PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Intervistë me këshilltarin për mediat në Ministrinë e Jashtme shqiptare, z. Glevin Dervishi
2015-05-12 15:34:40 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe sekretari amerikan i Shtetit John Kerry nënshkruan më 20 prill 2015 në Uashington Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik SHBA-Shqipëri, e cila shënoi edhe pikën kulmore të vizitës së kryediplomatit shqiptar në ShBA. Për të mësuar diçka më shumë i morëm një intervistë këshilltarit për mediat në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë Glevin Dervishi.

R.H: Zhvillimi dhe fuqizimi i kapaciteteve shtetërore shqiptare në kuadër të bashkëpunimit si vend anëtar i NATO-s, a do të garantojë sigurinë në rajon në luftën kundër terrorizmit?

G.D: Shqipëria dhe Shtet e Bashkuara të Amerikës ndajnë një histori të lidhjeve të ngushta, të angazhimeve për demokraci dhe marrëdhënieve të qëndrueshme strategjike. Zhvillimi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i partneritetit strategjik afatgjatë rrit sigurinë e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë edhe komunitetin euroatlantik, për vetë faktin se dy vendet tona janë anëtare të NATO-s. Ne ndajmë gjithashtu gatishmërinë për të kontribuar për të mirën globale, duke promovuar demokracinë, stabilitetin, paqen dhe prosperitetin. Deklarata e Partneritetit Strategjik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë është një shprehje e qartë e vullnetit dhe angazhimit për të thelluar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, marrëdhënie të cilat datojnë që në krijimin e shtetit shqiptar, për vetë angazhimin që kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës në historinë moderne të Shqipërisë dhe në kontributin që kanë dhënë ata për paqen në Ballkan dhe për kauzën e shqiptarëve në rajon. Në këto kushte, dy vendet tona lidhën Deklaratën e Partneritetit Strategjik, e cila fokusohet në disa linja kryesore, siç është intensifikimi i dialogut politik, siguria, mirëqeverisja e shteti ligjor, shoqëria civile, zhvillimi ekonomik dhe siguria energjetike. Gjithashtu, në kuadër të angazhimit të Shteteve të Bashkuara gjatë 25 vjetëve të fundit, në deklaratë përfshihet arsimi dhe shërbimet kulturore.

R.H: Z.Bushati ka bërë të ditur se në maj të 2015-s do të mbahet në Tiranë një samit kundër terrorizmit, edhe pse Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë shënjestër e drejtpërdrejtë e forcave terroriste. A do të ndikojë kjo në faktorizimin e Shqipërisë në marrëdhëniet rajonale të Ballkanit?

G.D: Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerë në paqen globale dhe kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Përveç faktit që kemi qenë të angazhuar në disa operacione ushtarake në krah të Shteteve të Bashkuara në 20 vjetët e fundit, ne ndajmë përpjekjet dhe sfidën globale, siç është lufta kundër terrorizmit dhe lufta kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj. Ndonëse fenomeni i luftëtarëve të huaj e ka prekur Shqipërinë në një masë të vogël, sërish nga fenomene të tilla nuk mund të ketë imunitet asnjë prej vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë. Në këto kushte, Shtetet e Bashkuara edhe Shqipëria janë të angazhuara për të forcuar më tej bashkëpunimin nëpërmjet mekanizmave ligjore dhe atyre operacionale, në mënyrë që t'u bëjmë ballë fenomeneve të tilla. Në lidhje me fenomenin e luftëtarëve të huaj dhe dhunës ekstremiste, në Shqipëri do të organizohet në muajt që vijnë një samit i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me disa vende të tjera partnere, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj. Ky është një samit që do të kontribuojë gjithashtu edhe në dhënien e mesazheve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për vetë faktin se Shqipëria shërben si një model i bashkekzistencës dhe bashkëjetesës, element ky i evidentuar edhe gjatë vizitës së Papa Françeskut në Tiranë.

R.H: Pas takimit me z. Kerry, ministri i Jashtëm Bushati deklaroi marrjen e mbështetjes së FBI-së për ngritjen e së shumëpërfolurës "Byro Kombëtare e Hetimit". Çfarë impakti pritet të ketë kjo risi në drejtësinë shqiptare?

G.D: Gjatë takimit mes tyre, ministri Bushati dhe sekretari amerikan i Shtetit Kerry diskutuan edhe për ngritjen e Byrosë së Hetimit, kjo vjen edhe si rezultat i angazhimit të Shteteve të Bashkuara në 20 vjetët e fundit në Shqipëri, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, forcimit të organeve ligjzbatuese dhe shtetit të së drejtës. Shqipëria mirëpret çdo kontribut, në mënyrë të veçantë të aleatit të saj strategjik, ShBA-së, në rritjen e kapaciteteve operacionale dhe administrative, siç është në këtë rast Byroja e Hetimit. Ne mirëpresim ekspertizën amerikane në këtë fushë dhe kemi dëshmuar vullnet, ashtu sikundër në disa ngjarje shumë të rëndësishme me karakter hetimor në Shqipëri, ekspertët amerikanë kanë qenë të angazhuar në nivele të ndryshme. Ne shpresojmë dhe mendojmë që ky angazhim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndihma që do të japin në ngritjen e Byrosë të Hetimit do të shërbejë gjithashtu si një model për të gjithë institucionet e tjera ligjzbatuese dhe për të marrë realisht më të mirën e ekspertëve amerikanë.

R.H: Nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit Strategjik ShBA-Shqipëri, a përbën një garanci më shumë për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe për sfidat me të cilat përballet arkitektura e sigurisë europiane sot?

G.D: Dokumenti strategjik mes ShBA-së dhe Shqipërisë ndahet në dy pjesë: në një deklaratë të përbashkët dhe në një plan veprimi midis dy vendeve. Në planin e veprimit, i cili është edhe elementi më i rëndësishëm i këtij dokumenti, përfshihen të gjitha fushat e bashkëpunimit dypalësh, të përmendura në krye të kësaj interviste. Plani i veprimit garanton në mënyrë konsistente dhe konstante pasjen e dialogut më të lartë politiko-diplomatik mes dy vendeve, organizimin e konsultave dhe shkëmbimin e ekspertizës dhe të eksperiencave dypalëshe, për të mundësuar bashkërendimin dhe bashkorganizimin për një sërë çështjesh dypalëshe të rëndësishme. Projektdeklarata e përbashkët e Partneritetit Strategjik fokusohet në një bosht trepalësh, ku ndërthuren tre elemente dhe ndahen në partneritet për çështje rajonale, për çështje globale dhe partneritet për agjendën dypalëshe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetëse konstante të rrugës integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, ashtu siç po na mbështesin dhe kanë mbështetur qartësisht aspiratat e rajonit tonë për të ecur më shpejt drejt integrimit europian. Fakti që Ballkani Perëndimor sot është në paqe, është edhe si rezultat i angazhimit konstant të Shteteve të Bashkuara për të mundësuar një rajon më të paqtë dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar dhe kanë mbështetur në mënyrë konstante aspiratën e Shqipërisë në rrugën integruese. Ka një pikëprerje shumë domethënëse në fushat që përmban ky partneritet, të cilat janë fushat që pikëtakohen edhe në procesin e integrimit europian. Ne e shohim partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, dhe si një mesazh të rëndësishëm për fokusin që ka rajoni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

R.H: Z. Kerry, në një deklaratë të përbashkët për shtyp me z.Bushati, bëri të ditur se po punohet me Shqipërinë si partnere në disa fronte, ndër të tjera, në reformat e brendshme ekonomike dhe legjislative. Ku konsiston ky bashkëpunim dypalësh për perspektivën e zhvillimit të Shqipërisë?

G.D: Bashkëpunimi dypalësh midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një bashkëpunim i cili ka ardhur në një rritje të qëndrueshme, kryesisht gjatë 25 vjetëve të fundit. Shtetet e Bashkuara janë kontribuese kryesore në Shqipëri në disa procese dhe në disa sektorë kryesorë të vendit. Gjithashtu, kemi një partneritet të mirë ekonomik, edhe pse kemi sërish një potencial shumë të madh për të pasur një intensitet të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare. Është shprehur interesi edhe në Deklaratën e Partneritetit Strategjik për të pasur një bashkëpunim më të strukturuar në fushën energjetike për gjithë rajonin, ku ShBA-ja është prezente edhe nëpërmjet projektit TAP, si një mundësi për të diversifikuar rrugët e energjisë dhe sigurinë energjetike në Europë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në bashkëpunimin dypalësh me Shtetet e Bashkuara do të evidentoja gjithashtu bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, të policisë së shtetit, të arsimit dhe të shkëmbimeve kulturore, si dhe një kontribut shumë i rëndësishëm për Shqipërinë ka qenë kontributi në shoqërinë civile dhe në ngritjen e kapaciteteve të saj për të analizuar dhe zhvilluar politikat publike, si dhe në fushën e mirëqeverisjes, të shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut, ku dy palët zotohen mbi reforma në linjë edhe me udhërrëfyesin e Bashkimit Europian për Shqipërinë.

R.H: A ka projekte bashkëpunimi Shqipëria me Kinën për 2015-n? Dhe nëse po, në cilat fusha priten të konkretizohen ato?

G.D: Shqipëria dhe Kina kanë ndër vite një bashkëpunim shumë të mirë, kryesisht në fushën ekonomike. Shqipëria së fundmi është pjesë e iniciativës Kinë – Europë Qendrore dhe Lindore. Në takimin e fundit që ka pasur kryeministri Rama me kryeministrin kinez Li Keqiang, ne kemi shprehur dëshirën që të zgjerojmë bashkëpunimin me Kinën në fushën ekonomike, tregtare, bujqësore, infrastrukturore, si dhe në arsim. Shqipëria mirëpret investimet kineze në fushat e sipërpërmendura dhe jemi të gatshëm të intensifikojmë më tej shkëmbimet tregtare. Ndër vite, dhe kryesisht gjatë 20 vjetëve të fundit, Kina ka qenë një partner i rëndësishëm ekonomiko-tregtar në vend. Pala shqiptare e sheh me shumë interes një intensifikim të mëtejshëm të raporteve me Kinën. Do të mirëprisnim investimet kineze në fushën e infrastrukturës në vend, për të cilën autoritetet kineze kanë shprehur interes. Kemi një element të rëndësishëm që dëshiroj ta evidentoj: Shqipëria i ka propozuar palës kineze ngritjen e një qendre në fushën e arsimit të lartë, e cila do të ishte një mundësi e mirë si për studentët shqiptarë, por edhe për botën akademike dhe intensifikimin e këtyre raporteve midis dy vendeve tona. Shprehim gatishmërinë për të shkuar më tej në intensifikimin e këtyre raporteve, pasi këto raporte do të vijnë duke u konsoliduar nëpërmjet takimeve dhe agjendës dypalëshe që paraprin zhvillimin e mëtejshëm. (Raela Hafizi)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China