20150913ouzhounanmin |
Në fjalimin e mbajtur të mërkurën në Parlamentin Evropian, kryetari i Komisionit të Bashkimit Evropian Jean-Klaude Juncker theksoi se përballimi i krizës së refugjatëve është detyra e parë aktuale e Bashkimit Evropian dhe një nga përparësitë e tij në vitin e ardhshëm. Ai u shpreh se Bashkimi Evropian do të zbatojë sistemin e detyrueshëm të ndarjes, për të siguruar pranimin e 160 mijë refugjatëve nga vendet anëtare, sipas përpjesëtimit.
Ky është fjalimi i parë për gjendjen e Bashkimit Evropian nga Jean-Klaude Juncker, një vit pas zgjedhjes së tij si kryetar i Komisionit të Bashkimit Evropian. Në fjalimin e të mërkurës, Jean-Klaude Juncker u ndal për rreth 40 minuta në krizën e refugjatëve. Sipas tij, këtë vit, më se 500 mijë refugjatë kanë arritur në Evropë, shumica e të cilëve nga rajonet në konflikt si Siria, Libia etj. Ai i bëri thirrje opinionit publik të vendeve të BE-së të mos tremben nga problemi i refugjatëve dhe t'i mirëpresin ata. Jean-Klaude Juncker ndër të tjera tha:
"Numri i refugjatëve është me të vërtetë i madh dhe frikëson shumë njerëz, por tani nuk është koha e frikës. Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian, të gjitha vendet anëtare dhe organet përkatëse të tij të ndërmarrin me guxim e vendosmëri veprime të përbashkëta."
Në fjalimin e tij, Jean-Klaude Juncker iu referua historisë së refugjatëve në Evropë dhe u shpreh se shumë evropianë dikur ishin refugjatë, për shembull pas Luftës së Dytë Botërore, në Evropë lindën 60 milionë refugjatë. Ai vuri në dukje se kriza e refugjatëve lidhet me dinjitetin e njerëzimit, megjithëse midis vendeve të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian ekzistojnë ende shumë divergjenca, por si kontinenti më i pasur e më i qëndrueshëm në botë, Evropa ka aftësi t'i ndihmojë refugjatët.
Jean-Klaude Juncker pranoi faktin që në përballimin e krizës së refugjatëve, Bashkimi Evropian u kritikua ashpër, ndaj i bëri thirrje kësaj organizate të bashkohet dhe ta përballojë krizën në mënyrë sistematike. Ai u shpreh se Komisioni i Bashkimit Evropian do të propozojë miratimin e masave të detyrueshme për të rivendosur 160 mijë refugjatë që kanë hyrë në Greqi, Hungari e Itali. Ai tha:
"Jam shumë i qartë se destinacionet ku arrijnë së pari refugjatët si Italia, Greqia, Hungaria etj., nuk kanë mundësi ta përballojnë këtë krizë vetëm me forcat e veta. Prandaj në maj të këtij viti, Komisioni i Bashkimit Evropian propozoi të zbatohet një sistem i jashtëzakonshëm për rivendosjen e 40 mijë refugjatëve në Itali e në Greqi. Sot ne propozojmë të zbatohet sistemi i dytë i jashtëzakonshëm për rivendosjen e 120 mijë refugjatëve në Itali, Greqi e Hungari."
Në bazë të gjendjes së vendeve të ndryshme anëtare si të GDP-së, të popullsisë, të përqindjes së papunësisë etj., Komisioni i Bashkimit Evropian përcaktoi numrin e refugjatëve që duhet të pranohen në vendet e ndryshme anëtare. Sipas gjendjes aktuale, vendet që do të pranojnë më shumë refugjatë janë përkatësisht Gjermania, Franca e Spanja.
Jean-Klaude Juncker tha hapur se nuk mbaron plani i rivendosjes së refugjatëve i paraqitur në maj të këtij viti, prandaj u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të miratojnë planin e ri të rivendosjes së refugjatëve në mbledhjen e posaçme të ministrave të punëve të brendshme të Bashkimit Evropian, që do të zhvillohet më 14 shtator. Ai paralajmëroi se në të kaluarën, Evropa ka bërë gabime në trajtimin e hebrenjve, të të krishterëve dhe myslimanëve, por tani në çeshtjen e refugjatëve, nuk duhet të ketë dallime mes palëve të ndryshme në fushën fetare, të besimit dhe të mendimeve filozofike.
Jean-Klaude Juncker shtoi se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë rrënjësisht procedurën e kërkimit të mbrojtjes. Nga njëra anë, ky bashkim do të pranojë më shumë refugjatë, nga ana tjetër do të forcojë administrimin e kufijve, duke përsosur ligjin e emigracionit dhe sistemin e riatdhesimit të emigrantëve të paligjshëm. Ai theksoi se për të krijuar një politikë të përbashkët të emigrantëve, Bashkimi Evropian duhet të hapë kanalin e ligjshëm të emigrantëve, që do të jetë në dobi të Europës. Lidhur me këtë ai tha:
"Nuk duhet të harrojmë se popullsia në Evropë po pakësohet dhe na nevojiten talente nga rajone të ndryshme të botës. Me kalimin e kohës, duhet të realizohet administrimi siç duhet i burimeve të emigrantëve. Lidhur me këtë, Komisioni i Bashkimit Evropian do të publikojë një sërë planesh të emigrantëve të ligjshëm në fillim të vitit 2016, sepse legalizimi i emigrantëve ka rëndësi shumë të madhe."
Po të mërkurën, Komisioni i Bashkimit Evropian publikoi edhe një sërë masash të përballimit të krizës së refugjatëve. Analistët vunë në dukje se projekti i ndarjes së refugjatëve ka mundësi të jetë një provë e madhe për bashkimin e Evropës. (Fani)