PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Progres në bisedimet për programin bërthamor të Iranit
2015-04-09 14:43:32 CRI Komenti juaj Printoni

Më 2 prill, përfunduan në Lozanë të Zvicrës bisedimet në rang ministri të jashtëm midis 6 vendeve të programit bërthamor të Iranit, Bashkimit Europian e Iranit për këtë program. Si rezultat i bisedimeve, palët bënë një deklaratë të përbashkët ku shprehet mendimi unanim lidhur me projekt-marrëveshjen për disa probleme kyçe të programit bërthamor të Iranit. Ky është një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e gjithanshme politike të problemit bërthamor të Iranit, që ka zgjatur 12 vjet.

Pas bisedimeve të vështira 15-ditore, pasditen e 2 prillit organizuesja e tyre, njëherësh përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë , Federica Mogherini deklaroi:

"Sot hodhëm një hap vendimtar dhe arritëm projekt-marrëveshjen për zgjidhjen e problemeve kryesore të marrëveshjes përfundimtare. Ky rezultat u arrit në bashkëpunimin dhe me përpjekjet e palodhshme të palëve, duke shfaqur vendosmëri politike dhe vullnet të mirë."

Në të njejtën ditë Federica Mogherini dhe ministri i jashtëm iranian Javad Zarif paraqitën deklaratën e përbashkët të sapoarritur. Sipas protokollit, Federica Mogherini paraqiti deklaratën në gjuhën angleze, në emër të 6 vendeve pjesmarrëse në diskutimet për programin bërthamor të Iranit, kurse Javad Zarif e paraqiti atë në persisht.

Megjithëse deklarata u arrit dy ditë pas afatit dhe emërtesa e saj u ndryshua, përmbajtja përfshin fushat kyçe për zgjidhjen e problemit bërthamor të Iranit. Thelbi i deklaratës është kufizimi i programit bërthamor të Iranit, për të siguruar përdorimin paqësor të tij, duke hequr sanksionet e komunitetit ndërkombëtar ndaj Iranit.

Lidhur me pasurimin e uraniumit, deklarata e lejon Iranin të vijojë përdorimin paqësor të programit bërthamor, duke kufizuar nivelin e pasurimit dhe rezervat e uraniumit. Lejohet ruajtja e pajisjeve bërthamore Natanz, por duhet të rindërtohen me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar pajisjet bërthamore Faldo dhe reaktori me ujë të rëndë Akra. Irani mund të zhvillojë centrifugën e brezit të ri, por duhet të veprojë sipas përmasave e orarit të caktuar.

Në të njëjtën kohë, pasi Agjencia Atomike Ndërkombëtare konfirmon zbatimin nga Irani të premtimeve bërthamore të bëra, Bashkimi Europian e SHBA-ja do të anulojnë sanksionet ekonomike e financiare ndaj tij. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të miratojë një rezolutë të re dhe do të anulojë rezolutën e sanksioneve ndaj Iranit, duke caktuar masat e kufizimit brenda një afati të ri.

Në deklaratë thuhet se arritja e projekt-marrëveshjes ka hedhur bazat për arritjet e marrëveshjes së gjithanshme të programit bërthamor të Iranit. Federica Mogherini u shpreh:

"Në muajt e ardhshëm, do të hartojmë tekstin e marrëveshjes së gjithanshme, nga pikpamja politike dhe e specialistëve, si dhe do të bëjmë përpjekje për të mbaruar këtë punë para 30 qershorit."

Pas deklaratës, ministri i jashtëm iranian Javad Zarif dhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry organizuan me radhë konferenca shtypi. Javad Zarif u shpreh se rezultati i bisedimeve tregon se dialogu mund të zgjidhë problemin, duke hapur një botë të re:

"Kur të fillojmë të zbatojmë detyrat tona, do të përfundojnë sanksionet, ndaj ky është një hap i rëndësishëm i hedhur nga ne."

John Kerry u shpreh se dokumenti i arritur nga palët në bisedime ka rëndësi monumentale dhe prova e këtij rezultati është se bota do të bëhet më e qetë dhe më e sigurtë. Ai tha:

"Në fazën e ardhshme, specialistët tanë do të vazhdojnë punën, sipas rezultatit të bisedimeve të sotme me qëllim që të arrihet para fundit të qershorit marrëveshja e gjithanshme e zgjidhjes së problemit bërthamor të Iranit."

Ministri i jashtëm kinez Wang Yi që mori pjesë në bisedimet e Lozanës u shpreh se Kina mirëpret arritjen e konsensusit për programin bërthamor të Iranit, duke e quajtur atë si një lajm të mirë për botën. Ai shtoi se programi bërthamor i Iranit lidhet me sistemin ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore, me të drejtën e Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe me paqen e stabilitetin në Lindjen e Mesme. Zgjidhja e këtij problemi nëpërmjet bisedimeve e dialogut përputhet me interesat e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar dhe me Kartën e OKB-së.

Deklarata e përbashkët e arritur nga 6 vendet e programit bërthamor të Iranit, BE-ja e Irani është një dokument tjetër i rëndësishëm për zgjidhjen e problemit bërthamor të Iranit pas marrëveshjes periodike të arritur në nëntor të vitit 2013. Ky është një hap kyç për zgjidhjen e gjithanshme politike të problemit bërthamor të Iranit që ka zgjatur 12 vjet. Më pas, në bazë të deklaratës, palët do të zhvillojnë bisedimet për hollësirat dhe për të arritur marrëveshjen përfundimtare, para fundit të qershorit. (Fani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China