20150531ekonomi |
Zonjusha Zhuang, që punon në një bankë tregtare në Pekin, shkon në punë çdo ditë me metronë e linjës 4. Ndryshe nga linjat e tjera të Pekinit, linja 4 është financuar, ndërtuar dhe është vënë në funksionim nga kompania "Beijing MTR" sipas modelit "PPP", që do të thotë "Partneriteti Publik-Privat". Kompania "Beijing MTR" është e para kompani me investime të huaja në sektorin e tranportit urban në pjesën kontinentale të Kinës.
Zonjusha Zhuang tha se metroja e linjës 4 ka përpikmëri të madhe, është moderne dhe e efektshme. Me suksesin e funksionimit të linjës 4, kompania "Beijing MTR" fitoi shancin për investimin, ndërtimin dhe vënien në funksionim të linjave 14 dhe 16 të metrosë së Pekinit.
Kur sapo u vu në funksionim linja 4 në vitin 2009, mënyra "PPP" ishte ende e re për kinezët. Kanë kaluar 5 vjet dhe aktualisht "PPP"ja preferohet në Kinë për të zgjidhur mungesën e kapitaleve të qeverisë dhe gjithashtu ndikon dukshëm në qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe ndryshimin e strukturës ekonomike.
Më 25 maj, Komiteti Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës publikoi 1043 objekte "PPP" me një total investimesh prej 1.97 trilionë juanësh. Para kësaj, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Shtetit të Kinës kjo temë u përfshi disa herë në rendin e ditës dhe sektorët qeveritarë të niveleve të ndryshme kanë publikuar politika mbështetëse për objekte "PPP".
"'PPP'-ja është një risi e sistemit dhe është shprehje e reformimit", komentoi Xu Guangjian, zv/dekani i Shkollës së Administrimit Publik pranë Universitetit Renmin të Kinës. Ai tha se në Kinë ka patur edhe në të kaluarën objekte "PPP", por kjo është hera e parë që zbatohen objekte "PPP" në mënyrë masive.
Pas hyrjes në maj, u publikuan një sërë politikash rreth tërheqjes së kapitaleve private në ndërtimin e funksionimin e veprave publike, duke përfshirë eksperimentimin e parë mbi pjesëmarrjen e kapitaleve private në veprat e mëdha hidrike, ndërtimin e funksionimin e banesave publike me qira me "PPP", bashkëpunimin midis fondeve publike dhe atyre private në fushën e shërbimeve publike etj.
Zv/drejtori i Institutit Kërkimor të Ekonomisë Botërore pranë Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait, Quan Heng vuri në dukje se pjesëmarrja e kapitaleve private në infrastrukturë dhe në shërbimet publike ka rëndësi në disa aspekte. Nga ana e qeverisë, kjo mënyrë mund të pakësojë barrën e borxheve qeveritare dhe të zbutë presionin e platformës lokale për financim. Nga ana e tregut, ajo mund të frymëzojë kapitalet private dhe të shtojë furnizimin me produkte e shërbime publike. "PPP" do të nxitë edhe ndryshimin e funksioneve të qeverisë, që të pakësojë ndërhyrjet e qeverisë ndaj çeshtjeve mikroekonomike.
Vitin e kaluar, objekte "PPP" ishin kryesisht në fushën e infrastrukturës, kurse sivjet përfshijnë edhe shërbimet publike dhe të jetesës së banorëve, si instalimet hidraulike, objekte urbane, infrastrukturë komunikacioni, mjedisin e burimet natyrore. Kësaj here, jo vetëm sfera e investimeve është zgjeruar dhe është bërë më transparente, por kapitalet private kanë fituar një status të barabartë me ato publike.
Mënyra "PPP" karakterizohet nga partneriteti midis qeverisë dhe tregut. "E thënë thjesht, 'PPP' nuk është komandimi i tregut nga qeveria, por të dyja palët bashkëveprojnë për një qëllim të përbashkët dhe me konsultime," shpjegoi Guo Jianxin, drejtori i Institutit Kërkimor mbi PPP të Kinës.
Analistët janë të mendimit se "PPP"-ja është jo vetëm një medotë financimi , por shënon edhe ndryshimin e konceptit të administrimit qeveritar, që do të realizojë më në fund fitime të përbashkëta të qeverisë, kompanive dhe shoqërisë. Ndër objektet e sivjetshme "PPP" përfshijnë fushat e komunikacionit, të mbrotjes së mjedisit, të shëndetësisë dhe të përkujdesjes për të moshuarit. Këto objekte kanë lidhje të ngushtë me jetesën e banorëve dhe janë gjithashtu pika të reja të rritjes ekonomike.
Në ditën e publikimit të objekteve "PPP", Ministria e Financave e Kinës njoftoi se qysh nga 1 qershori, do të ulë përqindjen e taksave doganore për mallrat e importuar të konsumit të përditshëm, si veshmbathje, këpucë e çizme, produkte kozmetike etj. dhe masa mesatare e uljes do të kalojë 50%.
Vitin e kaluar, vëllimi i konsumit të kinezëve jashtë vendit kaloi 1 trilionë juanë. Në këto kushte, me synim kthimin e këtij konsumi brenda vendit , Këshilli i Shtetit i Kinës do të publikojë edhe një sërë masash që të plotësojë kërkesat e konsumatorëve kinezë për produkte të nivelit të lartë, veçanërisht për veshjembathje të markave të njohura, artikuj kozmetikë etj.
Quang Heng, zv/drejtori i Institutit Kërkimor të Ekonomisë Botërore pranë Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait tha se konsumatorët kinezë kanë shumë dëshirë të blejnë jashtë vendit veshmbathje, këpucë e çizme, produkte kozmetike etj., prandaj ulja e taksave doganore të këtyre artikujve do të jetë në favor të shtimit të importit të tyre, nxitjen e konsumit në vend dhe do të luajë rol pozitiv për përshkallëzimin e industrive përkatëse kineze.
Xu Guangjian, zv/dekani i Shkollës së Administrimit Publik pranë Universitetit Renmin të Kinës është i mendimit se në një sërë masash të publikuara kohët e fundit në Kinë për stabilizimin e rritjes ekonomike përdoren prapëseprapë medota tradicionale, si shtimi i investimeve, ulja e taksave etj., por ndryshon thellësisht përmbajtja e tyre. Gjallërimi i investimeve private, ulja e taksave doganore në përputhje me reformën e sistemit tatimor si dhe këmbimi i borxheve të qeverive lokale, të gjitha këto reforma do t'i japin shoqërisë kineze dinamikë më të fortë për zhvillimin e mëtejshëm. (Wang Lei)