20150208greqia |
Javën e kaluar, qeveria e re greke në ditën e ardhjes në fuqi deklaroi ndërprerjen e shitjes së aksioneve të portit të Pireut. Ky lajm tronditi Kinën dhe botën. Tek të gjithë lindi pyetja " Grekët do të dëbojnë kinezët nga porti i Pireut?"
Ditët e fundit, shumë funksionarë grekë janë shprehur për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit me Kinën, ndërkohë që edhe specialistë grekë të transportit detar janë shprehur se në bashkëpunimin me Greqinë, Kina ka ende prioritet.
Në programin e sotëm, do t'ju flas për qëndrimin e Greqisë për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik me Kinën.
"Do të respektojmë marrëveshjen me COSCO-n në portin e Pireut"
20150130GREQI |
Uebsajti britanik "Tregti Oqeanike Globale" njoftoi më 1 shkurt se pas publikimit të lajmit mbi ndërprerjen e privatizimit të portit të Pireut, ministri grek i ekonomisë Stathakis dhe zv.ministri i ekonomisë Dhritsas, që përgjigjet për transportin detar, zhvilluan një takim me përfaqësuesin e ambasadës së Kinës në Greqi. Stathakis tha se gjatë këtij takimi "u konfirmua qëndrimi i përbashkët në nxitjen e marrëdhënieve në disa fusha" dhe të dyja palët u shprehën njëzëri se "do të nxitin dialogun konstruktiv dhe do të forcojnë bashkëpunimin".
Dhritsas diskutoi me palën kineze problemet konkrete në bashkëpunimin në portin e Pireut. Ai tha qartë se: "Pas miratimit të marrëveshjes midis qeverisë së kaluar greke dhe kompanisë kineze COSCO nga Parlamenti grek nisi puna për zgjerimin e kalatës nr.3 të këtij porti. Do të respektojmë marrëveshjen përkatëse dhe do të zbatojmë në mënyrë thelbësore detyrimet e marrëveshjes si dhe nuk do ta ndryshojmë atë në mënyrë të njanëshme."
Marrëveshja, e përmendur nga ministri Dhritsas është "Marrëveshja e Konsultimeve Miqësore", e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar midis COSCO-s dhe Administratës së Portit të Pireut dhe e miratuar në dhjetor nga Parlamenti i Greqisë.
Zv/ministri ka shtuar se "Ndryshe nga disa fuqi të mëdha, Kina mbron interesat e veta, duke mos dëmtuar interesat e vendeve të tjera dhe kjo ka të bëjë me kulturën e saj të paqes." Ai shtoi se Greqia dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin me Kinën në portin e Pireut dhe "krahas kalatave të konteinerëve do të shkëmbejë mendime me palën kineze edhe për shërbime të tjera."
Zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying tha më 30 janar në një konferencë shtypi se pala kineze vlerëson qëndrimin e qeverisë greke mbi bashkëpunimin me COSCO-n në projektin e portit të Pireut dhe shprehu bindjen se qeveria greke do të respektojë premtimet e do të forcojë shkëmbimet e bashkëpunimin me palën kineze, në projektin e portit të Pireut.
Gjatë një interviste më 3 shkurt për gazetën kineze Global Times, ambasadori i Kinës në Greqi Zou Xiaoli tha se të dy ministrat u takuan me palën kineze në ditën e parë të marrjes së detyrës, ndërkohë që kryeministri Alexis Tsipras i rezervoi takimin e parë pas ardhjes në krye të qeverisë, ambasadorit të Kinës në Athinë. Sipas ambasadorit Zou, gjatë takimit më 27 janar, Tsipras tha, "Në krahasim me qeverinë e kaluar, qeveria e re do të tregojë më shumë miqësi për Kinën, duke i kushtuar më shumë rëndësi përkrahjes nga Kina." Ambasadori shtoi se kreu i qeverisë greke shprehu edhe dëshirën për takime me liderët kinezë.
Gjatë një interviste për gezetën franceze "Le Monde", ministri grek i financave Yanis Varoufakis tha se investimet e COSCO-s "luajnë rol shumë pozitiv në Greqi". Ai tha se investimet e huaja, duke përfshirë ato kineze, janë burime të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e aftësisë konkurruese të Greqisë. Duke folur për vendimin e qeverisë greke për ndalimin e privatizimit, Varoufakis u shpreh, "Në situatën e deflacionit, nuk është veprim i zgjuar shitja e pasurive të shtëpisë, ndërsa shfrytëzimi i pronësisë shtetërore për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë është një masë largpamëse."
"Në bashkëpunimin ekonomik, Kina është ende prioritet i Greqisë"
"Qeveria e re ka thyer shumë pjata diplomatike brenda një jave" ky është komenti i gazetës zvicrane "Neue Zuricher Zeitung", e cila shton "duke inatosur Komisionin e BE-së dhe kreditorin kryesor Gjermaninë, duke ndërprerë entusiazmin e investimeve kineze dhe frikësuar Evropën." Por tani, pavarësisht investimeve kineze apo kredive nga BE-ja, qeveria greke e krahut të majtë nisi tërheqjen nga "rrokullisja".
Qysh nga java e kaluar, investimet kineze në Greqi, duke përfshirë investimet e grupit kinez COSCO në portin e Pireut, janë në fokusin e mediave greke. Duke iu referuar disa analistëve, media kryesore greke "Ekathimerini" është e mendimit se kjo paraqitje e qeverisë së re "është vetëm pretendim", pasi është i pashmangshëm bashkëpunimi me Kinën.
"S'ka mundësi fare t'i dëbojë kinezët nga porti i Pireut." Specialisti i transportit detar Siladatsis tha se investimet nga grupi kinez COSCO janë torta më e madhe e marrë nga Greqia vitet e fundit, ndërkohë, COSCO ka sjellë gjallëri në këtë port të dëshpëruar, duke vënë në pah pozicionin e tij si kanal i Evropës nga Veriu në Jug.
Një tjetër analist grek që nuk u identifikua tha, "në bashkëpunimin ekonomik, Kina është ende prioritet i Greqisë." Fakt i padiskutueshëm është që pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kinën në vitin 2008, vëllimi i ngarkim-shkarkimit në portin e Pireut u shtua 8 herë. "Por monopolizimi i kinezëve për këtë port e shqetëson BE-në," shtoi ky specialist.
Një punonjës i COSCO-s në Greqi i tha gazetës kineze Global Times më 3 shkurt se këto ditë, projekti i investimeve të COSCO-s në Greqi nuk ka ndonjë ndikim negativ dhe është nxitur sipas parashikimeve. Ai tha se masat e qeverisë së re për ndalimin e privatizimit të portit të Pireut nuk janë kundrejt Kinës apo COSCO-s dhe në këtë drejtim, COSCO-ja nuk do të ketë shumë humbje. Objektet ekzistuese të COSCO-s në portin e Pireut, në kalatat nr.2 dhe nr.3, do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
"Athina nuk dëshiron t'i frikësojë investitorët kinezë," komentoi EZTV më 3 shkurt, "sepse faza e parë e privatizimit të portit të Pireut është një nga rastet e rralla të suksesshme të privatizimit në Greqi."
Në një koment të gazetës gjermane "Friday Weekly" shprehet se për shumë njerëz, Kina është "kalorësi i bardhë", sepse Greqia ka nevojë për investimet dhe tregun e Kinës.