, ta kërkojnë dhe sanksionojnë me ligjë të posaçëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Kjo marrëveshje ligjore i jep atyre njëkohësisht edhe sigurinë juridike të investitorëve me statusin "investitor strategjik i veçantë", ku Këshilli i Ministrave mund të vendosë rast pas rasti transferimin e së drejtës së pronësisë të pasurive të paluajtshme shtetërore tek investitori privat. Pra, përfundimisht është parashikuar një klauzolë e veçantë ligjore ku investitorët stratëgjik të mos kenë më probleme të trashëguara, të pa zgjidhura në lidhje me të drejtën e posedimit, të gëzimit dhe të përdorimit të pronës private për sa kohë ato kanë nënshkruar një marrëveshje ligjore me palët. Një tjetër risi e ligjit është se ligji i ri synon të lehtësojë investitorët edhe në marrëdhënie me pronarët privat, pasi jo vetëm që shpronësimi për interes publik do të bëhet me vlerën e tregut, por jep mundësinë që edhe shteti (strukturat shtetërore) të asistojnë dhe të luajnë rolin e negociatorëve me pronarët. Së fundi, strukturimi i aktorëve turistik (tur operatorëve dhe i hoteleve), është një risi tjetër ku vetë kompanitë ndërkombëtare jo vetëm vendase, do të bëjnë standartizimin dhe çertifikimin e operatorëve turistik, me qëllim futjen e Shqipërisë, në hartën e destinacioneve më të mira dhe më atraktive turistike.

R.H: 5. Po në lidhje me marketimin e Shqipërisë si destinacion turistik, çfarë po bëni që të realizohet ambicia e qeverisë Rama për shndërrimin e Shqipërisë në një destinacion të qëndrueshëm turistik europian dhe ndërkombëtar?

M.H: Synimi themelor i qeverisë shqiptare është kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar në ofertën mesdhetare të tregjeve ndërkombëtare të turizmit, duke krijuar një imazh të ri për Shqipërinë turistike, që shkon përtej ofertës së diellit dhe rërës, por duke u fokusuar në atë çfarë është unike.

Për këtë deri më sot është arritur të hartohet një platformë konkrete e quajtur "Imazhi i Shqipërisë Turistike". Së dyti, është miratuar logoja dhe mesazhi për imazhin turistik të Shqipërisë "Go your own way" në shkurt të këtij viti. Shqipëria ka marrë pjesë në mënyrë aktive në panairet kryesore ndërkombëtare. Është hartuar një pakete të përbashkët turistike me Republikën e Kosovës dhe me vendet e rajonit. Ka organizuar disa fam-tour me gazetarë të huaj dhe është pikërisht media ndërkombëtare shumë aktive që po ndikon mjaft pozitivisht për promovimin e Shqipërisë si një ndër destinacionet që duhet eksploruar dhe është mjaft interesante për vitin 2015. Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta me grupe turistësh nga Turqia, Izraeli, Ukraina ka ndikuar mjaft në promovimin aktiv të Shqipërisë, ku së fundi është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë në kuadër të promovimit të saj nga ambasadat dhe konsullatat tona nëpër botë. Është hartuar një program për bregdetin e Jonit për të krijuar modelet e rigjenerimit të qëndrueshëm të hapësirave urbane dhe natyrore me potenciale të mëdha turistike. Është ndërmarrë një aksion i madh për planifikimin e territorit dhe pastrimin e tij nga keqmenaxhimi dhe është evidentuar rrjeti ekologjik që do të shërbejë si busull për guidat turistike

(Pyetje ndërhyrëse )R.H; Do të doja të dija cili është kontributi i investitorëve kinez në fushën e turizmit?

M.H: Qeveria shqiptare ka shprehur gjithmonë interes dhe e ka pasqyruar mëse qartë në programnin e saj, politikat atraktive për investitorët vendas dhe të huaj dhe vazhdimisht ka përcaktuar platforma të caktuara, të veçanta pët t'i promovuar këto investim edhe për t'i bërë sa më atraktive specifikisht për fushën e turizmit dhe një ndër këto përpjekje është edhe ligji i ri për turizmin, i cili parashikon statusin e ri të investitorëve strategjik, duke i dhënë sipërfaqe toke shtetërore me 1euro. Megjithatë, fat ose provë domethënëse e kësaj politike atraktive për investitorët e huaj dhe specifikisht për investitorët kinez është edhe vizita e delegacionit qeveritarë me në krye kryeministrin në Hong Kong në forumin ekonomik, i cili parashikon të nënshkruaj marrëveshje ekonomike specifike të veçanta edhe për fushën e turizmit, me qëllim rritjen e interesit të investitorëve kinez në këtë fushë. Do të preferoj ta mbyll me një thënie të Sekretarit të Përgjithshëm të OBT-ës, z. Taleb Rifai: "Shqipëria është e bekuar, me një peizash shumë të këndshëm me male, fusha, ujëra të shumta. Po ashtu dhe historia është shumë mbresëlënëse. "Shumë turistë kanë ardhur në Shqipëri, shifrat janë katërfishuar. Nëse do t'i referohemi viti 2004, turistët ndërkombëtar në Shqipëri ishin mbi 600 000 persona, ndërsa në vitin 2014, shifra arrinë në 3 milionë e gjysmë persona. Kjo shifër është shumë e vogël krahasuar me atë që meriton Shqipëria, thotë z.Rifaj, por është gjithësesi një shifër mbresëlënëse".

R.H: 6. Dhe tani pyetja e fundit për sot, ndonëse ju keni dhënë shumë intervista gjatë karierës suaj profesionale me shumë gazetarë, do të doja të dija si ndjeheni, kur ju intervistoheni nga vajza juaj?

M.H: Sigurisht sot ndjej një emocion të vecantë, që më bën vërtetë të ndjehem e lumtur si nëna dhe shoqja jote më e ngushtë, dhe vërtetë sot më bën të ndjehem edhe më shumë krenare për ty, Raela.

R.H: Shumë faleminderit mama dhe të jam mirënjohëse për gjithçka. Nga unë Raela Hafizi, kjo është gjithçka që kishim përgatitur për sot. Mirë u dëgjofshim.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China