20150322krime |
Më 18 mars 2014, presidenti i Rusisë Vladimir Putin nënshkroi marrëveshjen me përfaqësuesit e Krimesë dhe të Sevastopolit, që u lejon dy vendeve të bëhen pjesë e Rusisë me statusin federativ. Çështja e Krimesë ka histori të ndërlikuar dhe për "rikthimin e Krimesë", rusët mendojnë se është ndreqja e gabimit historik, ndërsa Ukraina nuk pranon ligjshmërinë e referendumit të Krimesë për rikthimin në Rusi dhe shprehet se nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i Krimesë. Sot, kur ka kaluar një vit që nga "bashkimi" i Krimesë me Rusinë, si reagojnë banorët e saj ndaj vendimit të tyre të një viti më parë? Përballë presioneve të rënda të vendeve perëndimore, si po e paguan Krimea "rikthimin"?
Jalta, qyteti i vogël bregdetar në jug të Krimesë ka qenë rezidencë qeveritare qysh nga periudha e carëve rusë dhe në breg të detit gjenden pallate perandorake e çifligje të aristokratëve. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në takimin tripalësh të Jaltës, midis Bashkimit Sovjetik, ShBA-së dhe Britanisë u vendos struktura e re botërore pas luftës dhe ky qytet i vogël u bë i njohur në botë. Turizmi ka qenë një nga burimet kryesore të të ardhurave të qytetit. Por gjatë vitit të parë pas bashkimit me Rusinë, sanksionet perëndimore goditën sektorin e turizmit këtu. I riu kinez Yu Junwei është student në një universitet të Krimesë dhe në kohën e lirë punon si guidë turistik . Ai i tha korrespondentes:
"Në vitet e kaluara, gjatë sezonit veror pothuajse çdo ditë ndalonte në portin e Jaltës një anije e madhe turistike kruazierë nga vendet evropiane, por në vitin 2014, asnjë anije e tillë nuk është ankoruar këtu dhe kanë ardhur vetëm turistë rusë dhe pak ukrainas."
Sipas të dhënave statistikore të ofruara nga sektori turistik, në vitin 2014 vizituan Krimenë 3.8 milionë turistë, shifër kjo e ulur 40% në krahasim me vitin 2013. Aktualisht është ndërprerë linja hekurudhore nga pjesa kontinentale e Ukrainës në gadishullin e Krimesë dhe janë mbyllur dhe pikat hyrëse tokësore. Udhëtimi për në Krime realizohet vetëm nëpërmjet Rusisë me traget, duke kaluar nga ngushtica Kerch ose me avion. Në mars, nuk ka nisur akoma sezoni turistik në Krime, dhe ka qetësi në rrugë, port dhe pikat turistike. Por vendësit që merren me turizmin nuk janë pesimistë. Tatiana, që punon në një pikë turistike në Jalta, i tha korrespondentes:
"Shpresojmë që sivjet situata do të jetë më e mirë, me ardhjen e më shumë turistëve rusë. Më përpara, rusët pothuajse e kishin harruar Krimenë dhe shkonin për pushime në Turqi dhe Soçi, kurse tani Krimea është rikthyer në vëmendjen e tyre. Shumë turistë shprehen se u pëlqen Krimea dhe janë penduar që nuk e kanë zbuluar më herët këtë gadishull të qetë dhe të rehatshëm."
Për të zgjidhur problemin e transportit rrugor për në Krime, qeveria ruse ka premtuar të ndërtojë një urë mbi ngushticën Kerch, në vend të tragetit. Kjo urë, me një buxhet prej 3.7 miliardë dollarësh amerikanë, do të përurohet më 2018. Gjatë intervistës për korrespondenten e radios sonë, zv/drejtorja e Drejtorisë së Konvaleshencës dhe të Turizmit të Krimesë Olga Burova tha se detyra kryesore aktuale është promovimi i Krimesë si një vend i sigurt.
"Qysh nga janari e deri në mars të këtij viti, 128 mijë turistë erdhën në Krime. Besojmë se gjatë vitit 2015, Krimea do të bëhet destinacioni turistik më i preferuar në Rusi. Për këtë, po planifikojmë të bashkëpunojmë me disa federata fqinje për të krijuar paketa turistike."
Gjatë intervistave banorët shprehen në përgjithësi të kënaqur me gjendjen aktuale. Sigurisht, ekzistojnë edhe ankesa për mbylljen nga Ukraina të pikave të kalimit të kufirit tokësor, ndryshimi i linjës së brendshme telefonike me Ukrainën në linjë ndërkombëtare etj.
"Im bir është në Ukrainë, por nuk mund ta vizitoj tani. Në të kaluarën mund të flisja në telefon, por tani vetëm nëpërmjet internetit. Kjo nuk është normale."
"Motra ime është në lindje të Ukrainës. Ajo është 85 vjeçare, por tani nuk mund të lidhem me telefon me të, pasi Kompania ukrainase e telekomunikacionit u tërhoq nga Krimea."
Para nisjes për në Krime, korrespondentja e radios sonë Sun Juna u njoftua nga hoteli që kishte rezervuar se në Krime nuk mund të përdoren karta krediti, pra duhet të merrte me vete një sasi të konsiderueshme parash. Edhe dërgimi i valutave në dollarë dhe euro nga vende të tjera në Krime ka rreziqe të mëdha, si pasojë e sanksioneve të Perëndimit. Një punonjës në bankë i tha korrespondentes:
"Si masë sanksioni, ShBA-ja dhe BE-ja bllokojnë paratë që dërgohen për në Krime nëpërmjet tyre. Prandaj i propozojmë klientëve tanë të mos kryejnë shërbime me dollarë apo euro, përndryshe paratë e tyre kanë mundësi të bllokohen. Tani shumë kontrata nënshkruhen me rubël. Në të kaluarën, shumë kompani këtu që merren me programin e shifruar kompjuterik bashkëpunonin me ShBA-në, por tani shumë prej tyre u detyruan të ndërpresin kontratat, si pasojë e bllokimit bankar."
Gjatë një jave në Krime, korrespondentja e radios sonë zbuloi se pavarësisht nga sanksionet dhe ngritja e çmimit të mallrave të përditshme, vendësit shprehen të kënaqur me gjendjen aktuale. Edhe rendi publik është i qendrueshëm. Përveç parlamentit dhe qeverisë, duket rrallë polic në rrugë. Gjatë një jave, nuk ka patur ndërprerje të energjisë. Por për shkak të sanksioneve ndaj Krimesë vendësit ndihen të izoluar. Qytetari Vladimir i tha korrespondentes:
"Ky është izolim. Dikush po përpiqet të na ndajë nga bota. Tani qytetarët e Krimesë nuk mund të shkojnë në Evropë. Nuk mund të bëjmë asgjë. Kjo na shqetëson."
Duke ecur gjatë rrugëve të Simferopolit, kryeqendrës së Krimesë, shihen shumë ndërtesa të vjetra, të pariparuara. Vendësit janë të mendimit se gjatë periudhës së Ukrainës, Krimea nuk u kushtoi vëmendjen e duhur, gjë që shkaktoi zhvillimin e ngadalshëm. Shumë qytetarë, që i dhanë intervistë korrespondentes së radios sonë u shprehën se gjatë një viti pas "rikthimit" në Rusi, ka ndryshuar jeta e tyre dhe është përmirësuar pamja e qytetit. Ata shprehën bindje për një të ardhme më të bukur në Krime. (Wang Lei)