PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Ekonomia kineze, në rënie të përkohshme, me rritje të qëndrueshme
2015-04-17 09:24:51 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria Kombëtare e Statistikave e Kinës, në tremujorin e parë të këtij viti, PBB-ja e Kinës u rrit 7% në krahasim me vitin e kaluar, përqindja kjo më e ulët gjatë 6 vjetëve, pas marsit të vitit 2009. Ekonomistë kinezë janë të mendimit se kjo përqindje është më e ulët se parashikimi, por përputhet me logjikën e kësaj faze të zhvillimit dhe parashikojnë se në gjashtëmujorin e dytë ekonomia ka mundësi të realizojë një rritje më të shpejtë.

Drejtoria Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi të mërkurën të dhënat ekonomike për tremujorin e parë dhe PBB-ja shënon 14 trilionë e 66.7 miliardë juanë, ose një rritje me 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por një rritje më të ulët qysh nga marsi 2009. Lidhur me këtë, kryeekonomisti i Qendrës Kombëtare të Informacionit të Kinës Fan Jianping u shpreh se rënia e ekonomisë në tremujorin e parë u shkaktua nga disa faktorë, si ulja e eksportit, rënia e tregut të pasurive të paluajtshme dhe kostoja e lartë e kapitaleve, por shkaku kryesor është ndryshimi i elementit thelbësor të tregut.

"Duke analizuar ekonominë kineze në tremujorin e parë të këtij viti dhe në vitin e kaluar, rënia vërehet kryesisht në degët që mbështeten te çmimi i ulët i forcës së punës, ose i elementit thelbësor. Rënia e këtyre degëve shkakton rënien e ekonomisë. Tani në Kinë, kostoja e elementit thelbësor, ose kostoja e forces së punës ka shënuar rritje, gjë që ka ndikuar në uljen e fitimit në shumë degë. Në këtë rrethanë, shtimi i investimeve dhe zgjerimi i prodhimit në këto degë do të shkaktojë superprodhim dhe rënie të forcës shtytëse."

Fan Jianping vuri në dukje se megjithëse Kina përballon presionin e madh të rënies ekonomike, nga këndvështrimi afatgjatë vendi ndodhet në momentin kyç të ndryshimit të forcës shtytëse nga elementi thelbësor në risi. Me përkrahjen e politikës së shtetit, në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, ekonomia kineze pritet të kthehet në qëndrueshmëri.

"Kohët e fundit u zbatuan disa politika në favor të rritjes ekonomike, si politika mbi stabilitetin e tregut të pasurive të paluajtshme, ulja e çmimit të energjisë për të pakësuar koston e ndërmarrjeve etj. Për Kinën nuk është e mjaftueshme vetëm ulja e interesave bankare, por krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për risitë, bazuar në reformat.

Në shpërndarjen e burimeve do të dobësohet forca e qeverisë, që ka qenë tepër e fuqishme dhe njëkohësisht do të fuqizohet forca e tregut ."

Krahas PBB-së, në tremujorin e parë pati rënie edhe në disa tregues të tjerë. Vëllimi i tregtisë së jashtme u ul 6% dhe ranë përkatësisht rritja e importit dhe ajo e eksportit. Vëllimi i transportit hekurudhor të mallrave u ul 9% në krahasim me vititn e kaluar. Treguesi i çmimeve të prodhimit (PPI) u ul 4.6% në mars, duke shënuar rritje negative për 37 muaj me radhë. Gjithashtu në mars, treguesi i çmimeve të konsumit (CPI) u rrit vetëm 1.4% dhe çmimi i mallrave vazhdon të jetë në nivel të ulët.

Ekonomisti tha se nga këndvështrimi i popullsisë, ngadalësimi i rritjes së çmimit është një gjë e mirë, por nga ana ekonomike, kjo pasqyron mungesën e kërkesave të konsumatorëve dhe presionin e rënies eknomike. Profesori Liu Wei nga Universiteti i Pekinit është i mendimit se dobësimi i konsumit do të ndryshojë nëpërmjet rregullimit të strukturës së shpërndarjes së të ardhurave kombëtare dhe forcimi i furnizimit.

"Dobësimi i kërkesave të konsumit vjen nga shpërndarja e të ardhurave kombëtare. Nga ana makroekonomike, të ardhurat kombëtare shpërndahen nga qeveria, ndërmarrjet dhe punonjësit, kurse këto vite, të ardhurat për banorë u rritën shumë ngadalë dhe përqindja tyre është ulur kundrejt të ardhurave të qeverisë dhe të ndërmarrjeve, gjë që shkakton uljen e nivelit të konsumit. Nga ana mikroekonomike, disniveli i të ardhurave të shtetasve kinezë është shumë i madh dhe qysh nga viti 2002, koeficenti Gini në Kinë ka qenë mbi 40%, përqindje alarmi e disnivelit të të ardhurave të një vendi, sipas standardit ndërkombëtar. Rregullimi i strukturës së shpërndarjes së të ardhurave kombëtare do të realizohet nëpërmjet thellimit të reformës dhe për këtë duhet një periudhë e gjatë. Atëherë, si arrihet efektiviteti në një periudhë të shkurtër? Mungesa e furnizimit është tjetër faktor që kufizon rritjen e konsumit. Shumë kinezë blejnë mallra të përditshëm jashtë vendit, sepse nuk mund të plotësojnë kërkesat e tyre produktet kineze, të pasigurta, me çmim të lartë, por cilësi të ulët, si P.Sh. qumështi formula etj., pra, nëse tregu do të furnizohet me produkte të sigurta dhe standarde, besoj se do të rritet shumë kërkesa e konsumatorëve."

Drejtori i Drejtorisë së Kërkimeve Ekonomike pranë Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare Ekonomike të Kinës Xu Hongcai tha se bazuar në këtë situate të dobët në fillim në vitit, në të ardhmen do të hartohen më shumë politika liberalizuese.

"Do të zbatohet politika aktive për pakësimin e taksave dhe të kuotizacioneve dhe do të konkretizohen investimet në disa projekte strategjike, si Brezi Ekonomik përgjatë Rrugës së Mëndafshit, Rruga Detare e Mëndafshit të Shekullit të 21-të, zhvillimi i përbashkët i Pekinit, Tianjinit dhe të Hebeit, Brezi Ekonomik përgjatë rrjedhës së Lumit Yangce etj. Ekonomia kineze ka ende hapësirë të madhe për të realizuar rregullimin e strukturës ekonomike dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë." (Wang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China