20150128koz |
Udhëheqësi i të majtës radikale i Greqisë Aleksis Tsipras bëri betimin si kryeministri i ri i vendit pasi formoi një aleancë të papritur me një parti të vogël nacionaliste të krahut të djathtë e quajtur Grekët e Pavarur.
Pas fitimit në zgjedhjet parlamentare, lideri i Syriza-s Alexis Tsipras u shpreh:
"Populli grek lëshon sinjale të qarta, se Greqia do të fitojë përsëri demokracinë, respektin dhe bashkimin shoqëror. E ardhmja jonë në Europë nuk është një ardhme shtrënguese, por një ardhme demokratike, e bashkuar dhe bashkëpunuese."
40-vjeçari theu traditën dhe mori një betim laik në vend të ceremonisë fetare ortodokse greke me të cilat kryeministrat janë betuar zakonisht.
Liderët e Bashkimit Europian reaguan pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve në Greqi, ku partia Syriza e Alexis Tsipras ka kërkuar rinegociomin e programit të shpëtimit të vendit.
Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.
"Është një rregull i zakonshëm dhe normale që Komisioni të punojë ngushtë me çfarëdo qeveri dhe ne do ta bëjmë këtë me Greqinë."
Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz thotë se rezultati i zgjedhjeve sinjalizon për ndryshime të mëdha në Greqi, të cilat do të kenë një ndikim pasues në Europë, por nënvizoi se marrëveshjet ekzistuese duhet të respektohen për hir të stabilitetit.
Kryeministri lituanez Algridas Butkevicius:
"Monedha euro është garancia jonë për siguri ekonomike dhe politike. Do të na mundësojë të zhvillojmë shpejt një ekonomi të gjallë, të shtojmë vendet e punës dhe të përmirësojmë të ardhurat. Unë besoj se ne do të forcojmë familjen e eruos. Ne vijmë me vendosmërinë, konsolidimin dhe energjinë për të arritur objektivat tonë; ne sjellim ndjenjën e solidaritetit dhe partneritetit të fortë."
Syriza është duke bërë i thirrje eurozonës për të lehtësuar shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave të kërkuara në programin e ndihmës prej Greqisë. Borxhi i vendi është aq i lartë sa ekonomistët mendojnë se është i paqëndrueshëm.
Partia kundër masave shtrënguese e Tsipras-it fitoi mbështetjen e nevojshme për të formuar një qeveri me marrjen mbështetjes së Grekëve të Pavarur, të cilët fituan 4,7 për qind të votave.
Syriza fitoi 36 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të së dielës, por nuk mundi të siguronte dy vende më shumë në parlamentin 300-vendesh për të formuar një qeveri më vete.
Zoti Tsipras ka deklaruar se do të rinegociojë kreditë e shpëtimit financiar të Greqisë, që kanë arritur në rreth 300 miliard dollarë dhe që janë miratuar vitet e fundit nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai është zotuar gjithashtu të refuzojë kërkesat e kreditorëve, që përfshijnë shkurtime të pensioneve dhe të pagave.
Kryeministri britanik David Cameron ka paralajmëruar se zgjedhjet e Greqisë mund të shtojnë pasigurinë ekonomike kudo në Evropë.
Shtëpia e Bardhë, pa përmendur çështjet ekonomike, e uroi Greqinë për mbajtjen me sukses të zgjedhjeve. Një zëdhënës tha se SHBA presin të punojnë nga afër me qeverinë e re. (Leftion Peristeri)