20150322bank |
Javën e kaluar, Ministria e Financave e Britanisë i paraqiti palës kineze letrën e konfirmimit për pjesëmarrjen me statusin e vendit anëtar themelues në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore,si një kërkesë zyrtare për anëtarësim në këtë bankë, të propozuar nga Kina. Pas Britanisë, Franca, Gjermania e Italia paraqitën të njejtën dëshirë, kështu deri tani katër vende europiane kanë shfaqur dëshirën për të qenë pjesë e Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore.
Britania është vendi i parë kryesor perëndimor që paraqiti dëshirën për anëtarësimin në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, për këtë, SHBA-ja shprehu pakënaqësinë e saj për veprimin e këtij aleati të ngushtë, kurse zëdhënësi i rezidencës së kryeministrit britanik u shpreh se anëtarësimi i Britanisë në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore përputhet me interesat shtetërore dhe do të jetë në favor të pjesëmarrjes së Britanisë në veprimtarinë e tregut aziatik. Kryetari i komisionit të politikës e të burimeve të qytetit financiar të Londrës, Mark Boleat theksoi se tregu aziatik ka rëndësi të madhe për Britaninë:
"Britania u bë vendi i parë kryesor perëndimor që paraqiti kërkesën për anëtarësim në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, një tregues ky i rëndësisë së tregut aziatik për Britaninë."
Kryetari i klubit të 48 grupeve të Britanisë që merret për shumë vjet me tregtinë britaniko-kineze Stephen Perry është i mendimit se Britania e paraqiti kërkesën për anëtar themelues i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore për shkak se shpreson të kapë shanset e zhvillimit aziatik. Ai tha:
"Anëtarësimi në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore do t'i sjellë Britanisë shanse zhvillimi. Britania është shumë e qartë se nëse shpreson të marrë pjesë në zhvillimin e Azisë, duhet të marrë pjesë së pari në një institucion aziatik."
Duke folur për rolin e mundshëm të Britanisë në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, kryetari i komisionit të politikës e të burimeve të qytetit financiar të Londrës Mark Boleat është i mendimit se Britania e vendet aziatike kanë perspektivë të gjerë bashkëpunimi në fusha të ndërtimit të infrastrukturës, të projekteve publike, të shërbimit financiar, të teknologjisë së gjelbër etj. Ai tha:
"Britania ka përvojë të pasur në ndërtimin e infrastrukturës, të projekteve publike, të shërbimit financiar dhe të teknologjisë së gjelbër që po rriten me shpejtësi në tregun aziatik dhe pjesëmarrja e Britanisë në këto fushat do të jetë një mundësi e re për nxitjen e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Britanisë e vendeve aziatike."
Kryetari i klubit të 48 grupeve të Britanisë Stephen Perry shtoi se pjesëmarrja e vendeve perëndimore në tregun aziatik është një proces me leverdi reciproke. Pjesëmarrja e Britanisë do ta ndihmojë Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore të njohë modelin e administrimit të Perëndimit dhe do të jetë në favor të tërheqjes së më shumë investimeve nga Perëndimi.
Pas shprehjes së dëshirës për anëtarimin në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, Ministria e Punëve të Jashtme e Francës bëri një deklaratë, sipas të cilës Franca, Gjermania e Italia shpresojnë të anëtarësohen në këtë bankë si vende anëtare themeluese për të krijuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë një institucion që zbaton standardet më të larta në fushën e menaxhimit, të kredive dhe të projekteve publike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hong Lei u shpreh se Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore është një institucion i hapur i zhvillimit shumëpalëshe dhe Kina mirepret pjesëmarrjen e vendeve të ndryshme në këtë bankë me statusin e vendit anëtar themelues.
Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore propozohet nga Kina dhe krijohet me objektiv kryesor ndërtimin infrastrukturor në Azi. Kapitalet fillestare të kësaj banke janë 50 miliardë dollarë dhe përmasat e ardhshme të kapitaleve do të arrijnë në 100 miliardë dollarë. Para 4 vendeve europiane, 27 vende të tjera kanë paraqitur kërkesën për anëtarësim në këtë bankë si vende anëtare themeluese.
Opinioni publik është i mendimit se Kina propozon të krijojë Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore për të shfaqur pakënaqësinë e saj për rendin financiar ndërkombëtar me përfaqësinë e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të mbizotëruar nga SHBA-ja e Europa, sepse Kina nuk gëzon të drejtën e duhur të shprehjes në këto institucione. Me pjesëmarrjen e vendeve të zhvilluara ai Britania, obligacionet e dhëna nga Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore do ta kenë të lehtë të marrin vlerësim të lartë dhe kjo do të jetë në favor të uljes së kostos së mbledhjes së fondeve, duke sfiduar të drejtën e drejtimit financiar në Azi, të zotëruar nga Japonia e SHBA-ja. Për shkak të shqetësimit për mënjanimin e të drejtës së drejtimit financiar në botë, SHBA-ja ka ushtruar disa herë presion mbi vendet e saj aleate për t'i kërkuar të mos anëtarësohen në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, por për interesat e veta disa aleatë të saj si Britania etj. nuk marrin parasysh presionin e palës amerikane. (Fani)