20150325intervista |
Sot takohemi me specialistin kinez të sistemit automatik Fei Minfu që ka punuar në ndërmarrjen e përbashkët të çelikut të Elbasanit. Në atë kohë, kjo teknikë e lartë nuk njihej në Shqipëri, prandaj përveç punëve në ndërmarrje, Fei Minfu dha mësim për specialistët shqiptarë, përfshirë dhe studentët e Universitetit të Tiranës. Aktualisht zoti Fei është pensionist pas punës në Kompaninë Wugang të Shangait. Ai thotë se në jetën e tij nuk ka bërë gjëra të jashtëzakonshme, por është krenar që është dërguar të punojë në Shqipëri. Ai shpesh flet për përvojën e tij shqiptare dhe shpreson që fëmijet e tij të ndjehen krenarë për këtë.
Ju ftoj të ndiqni intervistën e gazetares së Radio Ejani Zhang Zhuo me zotin Fei Minfu.
Gazetarja: Kur filluat punën në ndërmarrjen e përbashkët të çelikut të Elbasanit?
Fei Minfu: Nga tetori i vitit 1972 deri në tetorin e vitit 1975, mora pjesë në punët përgatitore të ndihmës që fabrika e 5-të e çelikut në Shangait dërgoi në Shqipëri. Në këto tre vite, përgatitëm në Kinë të gjitha pajisjet. Në atë kohë u kryen disa ndryshime të pajisjeve pasi sistemet automatike në fillim kishin të bënin me standardin e tubave teknikë, i cili ndryshoi në atë të tranzistorëve. Kur studjoja në universitet kisha mësuar sistemin automatik të tubave teknikë, por më pas u përgatita për projektin e Elbasanit. Pasi komunikova me Institutin e Projektimit u deshën 3 vjet të përgatitej sistemi automatik .
Gazetarja: Cilat janë përshtypjet tuaja nga koha kur jetuat dhe punuat në Shqipëri ?
Fei Minfu: Në aspektin profesional ishte e vështirë sepse nuk kishte nisur ende prodhimi. Kujtoj se rruga për në kombinat ishte me baltë dhe gjithmonë i kisha me baltë këpucët. Unë dhe një specialist tjetër kinez ishim përgjegjës për sistemin automatik në 3 sektorë të kombinatit. Përveç kësaj jepja mësim për specialistët shqiptarë të sistemit automatik në një grup prej 10 vetësh ku bënin pjesë dy drejtorë, që ishin specializuar në Kinë. Madje kujtoj emrat e tyre, Fatmir dhe Ramadan. Pjesa dërrmuese e punonjësve të këtij grupi u specializuan si teknikë të mesëm. Ata nuk kishin kryer studime për sistemet automatike, por vetëm në degën elektrike ose mekanike. Në mësimet që jepja përfshiheshin njohuri për sistemet automatike, të riparimit të aparaturave. Kur ne kontrollonim aparaturat e fabrikës specialistët shqiptarë na ndiqnin dhe mësonin prej nesh. Një vështirësi për mua ishte mosnjohja e gjuhës shqipe, ndaj shumë pyetje të specialistëve shqiptarë i shpjegoja duke bërë vizatime.
Gazetarja: Ju keni punuar me specialistët në linjën e parë ?
Fei Minfu: Para fillimit të prodhimit, banuam në një qytezë rreth 10 kilometra larg fabrikës dhe lëviznim me makinë për 20 minuta çdo ditë. Pas fillimit të prodhimit nisëm të banonim në fabrikë. Ishte një godinë e thjeshtë e ndërtuar nga shqiptarët për specialistët kinezë. Për rreth 24 orë ishim në gjendje pune për të siguruar një prodhim të rregullt. Nëse lindte ndonjë problem, na lajmëronin me telefon dhe ne shkonim menjëherë në kombinat. Kujtoj se kjo gjendje zgjati për disa muaj. Nganjëherë ne flinim në godinën e punës,por kur specialistët shqiptarë e zotëruan profesionin ne u rikthyem në qytezë për të banuar.
Gazetarja: Si ishte vlerësimi i specialistëve shqiptarë ndaj atyre kinezë ? Ata shqiptarë admiruan nivelin e specialsitëve kinezë?
Fei Minfu: Ata e vlerësonin shumë punën e specialistëve kinezë, pasi nuk e njihnin sistemin automatik dhe pajisjet e tij. Gjatë kohës që jepta mësim një profesor i Universitetit të Tiranës më ndiqte dhe mbante shënime për të hartuar mëpas tekstet e sistemit automatik që atëkohë nuk ekzistonin në Shqipëri. Ai më pas jepte leksione për studentët shqiptarë të inxhinierisë. Në vitin e fundit, studentët duhet të realizonin projekte, kurse më pas do të pyeteshin nga profesorët rreth tyre. Provimet e studentëve u transmetuan dhe në televizion dhe kërkesat e universiteteve ishin të larta. Një studente e quajtur Elira bashkëpunoi me mua për temën e diplomës, madje dhe titullin ja vura unë.
Gazetarja: Kur u larguat nga Shqipëria?
Fei Minfu: Kam qënë atje 2 vite dhe gjatë kësaj periudhe nështatorin e vitit 1976 u ktheva në Kinë për pushime. Në tetorin e vitit 1977 ende nuk kishte nisur tërheqja e madhe nga Shqipëria. Në marsin e vitit 1977, fabrika filloi prodhimin por para kësaj u vu në funksionim i gjithë sistemi automatik. Në atë kohë dëshiroja të kthehesha në shtëpi sa më parë, por drejtuesi shqiptar i sektorit më tha se shpresonte të kthehesha sërish në Shqipëri. Pas kthimit tim në Kinë, marrëdhëniet kino-shqiptare ishin në gjendje të vështirë ndaj meqë sistemi i prodhimit ishte vënë në funksionim nuk u pa e arsyeshme që të kthehesha vetëm për mësimdhënie. Madje dhe bagazhet që kisha lënë në Shqipëri mi kthyen kolegët kinezë që në atë kohë ndodheshin në Shqipëri.
Gazetarja: Nga eksperienca juan në Shqipëri kanë kaluar 40 vjet. Cilat janë përshtypjet që ruani për këtë vend dhe miqtë tuaj shqiptarë ?
Fei Minfu: Shqipëria është një vend i vogël me popullsi prej 3 milionë banorësh, njerëz të hapur dhe të guximshëm. Kujtoj se luajnë shumë mirë futboll. Kina është një vend shumë i madh por pa traditë në futboll. Kur u ktheva në Kinë, dëshiroja të bisedoja me shokët që kishin punuar në Shqipëri për situatën e atjeshme dhe marrëdhëniet kino-shqiptare. Mësova se kombinati metalurgjik i Elbasanit ndaloi prodhim dhe për këtë më vjen shumë keq.
Fei Minfu tani pensionist thotë se jeton i qetë në familjen e tij dhe shpesh kujton kohën kur punoi dhe jetoi në Shqipëri si dhe miqtë e tij shqiptarë.