20150510berthamore |
Drejtoria kombëtare e Energjisë e Kinës po provon zbatueshmërinë e ndërtimit të centraleve bërthamore në brendësi të vendit në 5 vjetët e ardhshëm dhe kjo ka ngjallur debate të ashpra në qarqet e energjisë. Pse Kina do të ndërtojë centrale bërthamore në brendësi të territorit të saj? A janë të sigurta ato? Si janë qëndrimet e vendeve të tjera për zhvillimin e centraleve bërthamore?
Në programin e sotëm, do t'ju flas për debatet mbi sigurinë e centraleve bërthamore.
Pas aksidentit të centralit bërthamor japonez në Fukushima në vitin 2011, opinioni publik e humbi besimin për ndërtimin e centraleve bërthamore dhe Kina ndërpreu përkohësisht miratimin e ndërtimit të centraleve bërthamore në brendësi të territorit. Por kohët fundit, programi i ndërtimit të centraleve bërthamore brenda Kinës është kthyer përsëri në vëmendjen e publikut. Në dhjetor të vitit 2014, Këshilli i Shtetit publikoi "Planifikimin e veprimeve strategjike për zhvillimin energjetik 2014-2020", ku kërkohet të studiohet zbatueshmëria e ndërtimit të centraleve bërhtamore në brendësinë e vendit.
Ndërtimi i centraleve bërthamore ka të bëjë me sigurinë e jetës së popullsisë, që tregon vëmendje të madhe për ndikimin e centralit ndaj cilësisë së ujit, veçanërisht kur ndodhin aksidente të rënda bërthamore.
Inxhinierja e Shoqatës së Energjisë Bërthamore të Kinës, profesoresha Zhou Ruming shprehet se me funksionimin normal të centraleve bërhtamore janë të pranueshme ndikimet e lëngjeve të përdorura radioaktive ndaj ujit nëntokësor.
"Në gjendjen normale, lëngjet radioaktive të lëshuara nga centralet bërthamore do të ushtrojnë një ndikim të kufizuar dhe të kontrollueshëm ndaj mjedisit. Ky nuk është parashikim vetëm i Kinës, por vërtetohet në bazë të praktikave të shumë centraleve bërthamore në ShBA dhe Francë. Kina ka marrë shumë masa për trajtimin e lëngjeve të përdorura radioaktive për të garantuar cilësinë e ujit në rrjedhjen e poshtme. Kjo është e realizueshme."
Por ekspertë të tjerë paraqitën dyshim që ndryshe nga zonat e brendshme amerikane dhe franceze, në thellësinë e Kinës ka popullsi të dendur dhe nuk ka burime të pasura ujore, si dhe ndodhin shpesh tërmete. Deri tani, centralet ekzistuese bërthamore në Kinë ndërtohen në zonat bregdetare. A është i sigurt ndërtimi i centraleve bërthamore në brendësi të vendit? Lidhur me këtë, zv/kryeinxhinieri i Qendrës së Sigurisë Bërthamore dhe Radioaktive, Chang Xiangdong u përgjigj se ka marrë parasysh këta faktorë në përzgjedhjen e truallit për centralet bërthamore brenda vendit dhe do të marrë në konsideratë dhe sugjerimet e publikut.
"Sipas rregullores ligjore, në përzgjedhjen e zonave ku ndërtohen centralet bërthamore duhet marrë parasysh siguria bërthamore dhe ndikimi minimal ndaj mjedisit. Deri tani të gjitha vend-ndodhjet e centraleve bërhtamore kineze janë përcaktuar sipas këtij standardi. Pas miratimit të vendit ku do të ngrihet centrali nga qeveria qendrore, do të zhvillohet sondazhi për të mbledhur sugjerimet e publikut."
Cili është qëndrimi i Japonisë, SHBA-së dhe Francës për zhvillimin e energjisë bërthamore?
Drejtori i Shoqatës së Industrisë Atomike të Japonisë Takuya Hattori tha kohët e fundit në Forumin Botëror të Zhvillimit të Energjisë Bërthamore se megjithëse kanë kaluar katër vjet nga aksidenti i centralit bërthamor në Fukushima, Japonia nuk mund të kontrollojë krejtësisht sferën dhe shkallën e ndotjes bërthamore. Japonia ka paguar shumë për aksidentin e Fukushimas.
"Pas cunamit ndodhi aksidenti i rrjedhjes së karburantit radioaktiv në centralin Fukushima dhe si pasojë, opinioni publik japonez humbi besimin te shfrytëzimi i energjisë bërthamore dhe japonezët ishin shumë të frikësuar nga ndikimet radioaktive. Kështu ne u detyruam të rivlerësonim sigurinë e energjisë bërthamore, si dhe politikën energjetike të Japonisë. Parashikojmë se shpenzimet për të gjitha masat e shpëtimit pas aksidentit do të jenë 2 deri 3 trilionë jenë japonezë, ose 8.4 miliardë dollarë amerikanë."
Sipas analizave, lëndët e përdorura radioaktive të lëshuara nga centrali bërhtamor do të ushtrojë ndikim mbi njeriun dhe mjedisin edhe pas 100 mijë vjetëve. Centralet bërthamore nëse nuk nxirren jashtë shërbimit, do të përbëjnë kërcënim bërthamor gjatë cunameve, tërmeteve dhe sulmeve terroriste.
Drejtori i Zyrës së Zhvillimit të Energjisë Bërthamore pranë Ministrisë së Energjisë dhe të Ndryshimit të Klimës të Britanisë Hergen Haye bëri të ditur se Britania ndodhet përpara problemit të madh për trajtimin e centraleve bërthamore jashtë shërbimit dhe do të harxhojë shumë për këtë.
"Cila është sfida numër 1 për Britaninë? Ndërtuam si të çmendur centrale bërthamore, por nuk menduam seriozisht si do t'i trajtojmë pas nxjerrjes jashtë shërbimit dhe si do të trajtojmë lëndët e përdorura bërthamore? Po shlyejmë gabimet për vendimin e 40 vjetëve më parë, për ndërtimin e centraleve bërhtamore. Tani, sektori im përdor 80% të fondeve në trajtimin e lëndëve të përdorura bërthamore dhe parashikojmë se shuma e përgjithshme në këtë drejtim do të jetë 75 miliardë paund! Një gjë e tillë duhet të mos përsëritet!"
Pas aksidentit bërthamor të Fukushimas, shumë vende perëndimore, si Gjermania, Italia, Zvicra etj. vendosën të heqin dorë nga zhvillimi i mëtejshëm i energjisë bërthamore. ShBA-ja nuk ka ndërtuar ndonjë central të ri bërthamor gjatë 30 viteve të fundit. Edhe Franca vendosi të pakësojë mbështetjen te energjia bërthamore dhe parashikohet se deri në vitin 2025, pesha spesifike e energjisë bërthamore kundrejt energjisë elektrike do të ulet nga 75% që është ajo aktuale, në 50%.
Përpara rreziqeve kaq të mëdha, pse Kina do të ndërtojë centrale bërhtamore në zonat e brendshme? Përgjegjësi i Shoqatës së Energjisë Bërthamore të Kinës Zhao Chengkun shpjegoi se në të kaluarën, zonat e brendshme të vendit janë mbështetur tepër te qymyrguri dhe kjo strukturë e energjisë ka shkaktuar shumë ndotje. Drejtori i Energjisë Bërthamore pranë Drejtorisë Kombëtare të Energjisë, Liu Baohua është i mendimit se Kina ka kërkesë kolosale për energjinë elektrike dhe kjo kërkesë mund të plotësohet vetëm me energjinë bërthamore.
"Zhvillimi i energjisë bërthamore është një alternativë reale për sigurinë energjetike të Kinës. Deri në vitin 2030, Kinës do t'i nevojiten 9 trilionë kilovatorë energji në vit. Kjo kërkesë kolosale nuk mund të plotësohet pa energjinë bërhtamore. Përveç kësaj, edhe përmirësimi i strukturës së energjisë nuk ndahet nga zhvillimi i energjisë bërthamore. Aktualisht 75% e energjisë në Kinë prodhohet me qymyrgur, pra kemi ende shumë punë për të realizuar objektivin e pakësimit të shkarkimit të karbonit."
Mësohet se Kina planifikon të ndërtojë 3 centrale bërthamore brenda territorit të saj si në provincat Hunan, Hubei dhe Jiangsi. Aktualisht po studjohet nëse ky plan është i zbatueshëm. (Wang Lei)