PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Diplomacia kineze në vitin 2014
2015-01-05 11:12:15 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 2014, në diplomacinë kineze nisën të përdoren gjerësisht disa shprehje të reja, si "Një Brez e një Rrugë", "APEK-u blu", "Rajoni i tregtisë së lirë" etj. Këto shprehje janë përhapur tashmë jo vetëm në media, por përdoren edhe nga njerëzit e thjeshtë. Tani le t'u hedhim një sy disa prej këtyre shprehjeve.

Biseda e mbrëmjes në "Yingtai"

Më 11 nëntor në mbrëmje, në "Yingtai" të "Zhongnanhai"-t, rezidenca e udhëheqjes kineze, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Barak Obama shëtitën dhe pinë çaj, duke biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, gjendjen ndërkombëtare etj. Kjo mënyrë takimi nga shumë veta ishte e paparashikuar.

Presidenti Xi e njohu në "Yingtai" presidentin Obama me historinë e Kinës, duke i përcjellë atij mesazhin se njohja e historisë moderne të Kinës ka rëndësi të madhe për të kuptuar siç duhet rrugën e sotme të zhvillimit të popullit kinez. Atë mbrëmje të dy liderët shkëmbyen thellësisht mendime për probleme kyçe të marrëdhënieve dypalëshe, duke shtuar njohjen e ndërsjellë dhe duke shmangur keqkuptimet.

Drejtori i Shkollës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit "Renmin" të Kinës Jin Canrong vuri në dukje se trajtimi me sukses nga Kina i marrëdhënieve me vendet e tjera të mëdha varet nga krijimi i marrëdhënieve të tipit të ri mes vendesh të mëdha me ShBA-në. Jin Canrong tha:

"Tani ShBA-ja ka qëndrim të njëjtë me Kinën për shmangien e konfrontimit mes dy vendeve, por nuk janë ndërmarrë hapa konkretë. Për të shmangur këtë konfrontim, duhet të zbatohen strategji krijuese."

"APEK-u blu"

"Këto ditë, pasi të zgjohem, do të shikoj së pari si është cilësia e ajrit në Pekin. Shpresoj se në Pekin do të pakësohet smogu, për t'u krijuar miqve të huaj një mjedis të përshtatshëm."

Kështu u shpreh presidenti kinez Xi Jinping në darkën e shtruar për nder të udhëheqësve që morën pjesë në takimin e APEK-ut në Pekin. Xi u shpreh:

"Qielli blu i tanishëm në Pekin quhet nga disa njerëz 'APEK-u blu', çka do të thotë i bukur, por që nuk do të zgjatë për shumë kohë. Shpresoj dhe jam i bindur se, nëpërmjet përpjekjeve të palodhshme, 'APEK-u blu' do të vijojë më tutje."

Për të pritur takimin e APEK-ut në Pekin, qeveria kineze mori masa për uljen e ndotjes me pjesëmarrjen e përbashkët të disa rajoneve. Pekini dhe provincat përreth vepruan së bashku dhe pakësuan me rreth 30 % lëshimin e ndotjeve, duke fituar përvojë për rregullimin e strukturës së prodhimit. Duhet të vihet në dukje se ky eksperiment nuk synonte vetëm takimin e APEK-ut.

Rajoni i Tregtisë së Lirë Azi-Paqësor

Takimi i APEK-ut në Pekin është pa diskutim veprimtaria më e rëndësishme diplomatike e organizuar nga Kina në vitin 2014. Me nxitjen e palës kineze, APEK-u nisi zyrtarisht procesin e krijimit të Rajonit të Tregtisë së Lirë Azi-Paqësor. Ky veprim tregoi besimin dhe vendosmërinë e anëtarëve të APEK-ut për nxitjen e integrimit ekonomik rajonal dhe pa dyshim do t'i japë impuls rritjes së ekonomive të tyre.

"Njeriu trupmadh"

"Kina është një vend me mbi 1.3 miliardë banorë dhe është si një njeri trup madh në një turmë njerëzish. Është e natyrshme që njerëzit e tjerë t'u kushtojnë vëmendje veprimeve të këtij njeriu trupmadh dhe të shqetësohen se mos ai bllokon rrugën."

Në nëntor të vitit 2014, gjatë vizitës në Australi, presidenti Xi Jinping e përshkroi Kinën në mënyrë metaforike si një njeri me trup të madh dhe përdori konceptin e "tre moslëkundjeve" për të larguar shqetësimin e sipërpërmendur:

"Së pari, Kina nuk do të lëkundë vendosmërinë për zhvillimin paqësor. Së dyti, Kina nuk do të lëkundë idenë e zhvillimit të përbashkët. Së treti, Kina nuk do të lëkundë politikën e nxitjes së bashkëpunimit të Azi-Paqësorit."

"Diplomacia e bashkëshortes"

Për sa i përket së ashtuquajturës "diplomaci e bashkëshortes", në vitin 2014, bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping, Peng Liyuan, vijoi të nxitë shkëmbimet me jashtë në fushën e çështjeve të grave e të fëmijëve, si edhe ato kulturore. Zonja e parë kineze ftoi bashkëshorten dhe dy vajzat e presidentit amerikan Barak Obama të vizitojnë Kinën. Një diplomat veteran vuri në dukje se kjo është hera e parë që bashkëshortja e një presidenti kinez fton bashkëshorten e një udhëheqësi të huaj për vizitë në Kinë. Një gjë e tillë, sipas tij, pasqyron integrimin e mëtejshëm të Kinës në bashkësinë ndërkombëtare dhe tregon imazhin e një vendi gjithnjë e më të hapur. (Fani/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China