20150826Intervista826 |
Nga fundi i marsit të këtij viti kur dorëzoi letrat kredenciale, ambasadorja e Kinës në Shqipëri, zonja Jiang Yu është bërë tashmë e njohur jo vetëm për diplomacinë dhe politikën në Tiranën zyrtare, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Kjo për faktin e thjeshtë se në 5 muaj të ardhjes së saj në krye të Ambasadës së Kinës në Shqipëri axhenda e saj ka qenë shumë e ngjeshur. Nëse i referohemi website-t të ambasadës kryediplomatja e Kinës në Tiranë nga prilli deri në mes të gushtit ka kryer 28 takime dhe ka qenë e pranishme në veprimtari të ndryshme. Me një përllogaritje të thjeshtë ambasadorja ka zhvilluar afro 5 takime në muaj, pra një në javë.
Veprimtaria e një diplomateje të lartë të një vendi të madh si Kina dhe optika e re e zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare kërkon dinamizëm. Këtë po e kryen më së miri zonja Jiang Yu në muajt e parë të misionit të saj diplomatik në Shqipëri, e cila përveç takimeve protokollare ka qenë e pranishme dhe ka kryesuar mjaft veprimtari të Ambasadës së Kinës, me karakter kulturor, por edhe njerëzor.
Zonja Jiang Yu tashmë ka zhvilluar takime me krerët e shtetit dhe politikës shqiptare si presidentin Bujar Nishani, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, ashtu si është takuar dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe ish kryetarin e PD-së Sali Berisha.
Një vëmendje të veçantë në axhendën e takimeve të saj ambasadorja kineze Jiang Yu i ka kushtuar dhe bashkëpunimit ekonomik dypalësh, ku nuk kanë munguar takimet e saj me ministrat Arben Ahmetaj dhe Edmond Panariti, me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Kinë,por edhe me përfaqësues të kompanive kineze në Shqipëri, madje dhe tregtarë kinezë që prej vitesh ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.
Kultura dhe bashkëpunimi dypalësh në këtë fushë kanë qenë gjithashtu në fokus të veprimtarisë së ambasadores kineze në Tiranë. Mjafton të kujtojmë organizimin në korrik të Javës së Filmit kinez në Tiranë, vizitën e zonjës Jiang Yu në Institutin Konfuci, takimin me sinologun Iljaz Spahiu , por dhe me drejtuesit e institucioneve kulturore si TOB, GKA, Muzeu Historik Kombëtar dhe sigurisht takimi me ministren Kumbaro. Për të mbetur te kultura një veprimtari interesante ishte ajo e shkëmbimit kulturor midis nxënësve kinezë dhe shqiptarë që u zhvillua ditët e fundit në Tiranë, ku zonja ambasadore ishte e pranishme dhe bëri thirrje për shtim të njohjes dhe shkëmbimeve njerëzore dypalëshe, kryesisht të të rinjve.
Bie në sy në këto 5 muaj të misionit diplomatik të ambasadores Jiang Yu vëmendja e saj ndaj medias shqiptare. Ndoshta këtu duhet nënvizuar se zonja Jiang Yu përveç se një diplomate karriere ka qenë dhe zëvendësdrejtore e përgjithëshme si dhe zëdhënëse e Departamentit të Informacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës. Duke njohur nga afër rolin e medias në bashkëpunimin dypalësh gjatë këtyre muajve zonja Jiang Yu ka takuar drejtues të medias shqiptare si dhe ka botuar një artikull ku ka shpjeguar nismën kineze "Një brez, një rrugë".
Në këtë axhendë të pasur takimesh dhe veprimtarish ambasadorja e Kinës në Tiranë zonja Jiang Yu spikat për modelin e një diplomacie të hapur, të drejtpërdrejtë, ku dukshëm shprehet dëshira për forcimin e miqësisë tradicionale mes dy vendeve.
Zonja Jiang Yu është e para ambasadore e Kinës në Shqipëri që përveç kësaj veprimtarie të ngjeshur dhe energjike, pjesë e misionit të saj diplomatik shfaq dhe një figurë mjaft elegante dhe të hijshme në paraqitjen e saj publike.
Energjia që zonja Jiang Yu shfaq në 5 mujorin e parë të misionit të saj diplomatik në krye të Ambasadës së Kinës në Tiranë është shprehje e dinamikës së re në marrëdhëniet dypalëshe, e reflektuar dhe në deklaratat e autoriteteve të larta të shtetit dhe politikës shqiptare gjatë takimeve me të. Me rastin e 70 vjetorit të Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër Pushtuesve Japonezë dhe Fitores së Luftës së Dytë Botërore që përkujtohet në mbarë Kinën dhe kulmon me Paradën ushtarake të 3 shtatorit në Pekin axhenda e ambasadores kineze në Tiranë me siguri do të pasurohet me të tjera veprimtari, të cilat do tja lenë vendin në 1 tetor Festës Kombëtare të Kinës.
Biografia e ambasadores Jiang Yu
2012-2015 Zëvendëskomisionere e Zyrës HKSAR
2006-2012 Zvdrejtore dhe zëdhënëse e Dept. të Informacionit pranë MPJ të Kinës
2005-2006 Këshilltare, Dept. Informacionit MPJ e Kinës
2002-2005 Këshilltare, Zyra e Komisionerit të MPJ të Kinës në Hong Kong
1996-2002 Sekretare e 3-të, Dept Informacionit MPJ të Kinës
1992-1995 Atashe, Sekretare e 3-të e Misionit të Përhershëm të OKB-së në Nju Jork
Zonja Jiang Yu u lind në Pekin në vitin 1964 dhe është diplomuar në Universitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Kinë.
(Eda Merepeza)