20150125terrorizmi |
Pak ditë më parë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë Federica Mogherini u shpreh në Bruksel se për të goditur terrorizmin, BE-ja do të ndërmarrë veprime më efektive, duke forcuar bashkëpunimin me vendet e tjera, veçanërisht me vendet arabe.
Federica Mogherini i tha këto në takimin e parë të këtij viti të ministrave të jashtëm të Unionit. Ky është një takim i rëndësishëm pas sulmit terrorist kundër selisë së revistës franceze "Charlie Hebdo", në Paris. Para takimit, zyrtarë të Bashkimit Evropian u shprehën se do të publikonin planin e ri antiterrorist, ndaj takimi i ministrave të jashtëm tërhoqi vëmendjen .
Në konferencën e shtypit të organizuar pas takimit, Federica Mogherini u shpreh se Bashkimi Evropian vendosi të ndërmarrë disa masa aktive:
"Së pari, do të ndajmë informacionet jo vetëm me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe me vendet përreth, si ato mesdhetare e arabe, ndër të cilat Turqia, Egjipti, vendet e Gjirit etj. dhe do të bashkëpunojmë me Afrikën e Azinë. Nga ana e sigurisë, do t'i kërkojmë Parlamentit Evropian të ndajë me ne listën e pasagjerëve. Krahas këtyre, do të bëjmë përpjekje për të ndërprerë prejardhjen e fondeve të organizatave terroriste. Pas ca ditësh, do të zhvillojmë në Bruksel një mbledhje të posaçme të specialistëve me vendet përkatëse për këtë temë."
Federica Mogherini vuri në dukje se vendimi i dytë i rëndësishëm i takimit të ministrave të jashtëm është forcimi i bashkëpunimit dypalësh ose shumëpalësh midis Bashkimit Evropian e vendeve të tjera, ku bashkëpunimit me vendet arabe i jepet përparësi. Para zhvillimit të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, Mogherini zhvilloi bisedime me sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Arabe Nabil El Araby. Të dy palët u shprehën se Evropa dhe bota arabe përballojnë sfidën e përbashkët dhe duhet të bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër terrorizmit. Federica Mogherini tha:
"E dimë se myslimanët e vendet arabe janë viktimat e para të terrorizmit. Vendosëm të forcojmë posaçërisht bashkëpunimin me vendet arabe e Lidhjen Arabe. Ky vendim rrjedh nga dy shkaqe, së pari për shkak të dobësimit të kontrollit në disa vende, disa rajone janë plotësisht jashtë kontrollit të qeverisë dhe kjo u ka sjellë organizatave terroriste hapësirën e mbijetesës, duke na sjell rreziqe, ndaj duhet ta parandalojmë këtë. Nga ana tjetër, krizat në disa rajone zgjidhen me konflikte dhe ka mundësi të tërhiqen më shumë të rinj në organizatat terroriste. Unë dhe sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe jemi shprehur pro forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit, sepse përballojmë kërcënime të përbashkëta."
Federica Mogherini deklaroi në konferencë shtypi se pas disa javëve, Bashkimi Evropian do të zhvillojë projektin e bashkëpunimit me disa vende duke përfshirë Turqinë, Egjiptin, Jemenin, Algjerinë etj. për të goditur së bashku terrorizmin. Njëkohësisht Bashkimi Evropian do të forcojë bashkëpunimin me vendet afrikane. Në emër të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dënoi aktet terroriste të ditëve të fundit të organizatës ekstremiste afrikane "Boko Haram".
Shefja e politikës së jashtme dhe sigurisë në BE, Mogherini tha gjithashtu se është arritur konsensusi me ministrat e jashtëm të vendeve të ndryshme për dy probleme:
"Në çdo delegacion të Bashkimit Evropian do të krijohet pozicioni i komisionerit të sigurisë që do të thotë se BE-ja dhe vendet përkatëse do të krijojnë ndërlidhje të përditshme për temat e sigurisë, të bashkëpunimit dhe të antiterrorizmit. Një punë tjetër urgjente është shtimi i shkëmbimeve me popujt arabë sepse në Bashkimin Evropian ka shumë emigrantë arabë dhe në botë, numri i popullsisë arabe është shumë i madh."
Siç bëhet e ditur, në takimin e ministrave të brendshëm të BE-së që do të zhvillohet dhe në samitin e posaçëm të Bashkimit Evropian muajin e ardhshëm, në fokus të diskutimeve do të jetë lufta kundër terrorizmit. (Fani)