20150621karbon |
Ditët e fundit, qielli i kaltër për disa ditë me radhë në Pekin u ka krijuar qytetarëve një befasi të këndshme dhe ruajtja e kësaj pamje ka qenë sërish temë diskutimi. Me rastin e Ditës Kombëtare të Karbonit të Ulët, shumë qytetarë u shprehën se do të marrin pjesë aktivisht në mbrojtjen e mjedisit, ndërsa qeveritarët thonë se do të forcohen masat për ruajtjen e qiellit të kaltër.
Krahas pekinasve, shumë turistë të huaj dhe vendës që vizitojnë kryeqytetin kinez admiruan qiellin e kaltër të tij. Dajë Li i ardhur nga provinca Jiangxi,por që banon çdo vit për një kohë të caktuar në Pekin, u shpreh se ndjehet dukshëm përmirësimi i mjedisit:
"Vizitoj pothuajse çdo vit Pekinin, kpor ëtë vit moti është më i mirë se vitet e fundit. Jam i mendimit se ky rezultat është arritur me përpjekjet e përbashkëta të qarqeve të ndryshme, janë mbjellë shumë pemë duke pakësuar lëshimin e ndotjeve."
Edhe sistemi i bashkëpunimit midis Pekinit, Tianjinit e Hebeit për parandalimin e kontrollin e ndotjes së atmosferës ka luajtur një rol të rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Pekin. Sipas këtij sistemi, në periudhën me ndotje t[ lartë, këto 3 krahina do të veprojnë së bashku për të pakësuar ndotjen. Si rezultat, në vitin 2014, në Pekin, Tianjin, Hebei dhe qytetet përreth, dendësia mesatare PM2.5 u ul me 14.6% në krahasim me vitin 2013, kurse nga janari deri në prill të këtij viti, kjo dendësi u ul me 20% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
15 qershori është Dita e tretë Kombëtare e Karbonit të Ulët dhe tema kryesore e këtij viti është "Qyteti me karbon të ulët, i përshtatshëm për banim të vazhdueshëm." Me shpejtimin e procesit të urbanizimit në Kinë, në qytete lindën shumë probleme si mungesa e burimeve, keqësimi i mjedisit, shtimi i lëshimit të karbonit, bllokimi i qarkullimit rrugor etj. Drejtori i drejtorisë së përballimit të ndryshimit të klimës pranë Komitetit Shtetëror të Zhvillimit e Reformës të Kinës Su Wei u shpreh se për të ruajtur qiellin e kaltër në Pekin nevojiten përpjekjet e palëve të ndryshme:
"Ditët e fundit, moti i Pekinit është shumë i mirë. Jam i bindur se me përpjekjet e përbashkëta të palëve për zbatimin e idesë 'Karboni i ulët', qielli i Pekinit do të jetë përherë i kaltër. Në procesin e zhvillimit të qytetit, duhet të shkëputet zhvillimi ekonomik nga lëshimi i karbonit, ky është drejtimi i ardhshëm."
Su Wei u shpreh se Kina po përballon aktivisht ndryshimin e klimës duke shpejtuar procesin e karbonit të ulët. Në "Deklaratën e Përbashkët Kinë-SHBA për Ndryshimin e Klimës" të nëntorit të kaluar, Kina shpalli planin e uljes së lëshimit karbonik deri në vitin 2030 dhe planifikon të ngrejë në vitin 2030 përqindjen e energjisë jofosile në konsumin e energjisë në rreth 20%. Ky është objektivi strategjik afatgjatë i zhvillimit të planit "Karbon i ulët" në Kinë.
Duke folur për problemin e smogut në Pekin, Tianjin e Hebei, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit e Financave të Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Kinës Zhao Hualin u shpreh se qeveria qendrore do të hartojë planin për zhvillimin e përbashkët të këtyre 3 krahinave:
"Pa zhvillimin e përbashkët të Pekinit, Tianjinit dhe Hebeit, nuk mund të zgjidhet problemi i mjedisit në këto 3 krahina. Së pari, duhet të krijohet sistemi i administrimit të mjedisit në Pekin, Tianjin e Hebei. Së dyti, duhet të hartohen e zbatohen rregullat e hollësishme në planin e 3 veprimeve në Pekin, Tianjin e Hebei. Së treti, duhet të krijohet sistemi i përbashkët financiar si për shembull krijimi i fondit të mbrojtjes së mjedisit ekologjik në Pekin, Tianjin e Hebei."
Siç mësohet nga Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit e Pekinit, këtë vit, qeveria qendrore i ka dhënë Pekinit, Tianjinit, Hebeit dhe krahinave përreth 5.9 miliardë juanë fonde të posaçme për eliminimin e ndotjes së ajrit. Krahas këtyre, 3 krahinat po hartojnë planin afatgjatë rajonal të parandalimit e kontrollit të ndotjes së ajrit dhe do të krijojnë sistemin e ndërveprimit në rastet e nivelit të lartë të ndotjes .
Shumë qytetarë shprehen se do të mbrojnë rezultatet e mbrojtjes së mjedisit dhe do të veprojnë me forcat e veta për mbrojtjen e mjedisit:
"Në verë do të pakësoj përdorimin e kondicionerit të ajrit, duke mos e vendosur në temperatura shumë të ulta. Nëse ne të gjithë veprojmë kështu, do të kontribuojmë për pakësimin e lëshimit të ndotjeve."
"Krahas Pekinit, edhe krahinat përreth duhet të veprojnë siç duhet, si për shembull të zbatohet klasifikimi i mbeturinave, kursimi i ujit dhe i energjisë elektrike etj. për të krijuar një mjedis të mirë."
"Duhet të kursejmë energji për jetën e mjedisin e bukur." (Fani)