PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Bashkia e Yangzhout synon forcimin e shkëmbimeve kulturore me Shqipërinë
2015-10-14 17:38:51 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, bashkia e qytetit kinez Yangzhou organizoi një sërë aktivitetesh me rastin e 2500 vjetorit të themelimit të qytetit. Në këto veprimtari mori pjesë dhe një delegacion shqiptar i kryesuar nga ministrja e kulturës Mirela Kumbaro. Ajo foli për zhvillimin e industrisë së turizmit në Shqipëri, duke shtuar se kultura është një element i industrisë turistike. " Kinezët fillimisht e kanë njohur Shqipërinë nëpërmjet kulturës, ndaj shkëmbimet kulturore janë një themel i fortë i bashkëpunimit midis Shqipërisë e Kinës", tha ministrja Kumbaro. Ajo shprehu dëshirën që kjo vizitë e saj në Kinë të nxitë forcimin e bashkëpunimit kulturor dypalësh.

"Shqipëria si një vend i vogël njihet në Kinë sidomos nga brezi i 40-50 vjeçarëve, me produktet e saj kulturore pavarësisht se ato i përkasin një periudhe të mbyllur të së kaluarës, por që vazhdon të mbetet tërheqëse. Duke u kombinuar kjo me prirjen e fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe interesin që ne kemi në fushën e ekonomisë, kultura është një ndihmëse shumë e mirë për të realizuar këtë komunikim.", theksoi ministrja shqiptare e kulturës.

Gjatë takimit të tretë të liderëve të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore , zhvilluar dhjetorin e kaluar në Beograd ishin të pranishëm kryeministri kinez Li Keqiang dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Pas takimit, liderët e vendeve të ndryshme publikuan "Programin e Beogradit" një plan bashkëpunimi mes palëve. Sipas këtij programi, do të thellohen shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimi në nivel krahinash. Këtë herë vizita e ministres së kulturës të Shqipërisë në qytetin kinez Yangzhou është shprehje konkrete e "Programit të Beogradit".

Ministrja Mirela Kumbaro vlerësoi rolin pozitiv të bashkëpunimit Kinë-vendet e Evropës Qendrore e Lindore në fushën e nxitjes së shkëmbimeve turistike, arsimore etj. Ajo bëri të ditur se në tetor do të organizohet në Sofje të Bullgarisë një mbledhje e ministrave të kulturës Kinë-vendet e Evropës Qendrore e Lindore, që pritet të shkurtojë distancën mes këtyre vendeve.

Ndër të tjera ministrja Kumbaro u shpreh : "Po bashkëpunojmë me Ambasadën e Kinës në Shqipëri për organizimin e një koncerti të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Shqipërisë në Pekin".

Kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri -Kinë Iljaz Spahiu në fjalën e mbajtur në veprimtarinë me rastin e 2500 vjetorit të Yangzhout theksoi se bashkëpunimi midis Kinës e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore i iniciuar nga qeveria kineze krijon shumë mundësi për bashkëpunimin në turizëm, kulturë dhe fusha të tjera.

Ai tha se : "Kina dhe 16 vendet e Evropës Qendrore e Lindore do të krijojnë një linjë lidhjeje të shpejtë tokësore e detare, duke pakësuar largësinë midis Kinës e vendit tonë. Vendet ballkanike e dinë se bashkëpunimi 16+1 do të ndikojë në zhvillimin e turizmit, për të tërhequr sa më shumë turistë kinezë."

Kryetari i bashkisë së qytetit Yangzhou Zhu Minyang tha se në kornizën e bashkëpunimit midis Kinës e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, ky qytet po zhvillon shkëmbime me krahina të ndryshme shqiptare. Ai theksoi se muajin e kaluar kreu i qarkut dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës vizituan Yangzhout. Vlora dhe Yangzhou janë dy qytete mike, tha kryebashkiaku Zhu Minyang duke shtuar se nëpërmjet aktiviteteve të kremtimit të 2500 vjetorit të themelimit të qytetit do të shtohet njohja midis dy pupujve dhe dy vendeve, duke u nxitur bashkëpunimi konkret.

"Mund të nisë nga Yangzhou bashkëpunimi i dy palëve në fushat kulturore, arsimore, turistike .", tha kryetari i Bashkisë së Yangzhout

Vitin e kaluar, Kanali i Madh i Kinës u përfshi në Listën e Trashëgimive Kulturore Botërore të UNESCO-s. Aktivitetet e kremtimit të themelimit të qytetit u fokusuan dhe në "mbrojtjen e trashëgimisë botërore të Kanalit të Madh dhe ndërtimi i qytetit të njohur në bregun e kanalit". Kryetari i Bashkisë së Yangzhout Zhu Minyang u shpreh se në këtë qytet po punohet shumë për mbrojtjen e trashëgimeve kulturore dhe për zhvillimin e industrisë kulturore e turistike.

Ai tha: "I kushtojmë rëndësi mbrojtjes së kulturës dhe burimeve historike të Kanalit të Madh të Kinës. Këtë detyrë e kryejmë me seriozitet dhe pasion."

Mbrojtja e trashëgimive në Yangzhou u ndoq me interes të madh nga delegacioni shqiptar. Shqipëria ka trashëgimi kulturore botërore si Berati, Gjokastra dhe Butriti. Administrimi dhe mbrojtja e trashëgimive kulturore janë prioritet i qeverisë dhe popullit shqiptar. Vitet e fundit, qeveria shqiptare ka marrë masa dhe ka kryer investime në këtë fushë. Në "Programin e Beogradit", Shqipëria propozoi organizimin e forumit të specialistëve të administrimit dhe të mbrojtjes së trashëgimive kulturore materiale dhe jomateriale. Pala kineze përshëndeti këtë propozim të Shqipërisë. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë Melsi Labi shpreson se nëpërmjet aktiviteteve në Yangzhou do të forcohet bashkëpunimi me Kinën në fushën e mbrojtjes së trashëgimive kulturore.

Ai tha: "Kemi bashkëpunuar me Ambasadën e Kinës në Shqipëri dhe shpresojmë të nxiten shkëmbimet e dy palëve në fushën muzeale. Jo vetëm Muzeu Historik Kombëtar por dhe muzetë e tjerë mund të shkëmbejnë veprimtari me Muzeun e Yangzhout. Kemi shumë interes për të."

Në tetor një delegacion i Konferencës Konsultative Politike të Popullit të qytetit Yangzhou do të vizitojë Shqipërinë dhe pritet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimit me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë. (Çang Çuo)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China