20150118nafte |
Qysh nga vera e vitit të kaluar, çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka pasur rënie të vrullshme dhe të vazhdueshme. Çmimi për fuçi u ul nga 110 dollarë në 50 dollarë. Kjo ka ushtruar ndikim të madh mbi botën, qoftë tek vendet prodhuese të naftës, apo tek ato konsumatore. Lidhur me rënien e çmimit të naftës, ka opinione të ndryshme për shkakun e lëkundjes. Por kush është "fajori" i vërtetë i rënies së çmimit të naftës? Çfarë ndikimi do të ushtrojë kjo rënie ndaj ekonomisë botërore dhe strukturës botërore? A do të vazhdojë të ulet çmimi i naftës? Kina do të përfitojë nga rënia e çmimit të naftës? Në programin e sotëm, do t'ju flas për këtë.
Shkaqet e rënies së çmimit të naftës
Sipas Huang Xiaoyong, drejtorit të Qendrës Kërkimore mbi Sigurinë Energjetike Ndërkombëtare pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, ndryshimi i raportit midis kërkesës dhe ofertës në treg është shkaku kryesor i rënies së çmimit të naftës, qysh nga vera të kaluar. Nga njëra anë, ekonomia kineze është ngadalësuar, ndërsa Evropa dhe Japonia nuk po rimëkëmben akoma, kështu e gjithë bota kërkon më pak naftë. Nga ana tjetër, është shtuar vëllimi i prodhimit të naftës bruto. Në sajë të revolucionit të gazit argjilor, ShBA-ja ka shënuar rekord gjatë 30 vjetëve në prodhimin e vajgurit. Me shfrytëzimin e depozitave të naftës në thellësitë detare dhe përdorimin e shumë teknologjive të reja, është zgjeruar sfera e prodhimit të naftës. Njëkohësisht, Libia dhe Iraku, të shkëputura nga trazirat e luftës, rifilluan prodhimin e naftës dhe një sërë vendesh të reja si Meksika, Brazili dhe Kolumbia radhiten në vendet eksportuese të naftës. Të gjitha këto elemente kanë ulur çmimin e naftës.
Përpara çekuilibrimit midis kërkesës dhe ofertës si dhe uljes së vazhdueshme të çmimit të naftës, vendet kryesore naftëprodhuese u shprehën përkatësisht se nuk do të pakësojnë vëllimin e prodhimit. Krye-analisti i Rrjetit të Energjisë të Kinës Han Xiaoping është i mendimit se kjo është pasojë e garës midis vendeve të mëdha naftëprodhuese.
"Kjo ka lidhje me sanksionet e ShBA-së ndaj Rusisë dhe ka të bëjë edhe me pjesëmarrjen e Arabisë Saudite. Si pasojë e sanksioneve të vendeve perëndimore, Rusia shiti më shumë naftë dhe gaz natyror në tregun aziatik. Kina është blerësja nr.1 e energjisë ruse, gjithashtu blerëse kryesore e naftës së Arabisë Saudite. Për të mbrojtur interesat e saj në Azi, Arabia Saudite dëshiron të shtojë vëllimin e prodhimit dhe të ulë çmimin e naftës për të ruajtur kuotat e saj në tregun aziatik. Me këtë rast, Arabia Saudite orvatet të godasë edhe prodhimin e gazit argjilor në ShBA, që të zvogëlojë më tej tregun e ShBA-së dhe më tej të falimentojë kompanitë e këtij gazi."
Si do të ndikojë në ekonominë botërore ulja e çmimit të naftës?
Ulja e çmimit të naftës, në thelb është tranferimi ndërkombëtar i pasurive, d.m.th. transferimi i një pjesë interesash nga vendet naftëprodhuese në vendet konsumatore. Por kjo rënie e vrullshme u ka sjellë ndikime të ndërlikuara ekonomive të ndryshme.
Rënia e çmimit të naftës ka goditur rëndë Rusinë, Iranin, Angolën dhe vendet e tjera naftëprodhuese, në rritjen ekonomoike, të ardhurat financiare si dhe jetesën e qytetarëve të thjeshtë. Në afat të shkurtër, nëse çmimi i naftës do të ulet më tej, këto vende do të bien në gjendjen shumë të vështirë financiare, ndërsa në një periudhë të gjatë, ulja e vazhdueshme e çmimit të naftës do t'i detyrojë këto vende të pakësojnë mbështetjen ndaj eksportit të energjisë dhe të rregullojnë strukturën e industrisë së unifikuar.
Për Kinën, Japoninë dhe vende e rajone të tjera që mbështeten tek importimi i naftës, ulja e çmimit të naftës do të ushtrojë ndikim pozitiv. Në një raport të publikuar më 13 janar në Bangkok nga Komisioni Ekonomik dhe Shoqëror për Azinë dhe Paqësorin i OKB-së (ESCAP) thuhet se në vitin 2015, ekonomia në këtë rajon do të rifillojë rritjen e ngadalshme, ndërsa ulja e çmimit të naftës kohët e fundit u ofron vendeve të rajonit një rast për reformimin e mënyrës së zhvillimit. "Duke përfituar nga ky rast shumë i çmuar vendet e Azi-Paqësorit duhet të zbatojnë reforma më të gjera strukturore, që të fitojnë dinamikën e vazhdueshme për zhvillimin ekonomik", sugjeron ESCAP.
A do të vazhdojë të ulet çmimi i naftës?
Kryeanalisti i Rrjetit të Energjisë të Kinës Han Xiaoping vuri në dukje se si pasojë e elementeve të ndërlikuara të politikës ndërkombëtare, çmimi i naftës do të ulët edhe më tej.
"Nëse ulja e çmimit të naftës është pasojë e garave të vendeve me interesa të ndryshme dhe nxitet nga revolucioni teknik, çmimi i naftës është vështirë të ngrihet brenda një afati të shkurtër. Në histori ndodhin gjendje të tilla për një periudhë të gjatë, prandaj kësaj here çmimi i naftës do të mbetet në nivelin e ulët për një kohë të gjatë."
Edhe studiuesja Shi Dan nga Instituti Kërkimor i Ekonomisë Industriale pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, ra dakord me këtë mendim. Ajo tha se perspektiva e ekonomisë botërore është ende e panjohur, prandaj çmimi i naftës nuk do të ngrihet në një të ardhme të afërt.
"Nga njëra anë, çdo lëkundje e çmimit do të ketë plogështi dhe nga ana tjetër, rimëkëmbja e ekonomisë botërore nuk po arrihet akoma në nivelin e parashikuar."
Elie Hababihan, ish-përfaqësuesi i Venezuelës në OPEC është i mendimit se vendet perëndimore, gjithashtu Kina e konsumatorë të tjerë të naftës, nuk dëshirojnë rënie të vrullshme të çmimit të naftës si dhe tronditje afatgjatë të tregut, sepse kjo do të ndikojë në zhvillimin e
shëndetshëm të ekonomisë botërore. Për të shmangur humbjet e përgjithshme dhe të rënda të vendeve naftë-eksportuese, çmimi i naftës do të qendrojë rreth 70 dollarë për fuçi.
A do të favorizohet Kina nga rënia e çmimit të naftës ?
Aktualisht Kina është vendi i parë në importimin e naftës. Kësaj here, përgjysmimi i çmimit të naftës është një lajm i mirë për Kinën. Han Xiaoping, kryeanalisti i Rrjetit të Energjisë i Kinës është i mendimit se në një afat të shkurtër, ulja e çmimit të naftës është në favor të Kinës, por në një sferë të kufizuar.
"Në Kinë nafta zë vetëm 17.8% të energjisë, ndërsa në vendet perëndimore, zakonisht 40%, prandaj ulja e çmimit të naftës ndikon në mënyrë të kufizuar në ekonominë e Kinës. Njëkohësisht, ulja e çmimit të naftës do të ushtrojë ndikime negative në përdorimin e energjive të reja dhe kjo nuk është në favor të pakësimit të shkarkimit dhe të sistemit të ndotjes."
Sipas parashikimeve të Komisionit Ekonomik dhe Shoqëror për Azinë dhe Paqësorin të OKB-së, në vitin 2015, rritja e ekonomisë kineze do të jetë 7%. Sekretarja ekzekutive e komisionit Shamshad Akhtar është e mendimit se Kina, që po rregullon strukturën e ekonomisë, ka ende potencial të madh zhvillimi dhe do të vazhdojë të luajë rol aktiv në rajon.
"Nga ana pozitive, pavarësisht nga aspekti monetar apo financiar, Kina ka hapësirë përsosjesje. Njëkohësisht, ajo do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e vendeve të Azi-Paqësorit. Kina investon fonde të mëdha në Bankën e Ndërtimit të Infrastrukturës të Azisë dhe në Bankën e Vendeve BRICS dhe synon krijimin e ndërlidhshmërisë brenda e jashtë rajonit. Ajo e vë theksin e zhvillimit të ekonomisë në vend, duke stimuluar kërkesat e brendshme. Të gjitha këto elemente na nxitin ta shikojmë zhvillimin e Kinës me më shumë tolerancë dhe nga një këndvështrim largpamës." (Wang Lei)