20151018nueji |
Për kontributin e madh në zbulimin e studimin e ilaçit të mjekimit të malarjes artemisinin, farmacistja kineze Tu Youyou fitoi çmimin Nobel për mjekësi, për vitin 2015.
Tu Youyou lindi në vitin 1930 dhe është kryestudiuesja e Institutit Studimor të Mjekësisë Kineze, me seli në Kinë. Në vitin 1972, Tu Youyou dhe kolegë të saj prodhuan me sukses artemisinin me pastërti të lartë nga bima artemisia duke nisur mjekimin e malarjes me bimë mjekësore kineze. Artemisinini u regjistrua në listën e ilaçeve bazë të mjekimit të malarjes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Deri tani, disa milionë afrikanë, të prekur nga malarja janë shpëtuar nga artemisinini. Duke vlerësuar zbulimin mjekësor të Tu Youyout, anëtari i komisionit të çmimit Nobel për mjekësi Jan Anderson u shpreh:
"Para 1700 vjetëve, lindi teoria e mjekimit të etheve të forta me artemisia. Kontributi i Tu Youyout është që të përcaktohen përbërësit e efektshëm në artemisia dhe mënyra e nxjerrjes së këtyre përbërësve. Ky është një shembull i risisë në studimet e ilaçeve."
Aktualisht nga malarja vdesin vdesin në vit 4.3 milionë njerëz në mbarë botën, 90% e rasteve në Afrikë dhe shumica e viktimave janë fëmijë nën 5 vjeç. Parandalimi i malarjes në kontinentin afrikan është një problem serioz. Artemisinini ka sjellë shpresë për zhdukjen e malarjes në Afrikë.
Në mbledhjen e dytë në rang ministrash të bashkëpunimit shëndetësor Kinë-Afrikë të zhvilluar në fillim të tetorit në Kejptaun të Afrikës së Jugut, pjesëmarrësit përshëndetën fitimin e çmimit Nobel nga shkencëtarja Tu Youyou dhe kontributin e Kinës në luftën kundër malarjes në Afrikë. Drejtori i komitetit të shëndetësisë dhe të planifikimit familjar të Kinës, Li Bin tha:
"Tu Youyou është pionierja e zbulimit të artemisininit. Sot artemisinini është ilaçi i parë për mjekimin e malarjes në botë, një shprehje e krenarisë së sektorit farmaceutik dhe shëndetësor të Kinës, kontribut i mjekësisë kineze për problemet shëndetësore të njerëzimit dhe do të nxitë më tej bashkëpunimin kino-afrikan në shëndetësi."
Shefja e degës afrikane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tshedi Moeti u shpreh se zbulimi i artemisininit nga shkencëtarë kinezë përbën një kontribut të shquar në shëndetësinë afrikane e botërore:
"Jam e mendimit se artemisinini ka sjellë një përparim të madh në sektorin global të shëndetësisë dhe Afrika është përfituesi më i madh nga ky ilaç. Malarja është një nga vrasësit më të mëdhenj të afrikanëve, veçanërisht fëmijëve dhe artemisinini ka pakësuar shumë vdekjen e fëmijëve e të grave shtatzënë në Afrikë. "
Pas krijimit të artemisininit, shkencëtarët kinezë nuk i ndërprenë studimet dhe përhapjen e këtij ilaçi. Në vitin 2004, Universiteti i Mjekësisë Kineze të Guangzhout prodhoi artemisininin përbërës të brezit të 4-të. Në vitin 2007, ky ilaç filloi të përdoret në Komoros të Afrikës dhe brenda 3 muajve, përqindja e infektimit nga malarja të banorëve në këtë vend u ul me 98.7%. Ndërsa në vitin 2014, në Komoros vdekshmëria nga malarja ishte zero. Profesori i Universitetit të Mjekësisë Kineze të Guangzhout Song Jianping tha:
"Duam të gjejmë një mënyrë të zhdukjes së shpejtë të malarjes në Afrikë dhe nuk synojmë të mjekojmë nvetëm pacientët, por të zhdukim burimin e infeksionit, pasi pa këtë të fundit nuk kontrollohet gjendja epidemike."
Artemisinini i brezit të 4-të i prodhuar nga Universiteti i Mjekësisë Kineze të Guangzhout ka nivel të ulët të helmit por efekt të shpejtë të tij dhe mund të shërojë të prekurit nga malarja pasi e ka pirë 2 herë këtë ilaç. Në Komoros epidemia e malarjes ishte ë nivel të lartë dhe punonjësit në sektorin shëndetësor punonin me vështirësi. Pas përhapjes së mjekimit të malarjes me artemisinin e prodhuar nga shkencëtarët kinezë, në vitin 2007 në këtë vend epidemia u vu në kontroll dhe si rezultat është përmirësuar ndjeshëm shëndeti i popullsisë, duke ndikuar dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Zv-presidenti dhe ministri i Shëndetësisë i Komorosit Fouad Mohadji tha:
"Më parë 3 anëtarë të familjes sime u infektuan nga malaria dhe shpenzimet mujore të mjekimit ishin të paktën 60 euro. Pas zbatimit të projektit të zhdukjes së malarjes me artemisinin e prodhuar në Kinë përqindja e infektimit nga malarja është ulur dukshëm. Ky projekt ka nxitur zhvillimin shëndetësor e shoqëror të vendit tonë." (Fani)