Pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare të problemit bërthamor të Iranit, shumë njerëz parashikojnë se Irani, kjo fuqi e Lindjes së Mesme, nga njëra anë do të kthehet gradualisht në qendrën e arenës ndërkombëtare dhe ekonomia e këtij vendi do të hyjë në orbitën e shpejtë dhe nga ana tjetër, fuqizimi i Iranit do të ndikojë edhe në situatën e ndërlikuar të Lindjes së Mesme.
Shumë vjet me radhë, si pasojë e kundërvënies së Iranit me vendet perëndimore dhe veçanërisht me ShBA-në për programin bërthamor, marrëdhëniet dypalëshe u tensionuan dhe madje ishin në prag të luftës. Shumë sanksione, shumëpalëshe a njëpalëshe, nga OKB-ja, ShBA-ja dhe BE-ja izoluan Iranin në komunitetin ndërkombëtar dhe veçanërisht sanksionet e naftës dhe të financave të ndërmarra nga viti 2012, ndikuan pothuajse në përjashtimin e Iranit nga tregu ndërkombëtar.
Por pas ardhjes në krye të qeverisë iraniane të Hassan Rouhanit pati përparime në bisedimet për programin bërthamor të Iranit. Në nëntor të vitit 2013, Irani arriti marrëveshjen e fazës së parë me gjashtë vendet e problemit bërthamor. Në shkurt të vitit 2014, fill pas zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes, Irani priti delegacionin e parë të madh tregtar nga Franca, më i madhi i vendeve perëndimore në Iran, pas zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes. Një vit më pas Iranin e vizituan shumë delegacione tregtare nga Evropa e Azia dhe një numër i madh investitorësh presin hapjen ndaj botës të Iranit, këtij tregu me potencial të madh.
Dëshira e investitorëve të huaj është e kuptueshme, shprehet ekonomisti iranian Saeid Leylaz, i cili e quan "tepër optimist". Ai thotë se në një periudhë të shkurtër, sektori i naftës dhe i gazit natyror, si arterie e ekonomisë iraniane, do të tërheqë shumë investime të huaja, por gjithsesi Irani ndodhet përballë vështirësive të shumta në thithjen e investimeve të huaja.
"Ne mund të thithim 3-5 milardë dollarë amerikanë investime të huaja në industrinë e naftës dhe në disa shërbime jashtë vendit, por jo në sektorin e brendshëm industrial, sepse tani në Iran ka shumë probleme, që frenojnë aftësinë e thithjes së investimeve të huaja."
Një nga problemet që përmenden nga Leylazi është aftësia e kontrollit të ekonomisë. Sipas tij, rënia ekonomike e Iranit gjatë viteve të kaluara u shkaktua jo vetëm nga sanksionet ekonomike, por edhe nga mungesa e investimeve të brendshme dhe korrupsioni. Tjetër arsye rrënjësore e përmendur nga Leylazi është mbikqyrja ndaj investimeve të huaja, që ka ekzistuar prej kohësh në Iran. Por qeveria e Rouhanit ka bërë përpjekje për të ndryshuar këtë situatë. Në versionin e fundit të kontratës së naftës, të paraqitur nga Irani në maj të këtij viti, lejohen investimet e huaja të hyjnë në tërë zinxhirin e industrisë së naftës, nga kërkimi, zhvillimi e deri në shitje, kështu për investimet e huaja do të ngrihen fitimet dhe do të ulen rreziqet.
Rimëkëmbja e industrisë së naftës do të nxitë me efikasitet rimbëkëmbjen e ekonomisë së Iranit dhe do të fuqizohet edhe potenciali kompleks. Por kjo ka mundësi të prishë ekuilibrin ekzistues të këtij rajoni. Një mundësi e tillë i nxit armiqtë tradicionalë të Iranit, Arabinë Saudite dhe Izraelin të kundërshtojnë bashkërisht marrëveshjen e gjithanshme të problemit bërthamor të Iranit, duke krijuar një aleancë të rrallë. Gjatë viteve të kaluara, në Lindjen e Mesme u formua i ashtuquajturi "rrip i hënës së re i fraksionit të shi-itëve", që me Iranin si qendër lidh Libanin, Sirinë, Irakun dhe Jemenin. Ky fakt ka shqetësuar prej kohësh Izraelin dhe Arabinë Saudite. Më 18 korrik, udhëheqësi më i lartë fetar Ayatollah Seyyed Ali Khamenei ritheksoi se Irani do të vazhdojë t'u japë mbështetje vendeve të "rripit të hënës së re" dhe Lëvizjes për Çlirimin e Palestinës, gjë që nxit shqetësimet e Izraelit dhe të Arabisë Saudite.
"Pavarësisht nga miratimi apo jo i marrëveshjes së problemit bërthamor, nuk do të ndalojmë përkrahjen ndaj miqve e popujve në rajonin tonë dhe nuk do të ndalojmë përkrahjen ndaj Palestinës, Jemenit , Sirisë, Irakut, Bahreinit dhe Libanit."
Fjalët e Khameneit ka ngjallur shqetësim në opinion, që pas sankioneve ekonomike, me fuqizimin e Iranit, a do të acarohet më tej tensioni ekzistues midis Iranit dhe vendeve të tjera të rajonit? Lidhur me këtë, profesori i shkencave politike të Universitetit të Teheranit Sadegh Zibakalam u shpreh se në çeshtjen e rajonit Irani ndodhet përpara dy alternativave, atë të kundërvënies apo të bashkëpunimit. Ai është i mendimit se nga zgjidhja e problemit bërthamor të Iranit del se qeveria e Rouhanit preferon të ketë fqinjësi të mirë me vendet e rajonit.
"Irani ka dy zgjedhje, njëra është tu kundërvihet vendeve të rajonit dhe tjetra, të bashkëpunojë me to. Nëse Irani do ti tregojë degën e ullirit Arabisë Saudite, Kuvajtit dhe vendeve të tjera, mendoj se kjo do t'i bindë ato për të bashkëpunuar me Iranin. Jam i mendimit se Rouhani dhe Zarif kanë dëshirë për paqe."
Irani e ka konsideruar veten si fuqi e Lindjes së Mesme, duke qenë se është vendi i dytë më i madh në rajon përsa i përket sipërfaqes, i treti për rezervën e naftës dhe i dyti në botë për gazin natyror, me sistem relativisht të përsosur dhe pozicion gjeografik mes Evropës e Azisë. Me zgjidhjen e problemit bërthamor dhe me heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, kjo fuqi do të ndjekë patjetër rrugën e rilindjes. Por çfarë ndikimesh do të ushtrojë rimëkëmbja e tij në Lindjen e Mesme? Kjo varet nga zhvillimet në këtë rajon. (Wang Lei)