20150329expo |
Më 1 maj do të hapet në Itali Ekspozita Botërore e Milanos për vitin 2015. Aktualisht ndërtimi i parkut të Ekspozitës Botërore është drejt përfundimit dhe ndërtesa kryesore e pavijonit kombëtar të Kinës do të përurohet së shpejti. Gjatë 6 muajve të ekspozitës, pavijoni kombëtar i Kinës me logon "Valëzim gruri" do t'i njohë vizitorët nga e mbarë bota me bujqësinë kineze .
Ekspozita Botërore e Milanos për vitin 2015 me temën kryesore "Ushqimi në Tokë, energji për jetën" do të mbahet nga 1 maji deri më 31 tetor, ku do të marrin pjesë më se 140 vende e rajone të botës si dhe organizata ndërkombëtare. Zhvillimi i suksesshëm i Ekspozitës Botërore të Shangait të vitit 2010 ngjalli entuziazëm për këtë takim madhështor botëror, prandaj kur nënshkruan në vitin 2012 me palën kineze marrëveshjen e pjesëmarrjes në Ekspozitën Botërore të Milanos, organizuesit paraqitën planin e tërheqjes së 1 milion turistëve kinezë. Me promovimin e ekspozitës në krahina të ndryshme kineze, organizuesit e ngritën këtë numër në 1.5 milionë. Përfaqësuesi i përgjithshëm i pavijonit kombëtar të Kinës në Ekspozitën Botërore të Milanos, Wang Jinzhen u shpreh:
"Kemi ndihmuar palën italiane në promovimin e Ekspozitës Botërore të Milanos në 8 qytete kineze. Stacioni i parë ishte Pekini, ku CEO-ja e ekspozitës Giusepe Sala shpalli objektivin e tyre për tërheqjen e 1.5 milionë turistëve kinezë dhe u shpreh për realizimin me lehtësi të tij. Atë kohë, në nëntor të vitit të kaluar, u shitën në Kinë 800 mijë bileta për të vizituar Ekspozitën Botërore të Milanos, ndërsa Giusepe Sala parashikoi se para mbylljes së ekspozitës, në Kinë do të shiten më shumë bileta. Sipas tij, megjithëse mes Italisë e Kinës ka largësi të madhe, shumë kinezë kanë shprehur interesin e tyre për Ekspozitën Botërore të Milanos, gjë që tregon se pas Ekspozitës Botërore të Shangait, kinezët kanë më shumë njohuri për këtë."
Wang Jinzhen tha se Ekspozita Botërore është një platformë e rëndësishme e diplomacisë publike dhe është një rast i mirë për shtimin e shkëmbimeve e njohjes mes vendeve të ndryshme. Sipas tij, pavijoni i Kinës do të përdoret plotësisht për të promovuar Kinën:
"Ekspozita Botërore e Milanos do të zgjatë 6 muaj dhe gjatë kësaj periudhe, pavijoni i Kinës do të organizojë një sërë aktivitetesh. Ndër to janë forume bujqësore, turistike, veprimtaria me temë "Dita ose java e 17 provincave, rajoneve e qyteteve', ku përfshihen shkëmbime idesh ekonomiko-tregtare, shkëmbime bujqësore, aktivitete turistike, të modës etj. Këto aktivitete zhvillohen jo vetëm brenda pavijonit, por edhe jashtë Milanos."
8 qershori do të jetë dita e pavijonit kombëtar të Kinës dhe shënon kulmin e pjesëmarrjes së Kinës në Ekspozitën Botërore të Milanos. Pala kineze do të zhvillojë një shfaqje të shkëlqyer artistike për pjesmarrësit nga vende të ndryshme. Lidhur me këtë Wang Jinzhen tha:
"Jemi të bindur se shfaqja artistike e asaj dite do të jetë e mrekullueshme dhe do të përshëndetet nga publiku. Shpresojmë që me këtë rast, t'i njohim ata me idenë e sukseset e zhvillimit kulturor e shoqëror të Kinës, veçanërisht me zhvillimin bujqësor. Dëshirojmë të nxitim bashkëpunimin me Italinë e Europën në këtë fushë për të realizuar zhvillimin e përbashkët."
Ekspozita Botërore e Milanos fokusohet te bujqësia dhe ushqimi, ndaj pavijoni i Kinës paraqet plotësisht këtë temë me projeksionin e valëzimit të grurit nga era.
Në sheshin jashtë pavijonit do të ndërtohet me LED një arë gruri me një sipërfaqe prej 400 metrash katrorë. Kjo arë dhe ekspozita brenda pavijonit do t'i njohin vizitorët me zhvillimin bujqësor të Kinës.
Kjo është hera e parë e ndërtimit nga vetë pjesmarrësit e pavijonit jashtë vendit, që nga pjesëmarrja e Kinës në Ekspozitën Botërore. Hapësira e ekspozimit e Kinës është pak më e vogël se e Gjermanisë dhe është pavijoni i dytë i madh, i ndërtuar në parkun e Ekspozitën Botërore të Milanos. Ka njoftime që pas mbylljes së Ekspozitës Botërore të Milanos, pavijoni i Kinës do të transportohet sërish në atdhe, madje përfaqësuesi i përgjithshëm i pavijonit kombëtar të Kinës Wang Jinzhen e konfirmoi këtë:
"Pavijoni kombëtar i Kinës është shumë i bukur dhe ka vlerë të transportohet prapë në atdhe. Ai do të vendoset në ndonjë vend të përshtatshëm."
Tani Ekspozita Botërore e Milanos ka nisur numërimin mbrapsht, ndërsa organizatorët për të siguruar suksesin e pavijonit kinez po kontaktojnë me persona që flasin gjuhën kineze në Milano. Për këtë Wang Jinzhen tha:
"Kemi kontaktuar me Institutin vendor të Konfucit për të gjetur studentë që flasin gjuhën kineze, të cilët mund të punësohen nëe pavijonin tonë. Siç bëhet e ditur, krahas pavijonit të Kinës, edhe pavijone të disa vendeve të tjera si Izraeli kanë nevojë për shërbimin e personave që flasin kinezisht. Sepse këto vende tashmë e dine se gjatë Ekspozitës Botërore të Milanos do të vijnë shumë vizitorë kinezë dhe përgatitja e punonjësve që flasin gjuhën kineze do të jetë në favor të shkëmbimeve me ta." (Fani)