20150215feste |
Me afrimin e Vitit të Ri Kinez, që sivjet është viti i deles, kinezët kanë filluar të planifikojnë pushimet 7 ditore të festës. Vitet e fundit, më shumë familje kineze përdorin pushimet e gjata të festës për turizëm brenda e jashtë vendit dhe kjo është bërë një tendencë shoqërore e Kinës së sotme. Sipas një ankete të organizuar nga një uebsajt, me politikën e favorshme të vizave të më shumë vendeve për shtetasit kinezë, rivlerësimin e monedhës kineze Renminbi etj., këtë vit, më shumë kinezë do të zgjedhin turizmin jashtë vendit gjatë Festës së Pranverës.
Zoti Yao banon në Pekin dhe këtë vit ka planifikuar që së bashku me familjen të shkojë jashtë vendit për të kaluar Festën e Pranverës. Ai tha:
"Do të shkojmë në Evropë për turizëm. Pas një viti punë të lodhshme, shpresojmë të pushojmë mirë në Evropë, njëkohësisht do të blej diçka për bashkëshorten."
Si zoti Yao, shumë kinezë kanë bërë të njejtin plan për Festën e sivjetme të Pranverës. Sipas anketës së uebsajtit turistik Ctrip të bërë pak kohë më parë, rreth 80% e pjesëmarrësve planifikojnë të bëjnë turizëm gjatë festës, ndër të cilët më se 50% do të shkojnë jashtë vendit duke kaluar për herë të parë numrin e turistëve brenda vendit. Sipas agjencive turistike, rezervimet për turizmin jashtë vendit janë shtuar ndjeshëm. Drejtorja e marrëdhënieve publike e uebsajtit Ctrip, Chen Caiyin u shpreh se deri tani, ka mbaruar shitja e të gjitha paketave të turizmit në grup jashtë vendit gjatë Festës së Pranverës. Nëse zgjidhen paketat e lira turistike do të mbeten vetëm bileta avioni të klasës së biznesit ose e klasës së parë. Ajo shprehet:
"Gjatë Festës së Pranverës, shpenzimet për turizëm në Sanya të provincës Hainan barazohen afërsisht me shpenzimet e turizmit në ishullin Bali të Indonezisë, apo në ishullin Koh Samui të Tajlandës etj. Me shpenzime të përafërta shumë turistë dëshirojnë të shkojnë jashtë vendit për të njohur vende dhe zakone të ndryshme. Nga ana tjetër, në vitin 2014, në disa destinacione turistike në Azinë Juglindore si Tajlanda etj. Kanë ndodhur trazira dhe si pasojë, shumë turistë kinezë hoqën dorë nga vizitat në këto vende. Tani është rivendosur qetësia në këto vende, duke u ringjallur prirja e turizmit jashtë vendit gjatë Festës së Pranverës të këtij viti."
Sipas rezervimeve për paketa turistike, destinacionet e nxehta të turistëve kinezë gjatë Festës së Pranverës përqëndrohen kryesisht në Azi, si në Korenë e Jugut, Japoni, vendet e Azisë Juglindore, Hong Kong, Makao etj. Zv-presidentja e kompanisë turistike Caisa, Wang Zhuli u shpreh se ishujt aziatikë janë ende zgjedhja e parë e shumë turistëve kinezë gjatë Festës së Pranverës:
"Liberalizimi i vizave, koha e shkurtër e fluturimit me avion dhe moti i ngrohtë në këta ishuj janë faktorët kryesorë që tërheqin turistët kinezë gjatë Festës së Pranverës."
Krahas këtyre, ulja e kursit të këmbimit të Euros dhe të dollarit australian ka gjallëruar turizmin në Evropë e në Australi gjatë Festës së Pranverës. Njëkohësisht politika e re e vizave 10-vjeçare e SHBA-së, politika e re e vizave e Japonisë, vizita pa vizë në shumë vende të Karaibeve etj. kanë nxitur turizmin e kinezëve në këto vende gjatë Festës së Pranverës. Drejtori i Institutit Studimor të Turizmit të Kinës Dai Bin u shpreh:
"SHBA-ja, Japonia, Evropa, Australia etj. po nxitin liberalizimin e vizave për shtetasit kinezë dhe vizita në këto vende do të jetë më e lirë."
Prirja e turizmit gjatë Festës së Pranverës ka nxitur ngritjen e çmimit të produkteve turistike. Drejtorja e marrëdhënieve publike e uebsajtit Ctrip Chen Caiyin u shpreh se në krahasim me pushimet e festës së "1 majit" e të Festës Kombëtare, çmimi i paketave turistike në destinacionet e nxehta jashtë vendit, gjatë Festës së Pranverës është ngritur me rreth 80%. Ajo tha:
"Çmimi gjatë Festës së Pranverës është më i lartë se kohët e tjera duke përfshirë festën e '1 majit' e Festën Kombëtare. Për shembull çmimi i vizitës në ishullin Bali u ngrit 50% deri 80%, sepse në Festën e Pranverës, çmimi i biletës së avionit dhe hotelit është shumë i lartë. Megjithatë janë mbyllur të gjitha rezervimet." (Fani)