20150517europe |
Në emisionin e sotëm do t'ju flasim për integrimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Europës i nevojitej shumë rindërtimi. Në kërkim të paqes, politikanët e talentuar europianë krijuanbashkësinë e parë të integrimit rajonal në historinë e shoqërisë njërëzore – Bashkimin Europian. Në procesin e zhvillimit, Bashkimi Europian u shoqërua me shumë probleme e kritika, megjithatë ky bashkim ka pasur një përparim të pandërprerë.
Yan Shaohua po ndjek studimet pasuniversitare në Euroinstitut dhe Europa e bashkuar i ka lënë përshtypje të thellë:
"Europa më ka lënë shumë përshtypje të thella veçanërisht uniteti i saj. Shumë bashkëstudentë të mi janë përfaqësues të integrimit të Europës, sepse anëtarët e familjes së tyre vijnë nga vende të ndryshme europiane. Për shembull, një bashkëstudenti im e ka nënën nga Kroacia ndërsa babi i tij është danez. Familja e tij jetonte më parë në Gjermani dhe tani jeton në Hollandë. Kur e pyeta se nga vjen, ai mu përgjigj se është europian."
Para 70 vjetëve, ishte e paimagjinueshme gjendja e sotme e Europës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kontinenti europian u shkatërrua rëndë nga lufta. Në të njëjtën kohë, struktura ndërkombëtare pësoi ndryshime të thella dhe Europa nuk ishte më qendra politike e ekonomike botërore, por u pozicionua në vend të parë në luftën për hegjemoni midis SHBA-së e Bashkimit Sovjetik.
Për përballimin e kësaj gjendjeje, Franca e Gjermania, këta dy armiq afatgjatë, kuptuan se për të shmangur krizën e rëndë politike dhe ekonomike të pas luftës, duhej realizuar paqja dhe zhvillimi i përhershëm, Europa duhet të ndiqte rrugën e bashkimit. Nëpërmjet përgatitjeve disavjeçare, më 9 maj të vitit 1950, ministri i Jashtëm francez Robert Shuman bëri 'Deklaratën e Shumanit' me qëllim që të realizohej bashkimi i prodhimit të qymyrgurit e çelikut të Europës:
"Qeveria franceze propozon që të vihet prodhimi i qymyrgurit e i çelikut të Francës e të Gjermanisë nën administrimin e një institucioni të lartë të përbashkët, ky institucion të jetë i hapur ndaj të gjitha vendeve europiane."
Me nxitjen e Robert Shumanit, Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Hollanda, Belgjika dhe Luksemburgu krijuan bashkësinë e qymyrgurit e të çelikut të Europës dhe ky është paraardhësi i Bashkimit Europian. Nëpërmjet zhvillimit mbi 60 vjeçar, procesi i integrimit të Europës është thelluar pandërprerë. Si rezultat, një bashkësi e qymyrgurit dhe e çelikut u zhvillua në një aleancë shumëpalëshe politike, ekonomike e të sigurisë. Sot Bashkimi Europian ka 28 anëtarë, ndër të cilët 18 prej tyre përdorin Euro duke krijuar Eurozonë. Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian u anëtarësuan në zonën e Shengenit. Njëkohësisht GDP-ja e Bashkimit Europian zë vendin e parë në botë dhe është realiteti më i madh ekonomik.
Krijimi i Bashkimit Europian ka shmangur me efektivitet shpërthimin e luftës brenda Europës. Autori i librit "Europa pas Luftës së Dytë Botërore" dhe historiani britanik Keith Lowe shprehet:
"Bashkimi Europian u ka dhënë vendeve europiane një vend për zhvillimin e diskutimeve, kështu s'ka më nevojë të zgjidhen mosmarrëveshjet në fushë beteje. Diskutimi i problemeve ka rëndësi të madhe, sepse njerëzit dëshirojnë më shumë të zgjidhin problemet me dialog dhe jo me armë."
Por, me zgjerimin e Bashkimit Europian, kanë lindur shumë probleme. Nga njëra anë, për shkak të nivelit të ndryshëm të zhvillimit ekonomik, po zgjerohet distanca mes Lindjes e Perëndimit dhe mes Jugut e Veriut brenda këtij bashkimi. Nga ana tjetër, shumë politikanëve europianë u mungon besimi për integrimin e Europës, madje Britania paraqiti idenë e tërheqjes nga Bashkimi Europian. Shefja e zyrës së politikave pranë qendrës kërkimore "Miku i Europës" Shada Islam është e mendimit se do të vijojnë diskutimet për tërheqjen apo jo të Britanisë nga Bashkimi Europian. Ajo tha:
"Tërheqja e Britanisë nga Bashkimi Europian po bëhet një problem serioz. Jam e mendimit se Bashkimi Europian nuk do të lejojë tërheqjen e Britanisë sepse kjo do të ushtrojë ndikime të mëdha jo vetëm mbi Britani por edhe mbi Bashkimin Europian."
Megjithëse Bashkimi Europian përballon shumë probleme e kritika, ky bashkim do të ekzistojë për një afat të gjatë. Nëpërmjet reformës së duhur, Bashkimi Europian ka aftësi t'i japë ekonomisë e demokracisë europiane një kornizë të qëndrueshme dhe është në favor të shumëpolarizimit të botës, duke nxitur sigurinë e zhvillimin e vazhdueshëm. (Fani)